Leipzigu për katër ditë është kryeqendra botërore e librit, motoja është kuptimplote “Fjalët që lëvizin botët”, e një misioni si ky i është bashkuar edhe Kosova. Biblioteka Kombëtare e Kosovës, është “titullari” i përfaqësimit të shndërruar në traditë në ngjarjen që e ka zanafillën në vitin 1632. Të premten vendi ka debutuar me ngjarjen “Letërsia nga Kosova”. ”Stenda e Kosovës pati një interes të veçantë, veçanërisht nga lexuesit librit që dëshironin të njiheshin më nga afër me letërsinë dhe kulturën shqiptare”, ka thënë drejtoresha e BKK-së, Blerina Rogova-Gaxha
“Fjalët që lëvizin botët” është motoja e edicionit të sivjetmë të Panairit të Librit në Leipzig, e aty dëgjohet edhe fjala e Kosovës. Shtandi tashmë është hapur, të premten në ditën e dytë vendi ka debutuar edhe me ngjarjet që organizon atje, e prania konsiderohet jo vetëm si prezantim i botimeve, por edhe diplomaci kulturore dhe jo vetëm.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës, është “titullari” i përfaqësimit të shndërruar në traditë. Ishte viti 2019, kur vendi u përfaqësua për herë të parë në këtë Panair, i dyti në Gjermani pas atij të Frankfurtit, e që daton qysh prej vitit 1632.
“Letërsia nga Kosova” me autorin Qerim Ondozi dhe botuesen Feride Berisha, me përkthim nga Zuzana Finger, ka qenë prezantimi i parë në Panair, të premten.
Si skenë letrare në tranzicion, njashtu sikurse Kosova, e ka përshkruar Ondozi letërsinë vendore. Ka thënë se autorët janë në një proces eksperimentimi.
“Nëse e marrim Kosovën nëpër çfarë ka kaluar, skena letrare do të duhej të ishte shumë më e gjallë, shumë më e pranishme dhe shumë më e përkthyer në qoftë se e krahasojmë me skenën letrare të rajonit, duke mos i ikur asnjëherë kontekstit të ngjashëm që e ndajmë me rajonin, kemi më shumë punë me promovimin e letërsisë së Kosovës. Nuk konsideroj se mungon krijimtaria, por konsideroj se ka nevojë të madhe për promovim më të madh dhe nxitje për të krijuar më shumë”, ka thënë ai në diskutimin i cili është lansuar në një video nga BKK-ja. Sipas tij, botuesit e mëdhenj të Kosovës dhe të Shqipërisë duhet të jenë të interesuar t’i botojnë autorët e Kosovës.
“Ky është hap i parë, e kam fjalën për botuesit që vërtet kanë depërtim të madh, së pari në tregun shqipfolës. Hapi i radhës do të ishte, për fat të keq shoh që shkrimtarët e talentuar nuk po zgjojnë interesim të shtëpive të mëdha botuese, sepse interesi i tyre parësor është interesi komercial”, ka thënë ai.
Botuesja Ferida Berisha ka thënë se letërsia e Kosovës veçohet nga autorë shumë të rinj me tema interesante.
“Kanë qenë shoqëria, dashuria, tema të luftës masakra, duke kaluar edhe në tema të tjera si pozita e gruas, emancipimi e të tjera. Këto kanë qenë temat që janë shtjelluar në letërsinë e Kosovës”, ka thënë ajo. Autori shqiptar nga Kosova sipas saj, është pak i ngurtë dhe ka arsye për këtë. “Sepse mungojnë përkthimet, mungojnë strukturat që do ta mundësonin këtë udhëtim jashtë, por ka edhe shembuj pozitivë. Është Jeton Neziraj që ka arritur të depërtojë, ka marrë shumë çmime dhe është marrë me tema shumë të ndjeshme. Është një art modernist me të cilin edhe sulmon fashizmin, homofobinë”, ka thënë Berisha, duke shtuar se ka mundësi të depërtohet, por mungojnë mekanizmat, përkthyesi e më pas edhe botuesi.
“Letërsia nga Kosova” u ka hapur rrugë edhe tri ngjarjeve të tjera krahas shpalosjes së më shumë se 100 titujve, katalogëve e materialeve të tjera promovuese nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës, pjesëmarrja e së cilës realizohet në bashkëpunim me rrjetin letrar “Traduki”. “Leipzig Liest” quhet programi ku prezantohen në kuadër të ngjarjes e cila Leipzigun e shndërron kryeqendër të librit.
“Hapja e Panairit të Librit në Leipzig u prit me entuziazëm dhe atmosferë dinamike, duke tërhequr një numër të madh vizitorësh, mes tyre shkrimtarë, botues, studiues dhe dashamirës të librit”, ka thënë nga Lepzigu drejtoresha e BKK-së, Blerina Rogova-Gaxha në një deklaratë për KOHËN.
BKK-ja, siç kishte paralajmëruar, prezanton letërsinë e autorëve të shquar kosovarë, duke promovuar kulturën dhe krijimtarinë letrare nga Kosova në një skenë ndërkombëtare.
“Kjo letërsi, me historinë dhe diversitetin e saj të pasur, vazhdon të dëshmojë fuqinë e fjalës si një mjet identiteti, kulture dhe fryme krijuese”, kishte paralajmëruar BKK-ja kur ishte në vlugun e përgatitjeve për pjesëmarrje në Panairin i cili ka rreth 200 mijë vizitorë në vit, dy mijë e 500 ekspozues nga më shumë se 40 vende, mbi 3 mijë e 600 ngjarje në 550 skena.
