Përderisa vendet e rajonit tashmë kanë shpallur kandidatët e vet për “Oscar” në atë që njihet si kategoria ndërkombëtare, Qendra Kinematografike e Kosovës për të dytin vit nuk ka film. Vjet s’e nxori kandidatin, sivjet as që hapi thirrje. Për më tepër, tash e më shumë se dy javë zyrtarë të QKK-së heshtin. Për herë të parë, Kosova debutoi me kandidat në vitin 2014. Në anën tjetër, nëse ia del Serbia, Kosova do të përmendet në “Academy Awards” me filmin propagandistik “Konsulli rus”, një rrëfim për “Kosovën Serbi” e me aktorë shqiptarë
Qendrës Kinematografike të Kosovës i ka humbur ritmi. Një hap prapa e ka bërë vjet përderisa tek në fund të vitit mezi ia doli ta hapë konkursin për subvencionimin e projekteve kinematografike, dukë bërë që procesi të marrë epilog sivjet. Vitin e kaluar ka pasur edhe një tjetër hap prapa duke mos pasur kandidat për nominim për “Oscar”. E këtë vit lërë më që s’ka kandidat por as që ka hapur konkurs.
Mundësia është humbur pasi koha e shpalljes së kandidatëve ka qenë deri më 2 tetor. E në shtator është mbajtur një konferencë për media e stilit “sa për sy e faqe”, për të thënë se Shqipëria ka kandiduar një film ku Kosova është bashkëproducente.
Institucioni më i lartë i kinematografisë nuk ka hapur fare konkurs nëpërmjet të cilit shtëpitë filmike do të propozonin filmat e tyre para komitetit selektues të “Oscar”. Ritmi i mbajtur për 9 vjet, në dy vjetët e fundit ka humbur krejtësisht. QKK-ja u është ofruar festivaleve vendore duke e rritur bashkëpunimin me to, në kohën kur Ministria e Kulturës ka rritur edhe buxhetin për këto organizata. Sa i përket dështimit të sivjetmë me kandidatin për nominim për çmimin prestigjioz “Oscar” në QKK nuk kanë dhënë kurrfarë përgjigje. KOHA i është drejtuar drejtoreshës Blerta Zeqiri. Ajo ka rekomanduar që pyetjet t’i adresohen zyrtarit Lum Çitaku. Por Çitaku nuk është përgjigjur fare për dy javë. KOHA ka insistuar prapë te drejtoresha Zeqiri, por edhe ajo ka rizgjedhur heshtjen.
Më 20 shtator ky institucion kishte organizuar konferencë për media pasi filmi “Pikë uji” nën regji të Robert Budinës, që në ekip ka edhe Gresa Pallaskën në rolin kryesor, tok me Arben Bajraktarajn, si dhe Doruntina Bashën si bashkëskenariste, është kandidati i Shqipërisë për nominim për çmimin “Oscar”. Bashkëproducent është edhe Luan Kryeziu e QKK-ja në këtë rast është koproduksion minor. Në atë konferencë drejtoresha Blerta Zeqiri kishte thënë se Qendra Kinematografike e Kosovës ka pothuajse 10 vjet që mbështet filma për bashkëprodhime minore.
“Por ne bashkëpunimin kryesor të themi e kemi me filmat që bëhen në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe në rajon. Është një bashkëpunim i natyrshëm që ndodh na bënë bashkë tema dhe gjuha. Filmi është financuar vitin e kaluar dhe është kryer në kohë rekord sepse ka ardhur dhe ka kërkuar edhe ndoshta fondin e fundit të cilat janë kërkuar kanë qenë nga Qendra jonë. Kjo na gëzon që kemi përfaqësim, në rolin kryesor e kemi aktoren tonë Gresa Pallaska”, kishte thënë ajo.
KOHA midis tjerash, e ka pyetur bashkëproducentin Luan Kryeziu nëse “Pikë uji” konsiderohet edhe si bashkëkandidat midis Kosovës e Shqipërisë.
“Filmi është kandidat i Shqipërisë, por një pjesë e mirë e stafit janë nga Kosova. Normal Kosova mund ta përkrahë këtë rrugëtim të filmit”, ka thënë ai.
Regjisori Besim Ugzmajli ka thënë se meqenëse është viti i dytë që Kosova nuk propozon film për “Oscar”, është vështirë të komentohet nëse kjo është e drejtë apo jo.
“Nga njëra anë, propozimi i filmit për ‘Oscar’ i ndihmon në njëfarë forme zhvillimit dhe promovimit të kinematografisë kosovare dhe filmit në përgjithësi, mirëpo nga ana tjetër propozimi apo aplikimi për ‘Oscar’ me filma që nuk kanë krijuar predispozita relevante me të cilat potencialisht kishin me u nominu për ‘Oscar’, është telashe e veçantë”, ka thënë ai. Ka konstatuar se këto dy vjet, sipas tij, fatkeqësisht Kosova nuk ka pasur filma me rezultate kulminante, të cilat janë njëfarë lloj parahyrjeje dhe krijimi i mundësive që këta filma të nominohen për “Oscar”.
“Do të thotë humbim sa i përket promovimit të filmit dhe filmbërësve të Kosovës, mirëpo nga ana tjetër edhe shpenzimet për promovimin e një filmi i cili thuajse nuk ka gjasa të nominohet për ‘Oscar’, për shkak se nuk ka krijuar rezultate paraprake, është problem në vete”, ka thënë Ugzmajli. Sipas tij, kjo çështje duhet të jetë pjesë e një debati të hapur në Kosovë, midis producentëve dhe filmbërësve në përgjithësi dhe të krijohet një ide e përbashkët se si duhet të vazhdohet viteve të ardhshme.
