Koncerti i fundit i “Prishtina Jazz Festival” ka qenë epilogu me koncertin katërpjesësh që ka zbërthyer edhe vazhdimësinë e festivalit – që u rikthye pas gati një dekade – edhe gjendjen e skenës vendore njësoj sikurse potencialin e gjeneratave që mbajnë ritmin e jazz-skenës vendore. I titulluar “Kos Jazz”, koncerti ka nisur me veteranin Sheki Hoxha me shokë, për të vazhduar me emra të shquar të muzikës që sjellin edhe veprat e tyre origjinale, janë bashkuar maestrot Ilir Bajri e Armend Xhaferi e krejt kjo është pasqyra e një skene të konsoliduar që s’i mungon publiku
Katër grupe muzikore që kanë interpretuar në “Prishtina Jazz Festival” kanë qenë një lloj pasqyre e jazz-skenës në Kosovë. Nëse merret parasysh koncerti “Kos Jazz”, që ka qenë i fundit i këtij edicioni ku kanë luajtur “Sheki Hoxha & Friends”, “Visar Kuçi Trio’, “Kejdi Barbullushi Band” dhe Liburn Jupolli, duket e shkëlqyeshme. E tillë ka qenë loja e tyre në teatrin “Oda”. Por mungesa e akademisë së muzikës jazz është ngritur si çështje për të ardhmen e këtij zhanri muzikor në vend.
Jo pak muzikantë flasin me pasion për Festivalin e Jazzit në Prishtinë. Mbështesin dhe vlerësojnë punën e tjetrit. Kanë bashkëpunuar për të sjellë kryevepra botërore e vepra origjinale në kuadër të edicionit të 12-të. Por i shqetëson e ardhmja e zhanrit muzikor në vend. Gjenerata e re e muzikantëve si kitaristi Taulant Mehmeti, që ka ndjekur shkollimin për jazz në New York, kitaristi Kejdi Barbullushi në Berlin e pianisti Ilirian Ahmeti në Vjenë kanë shfaqur shkathtësitë e tyre në teatrin ‘Oda” gjatë ditëve të festivalit.
Të pesë koncertet kanë sjellë imazhin shkëlqyes në pesë ditë, prej 14 deri më 18 nëntor.
Rikthimi te rrënjët me kapitullin e viteve ‘50 e ‘60
Rreth 50 minuta me vonesë ka nisur koncerti i fundit i “Prishtina Jazz Festival”, të hënën mbrëma. Dhjetë minuta më pas publikut i është bashkuar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili nuk e ka përcjellë deri në fund ngjarjen. Koncerti ka zgjatur dy orë, gjysmë ore ka interpretuar secili bend. Ka nisur me “Sheki & Friends”.
Bas-kitaristi veteran Sheki Hoxha me bend kanë sjellë jazz energjik që vjen me dominimin e saksofonit e kur ai pushon në qendër vijnë tingujt improvizues të kitarës. Solo kanë luajtur edhe pianisti e bateristi. Hoxha është kujdesur që loja e secilit instrumentist të vlerësohet nga publiku. Kanë luajtur katër vepra, dy nga to jazz-standard vepra të Duke Ellington e dy të tjera vepra origjinale të Hoxhës – “Prishtina Blues”, si dhe ripërpunimi i “E dehun jam”, siç ka treguar vetë Hoxha.
“Ishin dy vepra origjinale, gjithsej katër kompozime, dy prej tyre standarde të mirënjohura që të gjithë jazzman-ët i njohin. E shfletova edhe albumin tim dhe e interpretova ‘Kosova blues’ që e kam incizuar në vitin 1999 dhe deri më atëherë nuk ka pasur album jazz shqiptar. Unë ia kushtova Kosovës pasi Kosova ishte e vuajtur. Tek pjesa e dytë e aranzhova enkas para një jave. Dje e provuam për herë të parë pasi pianisti ynë Ilirian Ahmeti, që është vetëm 20 vjeç, jeton në Vjenë dhe është jazz pianist në Vjenë. Kështu që e provuam dhe me intruduksionin që ishte e askush nuk mund ta dinte se për çfarë vepre bëhet fjalë, sepse e përpunova në atë mënyrë”, ka thënë ai.
