Kulturë

Kosova e themelon Operën me mungesë kuadri e ndërtese për shfaqje

Pozitë e opozitë me shumicë votash të hënën kanë votuar propozim-vendimin për themelimin e institucionit të Operës së Kosovës. Duke e vlerësuar si kthim të dinjitetit për artistët dhe artdashësit në vend, kryeministri Albin Kurti e ka përmendur 2022-n si vitin kur Opera do të hapë dyert e saj për performanca e shfaqje. Por, njohës të problematikës në vend kanë rezerva serioze nëse institucioni i sapothemeluar do të fillojë funksionimin

Kërkesa e kamotshme e komunitetit artistik në vend ka hedhur një hap më tej drejt realizimit. Kuvendi i Kosovës i ka dhënë dritën jeshile propozim-vendimit të Qeverisë për themelimin e Operës së Kosovës si institucion i shërbimit të pavarur. Me 75 vota për dhe pa asnjë kundër apo abstenim, deputetët kanë hapur rrugën për krijimin e institucionit, të cilin vetëm Kosova nuk e ka pasur nga të gjitha vendet në rajon.

Në seancën e së hënës në Kuvend, teksa ka paraqitur këtë propozim-vendim, kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar se themelimi i Operës shtyn përpara planin e Qeverisë për të mbështetur artistët në vend.

“Sot kemi këngëtarë e artistë nga Kosova që shfaqen në skena operistike botërore, por që në vend nuk kemi pasur ku t’i dëgjojmë”, ka thënë Kurti.

Duke e konsideruar 2022-n si vit kur Opera do të hapë dyert për shfaqje, ai ka thënë se artistëve e artdashësve në vend do t’u krijohet edhe infrastruktura e nevojshme.

Duke folur për lokacionin e objektit të Operës, Kurti ka thënë se kjo çështje do të marrë kohë “deri sa të zgjidhet një objekt që e pasuron Prishtinën në planin urban e atë arkitekturor”.

“Por deri në finalizimin e objektit të ri, ne do të përzgjedhim një objekt ekzistues dhe do ta sistemojmë aty institucionin dhe trupën artistike, në mënyrë që pa vonesë artistët të fillojnë shfaqjet e të kemi mundësi edhe ne si publik t’i shijojmë ato”, ka shtuar Kurti.

Megjithatë, përpjekja e parë për të miratuar këtë propozim-vendim ka dështuar, për shkak se në sallë kanë qenë të pranishëm vetëm 63 deputetë.

Në vazhdimin e seancës, të mbajtur në orët e pasdites, 75 deputetë kanë votuar propozim-vendimin që Kosovën e ka bërë për herë të parë me institucionin e Operës.

MKRS: “Një ëndërr…”

Fill pas kësaj, Ministria e Kulturës ka vlerësuar se themelimi i këtij institucioni është fryt i përpjekjeve të komunitetit artistik në vend dhe kontributit të kompozitorëve, instrumentistëve, solo-këngëtarëve, dirigjentëve e personaliteteve të tjera.

“Kosova është vendi i fundit në Evropë që krijon një strukturë të tillë. Me një aktivitet të bujshëm koncertal duke përfshirë premiera koncertale dhe kompozime të Operës nga vitet ‘50, profilet e Operës kanë vazhduar të zhvillohen pandërprerë”, është thënë në kumtesën e lëshuar nga Ministria. “Ky institucion, që ka munguar gjithë këto vite, ka qenë një ëndërr dhe një kërkesë e muzikantëve e artdashësve të cilët prej vitesh janë detyruar të ndjekin mënyra alternative për të shfaqur artin e tyre operistik në skena tjera, nëmungesë të institucionit të Operës”.

Gjithnjë sipas kumtesës, Ministria e Kulturës ka theksuar se ekosistemi kulturor tashmë ka burime njerëzore të mjaftueshme për të përmbushur “kapacitetet e nevojshme për një institucion të tillë, me një plejadë të madhe të instrumentistëve të rinj të të gjitha profileve dhe solo-këngëtarëve, ku së bashku ata përbëjnë një masë të madhe artistësh të gatshëm për të kontribuuar në këtë strukturë”

“Opera është një nga strukturat më të larta të veprimtarisë artistike ndërdisiplinore, dhe si e tillë, është një nga masat më të rëndësishme për zhvillimin e kulturës së një vendi”, përfundon kumtesa e Ministrisë së Kulturës.

“Të funksionalizohet sa më shpejt”

Ndërkohë, komuniteti artistik në vend e ka përshëndetur krijimin e Operës, duke e cilësuar si lajm të mirë për skenën muzikore në vend. Besa Luzha, profesoreshë e muzikës në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, ka kërkuar që ky institucion të funksionalizohet sa më shpejt.

“Mësimet dhe përvoja nga puna e Filarmonisë së Kosovës janë të rëndësishme, në fazën e themelimit, e sidomos planifikimi me kohë dhe në mënyrë të mirëfilltë për objektin, infrastrukturën e nevojshme për funksionalizimin e këtij institucioni”, ka thënë ajo nëpërmjet një shkrimi të afishuar në “Facebook”.

Jashari: Ka mungesë resursesh profesioniste

Por, themelimi i institucionit të Operës së Kosovës nuk po vlerësohet në mënyrë aq optimiste nga artistë e njohës të problematikës.

Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari ka ngritur pikëpyetje se si ky institucion do të plotësohet me kuadër profesionist. Në një prononcim për KOHËN, ai ka thënë se votimi në Kuvendin e Kosovës ngre një problematikë të dyfishtë: resurset njerëzore dhe mungesa e objektit për Operë.

“Ne mendojmë se kemi resurse të mjaftueshme, por në fakt ka pozicione që fare nuk kultivohen në Kosovë”, ka thënë Jashari.

Ai ka sjellë shembullin e institucionit që e drejton, për të cilin ka thënë se edhe njëzet vjet pas themelimit nuk është i kompletuar. Sipas tij, Filarmonia ka nevojë edhe për 60 vende të punës për t’u kompletuar tamam.

“Natyrisht që nisma për Operën është për t’u përshëndetur, por kam dilema nëse do të mund të fillojë pa kuadrin e duhur”, ka theksuar Jashari.

“Të mobilizohet komuniteti artistik”

Ndërsa ka kërkuar nga Qeveria që të sjellë një dinamikë të përshpejtuar të zgjidhjes së këtyre problemeve, ai ka thënë se Opera duhet t’i ketë në përbërje të saj tri njësi: orkestrën simfonike, korin dhe baletin.

“Për mua po kaq çështje delikate është edhe ajo e trupës së baletit që ekziston si institucion i pavarur”.

Me këtë rast, ai ka përkujtuar se Filarmonia e Kosovës deri më tani është detyruar të huazojë vazhdimisht performues të oboas ashtu sikurse edhe të “corno inglese” (briri anglez).

“Pa këto dy instrumente as nuk mund të imagjinohet themelimi i çfarëdo opera”, ka thënë Jashari, por ka shfaqur shpresën që kjo mund të shërbejë si nxitje për Fakultetin e Arteve që të hapë drejtime për të krijuar kuadro të tilla.

Drejtori i Filarmonisë së Kosovës tutje është shprehur skeptik për paralajmërimin e kryeministrit Kurti që të fillohet me shfaqje prej vitit të ardhshëm.

“Sidoqoftë, le të jemi optimistë për këtë fillim të vështirë, ndaj edhe komuniteti artistik duhet të mobilizohet, sepse asgjë nuk krijohet me shkop magjik”, ka thënë mes të tjerash Jashari.

Një histori pa epilog

Ndryshe, në korrik të këtij viti, Ministria e Kulturës kishte proceduar me propozim-vendimin me anë të të cilit i kërkohej Kuvendit themelimi i Operës së Kosovës si institucion i shërbimit publik. E gjithë kjo ndërmarrje ishte arsyetuar me Ligjin për Filharmoninë, Operën dhe Baletin e Kosovës, përkatësisht me nenin 5, pikën 5.2, i cili i jep Kuvendit këtë të drejtë, sipas të cilit, “Kuvendi i Kosovës themelon filarmoninë, operën dhe baletin si institucione publike të Kosovës”.

Asokohe, zëvendësministrja e Kulturës, Daulina Osmani, kishte bërë me dije se themelimi i këtij institucioni nuk ka kurrfarë ndikimi financiar këtë vit, pasi që “funksionalizimi parashihet të bëhet vetëm në vitin e ardhshëm, me ç’rast janë paraparë edhe planifikimet buxhetore të Ministrisë”.

Ndërkohë, çështja e lokacionit të Teatrit të Operës dhe Baletit ka mbetur në vendnumëro në përplasjet mes Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Kulturës.

Komuna e Prishtinës është zmbrapsur të paktën për një kohë të shkurtër nga lënia pa lokacionin e teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. Këtë e kishte bërë në fillim të këtij viti Kuvendi Komunal duke shtyrë propozimin e ekzekutivit që do t’i hapte rrugë ndërtimit të një kampusi të ri universitar në hapësirën afër Fakultetit Teknik. Ministria e Kulturës është në procesin e rivlerësimit të projekteve për Teatër të Operës dhe Baletit, por Komuna ka të tjera synime pikërisht për atë zonë. Nëse i ndryshohet destinimi, Ministria e Kulturës tërthorazi ka paralajmëruar padi për Komunën.

Qysh prej nëntorit të vitit 2019, Komuna ka vepruar në drejtim të kundërt me MKRS-në. Por, as institucioni më i lartë kulturor në vend nuk ka bërë ndonjë hap konkret për ta çuar përpara projektin më të madh kapital në infrastrukturën kulturore. Kësisoj, ka ngelur që MKRS-ja dhe Komuna e Prishtinës të gjejnë një zgjidhje sa u përket projekteve të tyre.

I pari projekt i hartuar afro 15 vjet më parë, i nënshkruar nga arkitekti gjerman, Kai Auffermann, ishte shpallur i pavlefshëm në korrik të vitit 2012, kur Ministria e Kulturës udhëhiqej nga Memli Krasniqi. Nga ajo kohë e deri më sot, nuk është bërë kurrfarë shpjegimi se si kanë shkuar 1 milion e 12 mijë euro, kosto që përfshinte hartimin e projektit në vitin 2009 dhe nisjen e fazës së parë të punimeve. Me arsyetimin se paraqiste rrezik për qytetarët, në vjeshtën e vitit 2018, autoritetet komunale e mbyllën gropën e themeleve. Me arsyetimin se paraqiste rrezik për qytetarët, në vjeshtën e vitit 2018, autoritetet komunale e mbyllën gropën e themeleve të Teatrit të Operës dhe Baletit, që ishte hapur në dhjetor të vitit 2009.