“Arti nga Kosova është një forcë që s’mund të anashkalohet”, thotë artisti Sislej Xhafa dhe ka të drejtë. Dëshmia: ekspozita “Fijet e heshtuna, Kosova kumbon” në galerinë “Continua” në Paris, e kuruar prej tij. Ka bashkuar veprat e 15 artistëve e kjo, sipas Xhafës, nuk është vetëm ekspozitë, “por një deklaratë e fuqishme për artin që del nga kufijtë e një vendi të vogël për të marrë pjesë në bisedën globale”
Janë veprat e një pjese të gjeneratës së re të artistëve bashkëkohorë të një vendi të vogël që ngrenë pyetje, shpërfaqin dilema e nganjëherë edhe konstatojnë. Janë bashkuar në degën në Paris të rrjetit të galerive “Continua”. Duke marrë parasysh historinë e Kosovës dhe shpërfaqjen e saj në veprat e krijuesve të rinj, arti i kësaj ane shpesh ka vështrim të mprehtë, revoltues e mbi të gjitha vlerësohet për fuqi shprehëse e mesazhesh.
Janë veprat e 15 artistëve që bashkohen në ekspozitën “Fijet e heshtuna, Kosova kumbon” në galerinë “Continua” në Paris. Me kurator Sislej Xhafën, njërin prej pionierëve të artit bashkëkohor ndër shqiptarë, ekspozita bashkon jehonën e krijuesve të shtetit më të ri në Evropë.
Si projekt të Xhafës – bashkëpunëtor i kahershëm i “Continuas” – galeria i ka hapur dyert për krijimet e Luan Bajraktarit, Arianit Beqirit, Burim Berishës, Agron Blakçorit, Jeton Gusisë, Artan Hajrullahut, Blerta Hashanit, Hatixhe Ibrahimit, Lumturie Krasniqit, Mimoza Lizës, Petrit Maliqit, Brilant Milazimit, Valdrin Thaqit, Dardan Zhegrovës dhe Ermir Zhinipotokut. Shumë prej veprave janë të para në ekspozitat brenda Kosovës. Shpalosin prej traditave të kësaj ane e deri te pyetjet e rrafsheve ekzistenciale të ditëve të sotme.
Sipas njoftimit të galerisë “Continua”, ekspozita mbledh së bashku 15 artistë të cilët po formësojnë skenën e artit bashkëkohor të Kosovës. Aty bëhet e ditur se ekspozita pasqyron edhe përkushtimin e vazhdueshëm të Sislej Xhafës për promovimin e artit të atdheut të tij si një angazhim që ai e ka ndjekur në mënyrë aktive nëpërmjet institutit të artit bashkëkohor “Arkiv”, themeluar më 2018 në Pejë.
“Artistët e paraqitur në ekspozitë ofrojnë një pasqyrim bindës të Kosovës duke lidhur brezin pionier të Sislej Xhafës me brezat e rinj. Ndërsa zërat e tyre dhe kontekstet socio-historike janë të dallueshme, kanë një konvergjencë të suksesshme për dialog, veçanërisht në kryqëzimin ndërkombëtar dhe vendor...”, shkruhet në njoftim. Aty bëhet e ditur se veprat e tyre rezonojnë me përvojat e rinisë në Kosovë, duke reflektuar sfidat edhe dinamikën bashkë me përpjekjet për të formësuar të ardhmen e kombit artistikisht dhe politikisht.
“Ekspozita ngjall kështu lidhjen delikate, por të fuqishme që i bashkon këta artistë gjithashtu duke aluduar në izolimin e Kosovës brenda kontekstit evropian”, shkruhet në njoftim.
Kuratori i ekspozitës, Sislej Xhafa, ka thënë se ky prezantim i artistëve nga Kosova në Paris nuk është thjesht një ekspozitë, “por një deklaratë e fuqishme për artin që del nga kufijtë e një vendi të vogël për të marrë pjesë në bisedën globale”. Sipas tij, Kosova ka kaluar përmes sfidave historike dhe transformimeve të mëdha, dhe pikërisht kjo përvojë e bën artin e saj të fuqishëm dhe të papërsëritshëm.