Derisa ka shpjeguar më tej repertorin e tij në Festival, ka thënë se ky edicion ka qenë i organizuar mjeshtërisht.
“‘Kosova Blues’ dhe ‘E dehur jam’ ishin autoriale, ndërsa ‘Caravan’ e Duke Ellington, autorit të madh. Kështu që u kënaqëm në këtë festival. E vetmja gjë e keqe e festivalit është që përfundoi. Përndryshe Armend Xhafa e ka organizuar në mënyrë maestrale, shumë bukur”, ka thënë Hoxha.
Loja solo e kitaristit ndiqet nga tingujt e shthurur të pianos para se saksofoni sërish të dominojë e krejt ky rrëfim muzikor ndiqet nga bateritë.
Bendit i është bashkuar kitaristi Taulant Mehmeti. Një intro e shkurtër e veprës paraprin dhe menjëherë vijon pjesa e tij solo. Më pas ai dhe pianoja, në të cilën ka luajtur Ilirian Ahmeti, janë kombinuar mahnitshëm në tingull. E vepra e fundit ka qenë me ritme latine.
Kejdi Barbullushi me bend ka luajtur jazzin origjinal të viteve ‘40 e ‘50. Ai me qetësi maksimale improvizon me tinguj në kitarë duke i lënë hapësirë shprehëse kontrabasit. Një lloj muzike ambienti ka qenë ajo që e kanë luajtur trio në kitarë, kontrabas e bateri. Loja e tyre është bërë më energjike e më dinamike.
“Ishte më shumë program amerikan, nuk e kemi luajtur asnjë pjesë origjinale. Ne kishim një format trio, pati shumë liri për secilin, por gjithmonë duke qëndruar te struktura e pjesëve. Të gjitha ishin pjesë amerikane nga kompozitorë të ndryshëm”, ka thënë Barbulushi derisa ka thënë se programi ka qenë i përbërë me vepra që përmbajnë jazz të pastër.
“Nuk kishte ndonjë përzierje tjetër. Të gjitha pjesët ishin të fokusuara te jazz-i tradicional, të gjitha pjesët ishin vepra që janë krijuar në vitet ’40, ‘50. Ishte më shumë në formatin e jazzit dhe nuk kishte ndonjë veçanti tjetër”, ka thënë ai.

Fryma unike e liria në muzikë
Frymë unike e muzikës jazz në koncertin e së hënës ka qenë hapësira interpretuese e Liburn Jupollit me muzikë elektronike, mbulim me audio në vepër e lojë në piano. Zërat bëhen surrealë e përzihen me muzikë elektronike. Jupolli sjell efekte të ndryshme duke e bërë lojën e tij jo vetëm improvizuese, por edhe hipnotizuese.
Jupolli ka treguar se veprat kanë qenë krejtësisht origjinale. Ka thënë se ende është duke punuar në disa prej pjesëve të cilat i ka interpretuar, ndërsa atë e ka vlerësuar si lloj i muzikës që gjendet pak në Kosovë.
“Festivali qe shumë vjet ka inspiruar lloje të ndryshme të jazzit. Jazzi është shumë i gjerë. Prej filleve të jazzit deri sot kemi disa lloje të ndryshme që janë zhvilluar. Një skenë shumë e madhe e jazzit, e cila nuk është shumë e zhvilluar në Ballkan, është ‘free jazz’, një pjesë e saj pastaj është ‘fusion’ e disa stile të tjera, të cilat i gjen nga pak nëpër jazz-muzikën e Kosovës, pra kjo ka qenë pak a shumë në atë vazhdë. Brenda këtij minikoncerti janë disa pjesë që ende nuk janë të përfunduara, që kanë me qenë për band të cilat pres t’i zhvilloj ndërkohë. Është material prej periudhës kur kam qenë në Francë (2017), që kanë mbetur pa u përfunduar. Është një lloj kaleidoskopi i ideve që i kam mbledhur për publikun e sotëm”, ka thënë Jupolli.
Zërave të deformuar që dallohen të vijnë nga një debat politik i tensionuar, në veprën e Jupollit u humbet identiteti e konteksti. Derisa vepra vijon me këtë ritëm, ajo sofistikohet me lojë improvizuese në piano që herë gjen harmoninë e me raste bëhet edhe dramatike.
