Me afatin shtesë nëpërmjet të cilit Biblioteka Kombëtare e Kosovës synonte të përzgjidhte katër, pesë individë a autorë që do ta përfaqësonin vendin në Panairin e Librit në Leipzig, është përcaktuar për shkrimtarin Ag Apolloni e përkthyesin Qerim Ondozi. “Organizatorët e panairit gjithmonë jo vetëm që i informojnë institucionet tona, por edhe i ftojnë, madje nganjëherë edhe insistojnë, mirëpo ne, për arsye shpesh meskine, i dëshpërojmë, qoftë me vonesa, qoftë me nivel të përfaqësimit. Të gjitha vendet e Ballkanit janë më mirë se ne në gjithçka, pra edhe në nivel të prezantimit të librit”, ka thënë Apolloni duke numëruar disa arsye
Afati i shtesë i thirrjes për ta prezantuar Kosovën në Panairin e Leipzigut nuk ka rezultuar me interesim të shtuar, por, megjithatë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka përzgjedhur një shkrimtar e një përkthyes që do të bëhen zëri i vendit në ngjarjen madhore këtë pranverë.
Ag Apolloni dhe Qerim Ondozi përbëjnë dyshen për të cilën është përcaktuar BKK-ja. Pritej më shumë interesim.
“Komisioni për shqyrtim dhe vlerësimin e projekteve konkurruese, duke u bazuar në Rregulloren e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për subvencionimin në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore, rinisë dhe sportit, ka përfunduar procesin e shqyrtimit dhe ka përzgjedhur individët nga Kosova, të cilët kanë aplikuar në thirrjen për përfaqësim në Panairin e Leipzigut. Autorët që do të jenë pjesë e këtij panairi janë Ag Apolloni dhe Qerim Ondozi”, shkruhet në përgjigjen e institucionit më të lartë bibliotekar.
Thirrja për projekt-propozime për mbështetjen e individit/autorit për pjesëmarrje në Panairin e Leipzigut 2025 ishte e hapur prej 16 deri më 31 dhjetor 2024. “Për arsye të pamjaftueshmërisë së konkurrencës”, ishte dhënë afat shtesë deri në mesin e janarit.
Panairi i Leipzigut, i dyti në Gjermani pas atij të Frankfurtit, në edicionin e sivjetmë, i cili mbahet prej 27 deri më 30 mars ka për temë “Words move World” (Fjalët lëvizin botën). Daton qysh prej vitit 1632.
Kosova përfaqësohet aty prej vitit 2019 e Biblioteka Kombëtare e Kosovës e ka renditur ndër prioritetet programore për promovimin e kulturës së shkruar dhe të institucioneve botuese publike e private, duke mundësuar edhe promovimin e autorëve të vendit dhe të librave të tyre të përkthyer.
Për shkrimtarin e studiuesin Ag Apolloni, kjo është hera e dytë të marrë pjesë në këtë panair. Ka thënë se pjesëmarrja në panaire të tilla është një mundësi e madhe për krijimin e kontakteve me shkrimtarë, përkthyes, botues dhe agjentë letrarë.
“Nga vetë natyra dhe përmasat e këtij panairi nënkuptohet rëndësia që ai ka për një autor dhe për kulturën të cilën e përfaqëson. Kështu që, i jam mirënjohës Bibliotekës Kombëtare të Kosovës që më ka përzgjedhur për herë të dytë”, ka thënë Apolloni.
Për t’u përzgjedhur janë përcaktuar disa kritere nga BKK-ja. Ndër të tjera, autorët e librat që synojnë të prezantohen duhet të kenë edhe njëfarë lidhjeje me gjermanishten ose me gjuhë të tjera.
Pos kushteve dhe kritereve formale, disa prej atyre janë edhe ato që “libri fizik i autorit (pa e-libra) të jetë botuar më 2023 e 2024 dhe të jetë në dispozicion për t’u ekspozuar, që autori të ketë të përkthyer ose në proces përkthimi veprën në gjuhën gjermane ose në gjuhë të tjera të huaja më 2023 deri më 2025, që kopjet e printuara të librit të autorit të jenë lehtësisht në dispozicion për t’u prezantuar në Panairin e Leipzigut, e që vepra të jetë origjinale”.
Apolloni përveç në disa gjuhë të tjera, dy romane i ka të përkthyer në anglisht: “Një fije shprese, një fije shkrepëse” (“Glimmer of Hope, Glimmer of Flame”) dhe “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur” (Red Riding-Hood, a fairy-tale for grown-ups”), të dyja të përkthyera nga Robert Wilton. I pari është botuar në anglisht para dy vjetësh, ndërsa i dyti del nga shtypi këto ditë.
“Këta do të jenë romanet e mi që do të ekspozohen në panair, por sigurisht fokusi do të bjerë mbi romanin ‘Kësulëkuqja’, meqë ky edhe do të prezantohet në një diskutim me publikun e huaj, pasi që para dy vjetësh ka qenë edhe fitues i një çmimi special nga Bashkimi Evropian”, ka thënë Apolloni.
Ngjarje si këto zgjerojnë rrethin e lexueseve e për këtë arsye Apolloni ka thënë se duhet t’u kushtohet vëmendje e mbështetje.
