Njëzet fotografi të dyshes Hazir Reka e Arben Llapashtica, janë bashkuar në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Frankfurt am Main, në ekspozitën që nuk e ka vetëm peshën e dokumentimit e të shpalosjes së momenteve të caktuara, por edhe të krijimit të një rrëfimi për Kosovën midis tmerreve të luftës dhe shpresës e bukurisë pas çlirimit
Fotografitë e dy maestrove si Hazir Reka e Arben Llapashtica, krijojnë kontraste të thekshme të historisë së Kosovës. Në kontrast janë edhe ndjenjat të cilave u japin hov, e në një ecje në një ambient jo fort të gjerë, shikuesi katapultohet midis tmerreve të luftës dhe shpresës e lirisë. Kjo është fuqia e imazhit të tyre. Njëzet fotografi të dyshes Reka e Llapashtica janë bashkuar në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Frankfurt am Main, në ekspozitën që nuk ka vetëm peshën e dokumentimit e të shpalosjes së momenteve të caktuara, por edhe të krijimit të një rrëfimi fotografik, pikërisht në çerekshekullin e çlirimit të Kosovës. Përshkruar më së thjeshti – prej asaj që shihet nga fotografitë prej vernisazhit të ekspozitës të enjten mbrëma – aty përplasen imazhet e tmerrit të luftës dhe ato të shpresës së pasluftës. Janë njëzet fotografi e shumëfish rrëfime. Të luftës dhe të paqes.
Edhe vendosja e tyre është e efektshme: fotografinë e Rekës e pason ajo e Llapashticës. I pari nis me imazhe të vitit 1988 e deri në kujtesën e periudhës së viteve të 90-ta, te zallamahia në fund të atyre viteve kur si fotoreporter për Agjencinë botërore të lajmeve, “Reuters” do t’ia dëshmonte botës tmerret ndaj shqiptarëve. Ndërkaq fotografitë e Llapashticës dokumentojnë shpresën dhe paqen pas pavarësisë e deri në ditët e sotme.

Renditja zbërthen filozofinë kuratoriale të vetë ekspozitës. Ajo fton që të ndiqet linja e mendimit se njohja e të kaluarës është thelbësore, e shikimi i të tashmes një ftesë për reflektime të thella. Mbi të gjitha si event modest për të shënuar këtë ditë të vlefshme bëri bashkë shumë pjesëtarë nga diaspora shqiptare, të rinj të huaj, artistë e përfaqësues të institucioneve.
Hapja e ekspozitës u bë nga konsulli gjeneral i Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Frankfurt am Main, Gëzim Gashi. Për të perspektivat origjinale të dy fotografëve paraqesin qartazi historinë e Kosovës.
“Atë të paraluftës dhe gjatë luftës e paraqet z. Hazir Reka, me fotografitë e të cilit janë shfaqur nga mediat më prestigjioze botërore. Ai në mënyrë mjeshtërore nxjerr në pah dhunën dhe terrorin okupues serb në Kosovë gjatë viteve të 90-ta e cila kulmoi me gjenocid dhe pastrim etnik gjatë viteve ‘98-‘99. Po ashtu, një perspektivë tjetër na e sjell z. Arben Llapashtica, përmes imazheve të bukura të bukurive natyrore të Republikës së Kosovës. Dihet botërisht proverbi, ‘një foto vlen me shumë se 1000 fjalë’ , prandaj unë nuk do të komentoj më shumë për shkak se fotografitë flasin vetë”, citohet të ketë thënë Gashi në hapje të ekspozitës.

Dikotomia shprehëse mes imazheve që evokojnë ngjarjet e pasluftës, si përjetimi i lirisë, trashëgimia natyrore dhe kulturore me ato të kohëve të vështira të luftës janë pasqyrë e një rëndësie historiografike.
Një urim për këtë përvjetor e bëri dhe vetë Hazir Reka i pranishëm në ekspozitë.
“Konsulli Gëzim Gashi e përmendi se një fotografi është sa një mijë fjalë e ne kemi sjellë shumë fjalë. Falë këtyre fotografive që kemi sjellë, e kemi edhe shtetin tonë sot, sepse fotografitë kanë pasur ndikimin e tyre”, ka thënë Reka, duke shprehur gatishmërinë e tij që të pranishmeve të interesuar t’u flasë për secilën foto veç e veç, të ndajë historitë e tyre me ta.
Për Arben Llapashticën, veçantia e pjesëmarrjes në këtë ekspozitë tejkalon motivin e parë të shënimit të ditës së 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

“Ndihem i nderuar që kemi sjellë një copëz Kosove në Frankfurt, ndihem po ashtu i nderuar që fotot e mia janë përkrah me maestron Reka. Vazhdoj ta promovoj imazhin e Kosovës përmes fotove dhe videove”, ka thënë Llapashtica.
Ekspozita me fotografitë e Rekës e Llapashticës do të qëndrojë e hapur për një muaj, deri më 20 korrik në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Frankfurt am Main.