Bajri: Duhet angazhim nga gjeneratat që vijnë pas
Liburn Jupolli e ngjyros këtë temë dhe e sjell në tjetër formë të prezantimit. Shkurt i bashkon në lojë Armend Xhaferi me kitarë e Ilir Bajri në piano elektrike. Krijohet një lloj atmosfere e çuditshme.
Bajri e ka vlerësuar unike muzikën e Jupollit. Është shprehur i lumtur që festivali po vazhdon pas një dekade ndërprerjeje të ngjarjes, të cilën ai e drejtonte.
“Ka qenë kohë e gjatë prej kur është mbajtur edicioni i fundit i grupit të parë të koncerteve të viteve 2005-2014. Armendi vendosi ta vazhdonte. Ky është edicioni i dytë, shpresoj që të vazhdojë edhe në të ardhmen. I falënderoj institucionet të cilat e kanë përkrahur këtë festival. Duke e marrë parasysh suksesin e këtij edicioni, i cili nuk është vështirë të vërehet, besoj që njerëzit që janë në institucione do ta përkrahin një organizim të tillë kulturor që është i dobishëm për qytetin. Një festival i tillë e pasuron jo vetëm jetën kulturore të kryeqytetit po u jep mundësi edhe muzikantëve të rinj që të kenë mundësi të njihen me muzikë të re, të krijojnë miqësi me artistë të huaj”, ka thënë Bajri.
Ka thënë se festivali ka pasur gjithmonë publik të shumtë, porse secilën herë po shtohet. Ka thënë se duhet angazhim nga gjeneratat pas tyre.
“Publiku ka qenë i shumtë në numër që nga dita e parë e festivalit të jazzit. Ka publik të interesuar. Ne kemi krijuar miqësi në ato dhjetë vjetët e parë që mos ta kemi shumë vështirë që ta rifillojmë. Ajo që për mua është shumë e rëndësishme, është që edhe gjeneratat pas Armendit kanë filluar ta kuptojnë që duhet angazhim, duke nisur vetë ta bëjnë organizimin. Kjo është ndoshta njëra prej elementeve më pozitive, jo vetëm në organizim por edhe në pjesëmarrje. Do të dëshiroja që studentët e shkollave e fakulteteve të jenë më shumë aktivë në pjesëmarrje këtu, sepse numri nuk është ndoshta ende shumë i madh, por punojmë edhe në këtë drejtim”, ka thënë Ilir Bajri.
Sipas tij, potenciali kreativ e artistik i gjeneratës së re është shumë i madh dhe se është mëkat të mos trajtohet me seriozitet e përkushtim puna e tyre.
Në pjesën e fundit të koncertit ka interpretuar “Visar Kuçi Trio”. Loja e gjatë interpretuese në veprën “’104”. Ajo e gjen vijën melodike e kur kjo ndodh në ritëm i bashkohen bateritë dhe kontrabasi. “August’ ka qenë me hyrje melankolike. E tillë zhvillohet por duket se merr formë duke u drejtuar në frymë orientale. Trio ka interpretuar edhe veprën “Kurtulus”, të cilën Kuçi ka treguar se e ka shkruar duke u bazuar në një lagje të Stambollit ku kishte jetuar shkurt. I ka quajtur tinguj arkaikë ata të veprës “Archaic”, ndërsa në veprën “Enisa” u është bashkuar Dukagjin Muhaxheri me saksofon. Janë vepra origjinale të Visar Kuçit i cili në këtë koncert i ka luajtur me kitarë.
Edicioni i sivjetmë i “Prishtina Jazz Festival” ka nisur më 14 tetor me “Prishtina Jazz Orchestra” dhe ka vazhduar për katër net të tjera. Një natë më pas kanë interpretuar “Trevor Dunn Solo”, “Titan to Tachyong” dhe “Taulant Mehmeti Quartet”. Më 16 nëntor kanë interpretuar “Erkand Morina Trio” dhe “Raynald Colom Band”, ndërsa një ditë më pas, natën e katërt, muzikën jazz e kanë ndërtuar “AT Duo” dhe “Kurt Rosenwinkel Trio”. Të gjitha koncertet kanë pasur adresë teatrin “Oda”.