“Letërsia e Kosovës po prezantohet më mirë në Lajpcig sesa në Frankfurt, ndoshta edhe për arsyen se në Lajpcig po prezantohemi nëpërmjet një institucioni serioz, çfarë është Biblioteka Kombëtare, ndërsa në Frankfurt nga Shoqata e Botuesve të Kosovës e cila, duke qenë e kapur nga një familje që ka në pronësi tri shtëpi botuese (‘Buzuku’, ‘Pema’ e tash së voni edhe ‘Skanderbeg Books’), fokusohet vetëm në promovimin e botimeve të veta”, ka kritikuar Apolloni.
Përfaqësimi i Kosovës nëpërmjet Bibliotekës Kombëtare kishte nxitur reagime vite më parë. Autoritetet e BKK-së kishin sqaruar se ky institucion ishte ftuar nga vetë organizatorët e Panairit. Shtetet e rajonit përfaqësohen po ashtu nga institucionet shtetërore. Sllovenia përfaqësohet nga Agjencia e Librit, Serbia e Kroacia nga Ministria e Kulturës.
Vjet, si pjesë e programit promovues të “Tradukit” dhe të Panairit të Leipzigut, Kosova ishte prezantuar nëpërmjet veprave letrare dhe joletrare në gjuhën shqipe dhe atyre të përkthyera në gjuhë të tjera. BKK-ja në bashkëpunim me “Tradukin” – rrjetin e themeluar më 2008 me synimet për komunikim nëpërmjet librit duke përkthyer vepra, e në të cilin rrjet Kosova synon të anëtarësohet – i kishte bërë vend letërsisë vendore në qytetin që shquhet për kulturë.
Sipas Apollonit, panairet ndërkombëtare përveçqë ua sigurojnë hapësirën ekspozuese dhe promovuese, bëjnë edhe vlerësimin e prezantimeve.
“Prandaj sa më mirë që prezantohemi, aq më shumë mund të shpërblehemi dhe të inkuadrohemi në nivelin ndërkombëtar. Do të ishte mirë që të kemi më shumë përkthime në gjuhët e mëdha, më shumë promovime dhe ndoshta ndonjë vit mund të fitojmë edhe statusin e mysafirit special (si shtet) në Lajpcig dhe Frankfurt”, ka thënë ai.
Sivjet Norvegjia do të jetë mysafir nderi i Panairit të Librit në Leipzig. “Spring Dreams” është slogani që ka përzgjedhur ky shtet e që vjen si simbolikë e fillimeve të reja. Organizatorët kanë paralajmëruar se Panairi do t’i rreket edhe inteligjencës artificiale dhe debatit për të.
E, debati për letërsinë shqipe në ngjarje si këto është periferik. Shkrimtari e studiuesi Apolloni, njëherësh profesor universitar, ka përmendur jo vetëm një arsye për këtë. E para ka të bëjë me përkthimet.
“Pos Ismail Kadaresë, që është përkthyer dhe është bërë edhe pjesë e programeve universitare jashtë vendit, pjesa tjetër është pothuajse e panjohur. Nga letërsia e Kosovës ende romani më i përkthyer mbetet ‘Vdekja më vjen prej syve të tillë’, i botuar para gjysmë shekulli dhe i përkthyer në tetë gjuhë. Pra, Kosova ka ngecur me përkthimin, promovimin dhe shpërndarjen. Për këtë arsye unë para disa vjetësh kam kërkuar nga Ministria e Kulturës themelimin e një qendre të librit, siç i kanë pothuajse të gjitha shtetet evropiane, por deri sot nuk ka pasur asnjë lëvizje nga ana e Ministrisë”, ka thënë ai, duke shtuar se për t’u prezantuar suksesshëm jashtë vendit duhen kaluar shumë sfida, por themelore janë përkthimet dhe pjesëmarrjet e ndershme dhe të vlefshme. “Ministria e Kulturës do të duhej të mobilizohej për t’ia mundësuar letërsisë sonë kalimin e këtyre sfidave”, ka porositur Apolloni, i cili në ngjarjen e madhe do të jetë tok me Qerim Ondozin, përkthyes prej disa gjuhësh.
Rreth 200 mijë vizitorë në vit, dy mijë e 500 ekspozues nga më shumë se 40 vende, mbi 3 mijë e 600 ngjarje në 550 skena, janë shifrat e Panairit të Librit në Leipzig. Në Kosovë një ngjarjeje si kjo ende nuk i çmohet pesha e saj.
“Organizatorët e panairit gjithmonë jo vetëm që i informojnë institucionet tona, por edhe i ftojnë, madje nganjëherë edhe insistojnë, mirëpo ne, për arsye shpesh meskine, i dëshpërojmë, qoftë me vonesa, qoftë me nivel të përfaqësimit. Të gjitha vendet e Ballkanit janë më mirë se ne në gjithçka, pra edhe në nivel të prezantimit të librit”, ka thënë Apolloni
E, një dëshmi për këtë është edhe mungesa e interesimit për t’iu përgjigjur thirrjes së Bibliotekës Kombëtare të Kosovës për ta përfaqësuar vendin në festën botërore për librin.