BKK-ja qysh në fund të vitit të kaluar nëpërmjet thirrjes publike ishte në kërkim të katër, pesë individëve a autorëve që do ta përfaqësonin vendin në ketë ngjarje. Në shkurt ishte përcaktuar për shkrimtarin Ag Apolloni e përkthyesin Qerim Ondozi.
Shtandi D408 në sallën numër katër të Panairit, është ai i Kosovës. Rrethohet nga Shqipëria që prezantohet nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe Maqedonia e Veriut, e përfaqësuar nga Biblioteka Kombëtare dhe Universitare. Në ekspozitën madhore të librit nga të katër anët e botës, tërheqja e vëmendjes nuk është punë e lehtë.
”Stenda e Kosovës pati një interes të veçantë, veçanërisht nga lexuesit librit që dëshironin të njiheshin më nga afër me letërsinë dhe kulturën shqiptare”, ka thënë Rogova-Gaxha. Ka theksuar se në ditën e parë të Panairit, i pranishëm ishte edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, z. Faruk Ajeti, i cili sipas saj, “shprehu mbështetjen e tij për përfaqësimin e Kosovës në këtë ngjarje të rëndësishme letrare”.
Ambasadori Ajeti e ka rikonfirmuar këtë edhe nëpërmjet një afishimi në profilin e tij në Facebook.
“Republika jonë është sërish pjesë e Panairit të Librit në Leipzig, duke dëshmuar angazhimin tonë në diplomacinë kulturore dhe promovimin e autorëve dhe veprave letrare nga Kosova. Së bashku me Blerina Rogova-Gaxhën drejtoreshën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ‘Pjetër Bogdani’, patëm kënaqësinë të takojmë miq e përfaqësues nga shtete të ndryshme evropiane, duke theksuar rëndësinë e letërsisë dhe kulturës sonë në skenën ndërkombëtare”, ka shkruar ai. E ka vlerësuar jo vetëm pjesëmarrjen.
“Përkthimi dhe shpërndarja e veprave të autorëve tanë në gjuhë të huaja po rritet gjithnjë e më shumë, duke hapur horizonte të reja për letërsinë e Kosovës”, ka shkruar ai.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës, krahas veprave, ka përgatitur materiale të tjera promovuese për stendën e Kosovës, duke përfshirë “Katalogun e autorëve shqiptarë nga Kosova” që paraqet një përzgjedhje të autorëve shqiptarë nga Kosova, të cilët përfaqësojnë breza dhe gjini të ndryshme letrare, nga poezia dhe proza te studimet letrare dhe dramaturgjia. Po ashtu edhe broshurën me titujt e ekspozuar që paraqet një përzgjedhje të autorëve shqiptarë nga Kosova, të cilët përfaqësojnë breza të ndryshëm shkrimtarësh dhe zhanre të larmishme letrare, nga poezia dhe proza deri te studimet letrare dhe drama.
Por e veçantë është prania e vetë personaliteteve të letrave.
“Prania e autorëve nga Kosova në këtë Panair ofron një hapësirë të vyer për shkëmbime profesionale dhe promovimin e letërsisë sonë në skenën ndërkombëtare”, ka thënë Blerina Rogova-Gaxha.
Ag Apolloni është “personazhi” i së shtunës në përfaqësimin e Kosovës në Panair. Është panelist në diskutimin “Kujtesa individuale dhe kolektive” sikurse edhe në përurimin e romanit të tij “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur” përkthyer në anglisht me titullin “Red Riding-Hood, a fairy-tale for grown-ups”. Në Panair lexuesit të huaj i prezantohet edhe “Një fije shprese, një fije shkrepëse” (“Glimmer of Hope, Glimmer of Flame”) i përkthyer po ashtu nga Robert Wilton. I pari qe botuar në anglisht para dy vjetësh, ndërsa i dyti doli nga shtypi së fundmi.
Po të shtunën, seria e ngjarjeve të Kosovës hapet me panelin e diskutimit “Gjuha, Migrimi dhe Letërsia në Kosovë” më 29 mars nga ora 11:00, me autoret Blerina Rogova Gaxha dhe Jehona Kicaj, me përkthim nga Zuzanna Finger.
Ag Apolloni tashmë ka arritur në Leipzig. Sipas tij, Kosova po u bën konkurrencë vendeve të tjera.
“Sivjet kemi një prezantim të shkëlqyeshëm të letërsisë së Kosovës në Panairin e Librit në Lajpcig. Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat që shteti ynë të ketë paraqitje të barabartë edhe me shtete që kanë traditë dhe përvojë shumë më të gjatë në pjesëmarrje”, ka thënë Apolloni në një deklaratë për KOHËN.
Sipas tij, Kosova po prezantohet me tituj në shumë gjuhë dhe po bën një promovim të bukur të autorëve kosovarë, nëpërmjet katalogëve, fletushkave, programeve, sjelljes së mysafirëve të famshëm e të rëndësishëm te stenda e saj. “Është kënaqësi pjesëmarrja në këtë panair me njerëz kaq të mirë e kaq punëtorë nga Kosova”, ka thënë ai.
Sivjet Norvegjia është mysafir nderi i Panairit të Librit në Leipzig. “Spring Dreams” është slogani që ka përzgjedhur ky shtet e që vjen si simbolikë e fillimeve të reja. Organizatorët kanë paralajmëruar se Panairi do t’i rreket edhe inteligjencës artificiale dhe debatit për të.