“Kjo ekspozitë nuk synon të kërkojë vëmendje, por ta imponojë atë, duke treguar se arti nga Kosova është një forcë që s’mund të anashkalohet”, ka thënë Xhafa për KOHËN. Sipas tij, artistët e përzgjedhur përfaqësojnë jo vetëm më të mirën e krijimtarisë kosovare, por edhe thellësinë dhe guximin për të sfiduar normat. “Çdo vepër në këtë ekspozitë nuk është një detaj dekorativ, por një akt i qartë i qëndrimit dhe identitetit. Integriteti i tyre artistik dhe mesazhet që përçojnë janë dëshmi e asaj se arti i vërtetë nuk njeh kompromis. Ky kolektiv përfaqëson një zë të ri dhe të freskët, por edhe një traditë të rrënjosur në përvoja të thella njerëzore”, ka thënë ai.
Sipas Xhafës, ekspozita është një thirrje për të reflektuar mbi identitetin, përkatësinë dhe transformimin. Ka thënë se këta artistë nuk kërkojnë të shpjegohen apo të justifikohen, ata flasin përmes artit të tyre dhe çdo vepër është një akt komunikimi që tejkalon barrierat e gjuhës dhe të kulturës. “Kjo nuk është vetëm një ekspozitë nga Kosova. Është një ftesë për të parë botën nga një perspektivë e re dhe e guximshme. Me këtë projekt Kosova afirmohet si një qendër e artit bashkëkohor dhe artistët e saj provojnë se arti nuk është thjesht një gjuhë universale, ai është një mjet i fuqishëm për të ndikuar dhe transformuar mënyrën se si e kuptojmë njerëzimin. Kjo është fuqi, ky është art”, ka thënë Xhafa.
Duke besuar në fuqinë transformuese të artit, krijuesi Burim Berisha midis veprave ka edhe ciklin “Ushtari i panjohur”. Në Paris, në ekspozitën e hapur në ditën e 24-t të këtij muaji, e cila do të qëndrojë atje deri më 19 mars, ka dërguar dy skulptura të këtij cikli.
“Ushtari i panjohur” në konceptin e Berishës sjell kontributin e heronjve të panjohur e po ashtu edhe keqpërdorimin e emrit të heronjve në situata të ndryshme politike.
“Mundohem pak ta vë në pah rëndësinë e skulpturës monumentale, duke i krijuar disa figura imagjinare ‘heronj personalë’ për shfrytëzim personal. Në këtë mënyrë jam munduar ta ngre vëmendjen edhe rëndësinë për moskeqpërdorimin e figurave heroike”, ka thënë ai. Në konceptin e tij, ky cikël është një koment i komodifikimit të historisë, ku figurat me rëndësi dalin në sipërfaqe vetëm në kohë nevoje dhe më pas hidhen pasi të jetë nxjerrë vlera e tyre.
Kurse Luan Bajraktari, i cili jeton në Vjenë, është paraqitur me një kuletë prej bronzi e nja pesë rripa suxhuk duke u tharë në formën tradicionale.
Vepra titullohet “Taste accident”. Suxhuku është i bronztë e druri ku është varur vjen nga shtëpia e tij familjare dhe është përdorur 20 vjet pikërisht për këtë funksion – tharjen e mishit e suxhukut.
“Duke marrë frymëzim nga forma të rrënjosura thellë në hapësirën e tij personale dhe fëmijërinë, Luan Bajraktari i riimagjinon ato përmes materialeve të ndryshme, duke kërkuar të zbulojë rëndësinë e tyre më të thellë”, shkruhet në konceptin mbi veprën. Në ekspozitë vepra paraqitet me ato që shihen si objekte që dikur ishin të mbushura me lidhje emocionale nëpërmjet kujtesës, përdorimit ose trashëgimisë dhe tash tejkalojnë rolet e tyre funksionale për të banuar në një hapësirë të re konceptuale.
“Vepra fton për reflektim, duke inkurajuar një ndërgjegjësim të shtuar për rrethinën e dikujt dhe shtresat e kuptimit brenda formave të njohura”, shkruhet në konceptin për veprën ku trashëgimia e identiteti kryqëzohen. Kryqëzime të tilla ka shumë në ekspozitën e 15-shes në Parisin që kryqëzon me të madhe art të kulturave të ndryshme. E tash për dy muaj në këtë udhëkryq botëror çojnë krye edhe disa vepra të të rinjve kosovarë. Sepse, siç thotë Sislej Xhafa, “kjo është fuqi, ky është art”.