Qendra Kinematografike e Kosovës vjet kishte hapur konkurs për propozime për kandidat për “Oscar”. Por në fund të shtatorit kishte njoftuar se nuk do të ketë kandidat. Kishte thënë se për një dekadë të tërë Kosova ka zhvilluar bashkëpunime dhe vazhdon si e tillë të rrisë marrëdhëniet me Akademinë e Çmimeve “Oscars” dhe komunitetin e tij vlerësues. Por, sipas QKK-së, pas trajtimit të aplikimeve të atij viti, anëtarët e Komitetit Selektues kishin vendosur të mos propozojnë film për edicionin e “Oscars 2024”.
“Pas konsiderimit të detajshëm të aplikimeve të këtij viti, Komiteti Selektues ka konstatuar se veprat në konkurrencë dëshmojnë prezencë të talentit vibrant, kërkues e provokativ në ardhje, por që nuk reflektojnë mjaftueshëm standardin e prurjeve të deritanishme në kinematografi. Si rezultat i kësaj, krahas sukseseve të vazhdueshme të filmave, Komiteti ka vendosur unanimisht që në edicionin e ‘Oscars 2024’ të mos dërgojë përfaqësues nga Kosova”, shkruhej në arsyetimin e dhënë. Aplikantë kishin qenë “The Land Within”, nën regji të Fisnik Maxville, “The Albanian Virgin”, nën regji të Bujar Alimanit, “I love you more” nga regjisori Erblin Nushi dhe dokumentari “Aktorët e Kanës” nga regjisori Mentor Spahiu.
Ish-drejtori i QKK-së, Arben Zharku, vjet kishte thënë se vendimi i Kosovës për të abstenuar nga paraqitja e ndonjë filmi për kandidim për “Oscars” është një veprim që vë në pikëpyetje shumë aspekte të rëndësishme të industrisë së filmit dhe potencialin e Kosovës për të fituar njohje ndërkombëtare.
“Ky vendim duket se është i nxituar dhe ka pasoja negative të dukshme, gjithashtu ka minuar shpresat e filmbërësve që kërkuan ta përfaqësojnë Kosovën në këtë skenë globale”, kishte thënë Zharku, i cili ka udhëhequr QKK-në për gati dy mandate dhe filmat e mbështetur gjatë asaj kohe kanë qenë më të suksesshmit në historinë e kinematografisë së Kosovës.
Zharku të mërkurën ka thënë se nuk ka çfarë t’i shtojë asaj që kishte thënë vitin e kaluar.
“Mbivlerësimi i dukshëm i Komisionit Seleksionues për gjykimin e tyre është pak shqetësues. Ngurrimi i tyre për ta mbrojtur talentin kinematografik të Kosovës pasqyron një mundësi të humbur për të festuar dhe nxitur rritjen e industrisë së filmit në vend. Ky vendim mund ta ngufasë shprehjen artistike dhe ta kufizojë ndikimin kulturor të Kosovës në skenën botërore”, kishte thënë ai.
Në vitin 2022 “Në kërkim të Venerës”, me skenar dhe regji nga Norika Sefas, ishte filmi me të cilin Kosova synonte çmimin e madh “Oscar” për vitin 2023. Filmi ishte vlerësuar si projekt që përfaqëson autenticitetin, por edhe shumëllojshmërinë tematike që trajton kinemaja kosovare viteve të fundit.
Asokohe Komiteti Selektues i aprovuar nga Akademia e Çmimeve “Oscars” ishte i përbërë nga kineastët nga Kosova: Ismet Sijarina, Blerta Basholli, Samir Karahoda, Visar Morina, Alban Ukaj, Valmira Hyseni dhe Enis Saraçi.
Paraprakisht më 2021 ishte shënuar një sukses i madh. “Zgjoi”, nën regji të Blerta Bashollit, u fut në listë të ngushtë, por që nuk u kurorëzua me nominim. Rrëfimi për të venë Fahrije Hoti dhe betejat e saj për veten dhe gratë e tjera të një prej fshatrave më të goditura gjatë luftës në Kosovë kishte bërë që filmi të bënte bujë.
Më 2020, Kosova për çmimin e madh kandidoi me filmin “Exile” të Visar Morinës. Më 2019 propozoi filmin “Zana”, nën regji të Antoneta Kastratit, më 2018 qe “Martesa”, nën regji të Blerta Zeqirit, “T’padashtun”, nën regji të Edon Rizvanollit më 2017, “Home Sweet Home” të Faton Bajraktarit më 2016, “Babai” i Edon Rizvanollit më 2015 dhe “Tri dritare dhe një varje” i Isa Qosjes më 2014. Filmi i Qosjes qe i pari kandidat që Kosova atë vit fitoi të drejtën e kandidimit. Suksesi i madh i Kosovës deri më tani drejt “Academy Awards” mbetet nominimi për “Oscars 2016” i filmit “Shok” i Jamie Donoghue në kategorinë e filmave të shkurtër.
Ndërkohë “Konsulli rus” do të jetë kandidati i Serbisë për nominim për çmimin “Oscar” në kategorinë e filmit të huaj. E nëpërmjet tij, komisioni që e ka përzgjedhur sheh mundësi “që bota ta njohë anën tjetër të rrëfimit për raportet serbo-shqiptare”. Por në fakt kjo vepër filmike – si shumica e filmave serbë – rrëshqet keqas në propagandë. Në esencë është një film propagandistik, me ëndrrën për Kosovën Serbi e spastrimin e serbëve nga shqiptarët. Aty luajnë edhe Enver Petrovci, Mensur Safqiu nga Kosova e Visar Vishka nga Maqedonia e Veriut.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve prestigjioze do të bëhet në ditën e dytë të marsit në teatrin “Dolby” në Los Angeles.