Kulturë

Kori nëpër epoka me zërat që dëshmohen edhe për diplomaci kulturore

Kori i Filharmonisë

Kori, për mysafirët portugezë dhe publikun vendas – i cili i qëndron besnik në çdo performancë duke i dyndur sallat – ofroi një repertor të pasur në shumë aspekte, nisur nga vepra që shtrihen prej shekullit të 17-të deri në shekullin e 21-të

Prej barokut deri te veprat bashkëkohore, Kori i Filharmonisë së Kosovës e ka marrë me vete publikun duke dëshmuar jo vetëm potencialin vendor, por edhe fuqinë e artit për diplomaci kulturore e ura bashkëpunimi. Mysafirë në publik kanë qenë diplomatë e biznesmenë portugezë. Interpretimi nuk është sfidë për koristët, por të tillë e bëjnë kushtet. Vapa e zagushia në kishën katolike “Shën Ndou” kanë qenë pjesë përbërëse të koncertit dirigjuar mjeshtërisht nga Hajrullah Syla

Se arti e veçanërisht muzika shpesh përdoret si “performancë” e një shteti për të dëshmuar historinë, kulturën e kapacitetet e tij u dëshmua edhe me koncertin e radhës të Korit të Filharmonisë së Kosovës. Përderisa gjatë ditës së mërkurë u nënshkruan tri memorandume bashkëpunimi midis Kosovës dhe Portugalisë në kuadër të Forumit të Parë të Biznesit, në mbrëmje u festua kjo arritje me një koncert të Korit shtetëror. Diplomatë e biznesmenë portugezë kishin zënë pjesën dërrmuese të ulëseve në kishën katolike “Shën Ndou” në Prishtinë. Ndërkaq Kori për mysafirët portugezë dhe publikun vendas – i cili i qëndron besnik në çdo performancë duke i dyndur sallat – ofroi një repertor të pasur në shumë aspekte, nisur nga vepra që shtrihen prej shekullit të 17-të deri në shekullin e 21-të. 

Me të zënë vendet në altarin e Kishës, anëtarët e korit u pozicionuan në vendet përkatëse të tyre, rreth pianos – me të cilën këtë mbrëmje i përcolli pianisti Andi Duraku – ndërkaq krejt në fund mes duartrokitjeve iu bashkëngjit dhe dirigjenti Hajrullah Syla, i cili pasi përshëndeti publikun u kthye nga Kori për të nisur me pjesën e parë.

“Sei, lieber Tag, willkommen” (Mirë se erdhe ditë e dashur) nga Johann Michael Bach, qe vepra e cila me harmoninë e Korit krijoi një tingull të ngrohtë dhe mikpritës. Derisa kjo pjesë shkonte tutje, dinamika dhe frazimi kontrolloheshin nga dirigjenti duke dhuruar momente të bukura polifonike dhe harmoni eterike që mbushnin sallën. Ndjesi të ngjashme ofroi dhe “All Seems Beautiful to Me” nga Eric Whitacre, edhe pse e kompozuar 300 vjet më vonë. E ndërlikuar me emocione të ndryshme nëpërmjet zërave të Korit jepet përshtypja e ngritjes së shpirtit, ndërkaq fundi solli një ndjenjë të përgjithshme paqeje me zërat që në fund treteshin në heshtje.

Në mesin e veprave që ishin pjesë e repertorit, premiera e të cilit kishte ngjarë fiks një muaj më parë, njëra nga to dalloi edhe më për nga veçantia. I dha një nuancë mbrëmjes duke prezantuar për mysafirët vepra korale të shkruara edhe nga autorë shqiptarë. Nga Kori i Filharmonisë u interpretua “Bash në zeman të djelmënisë” nga kompozitori i ndjerë Halit Kasapolli, i cili një pjesë të madhe të veprimtarisë së tij jetëshkurtër ia kushtoi përpunimit të këngëve korale mbi tema popullore. Përgjatë performancës Kori veç impenjimit maksimal u sfidua edhe nga vapa. Bashkë me publikun e mysafirët iberikë temperaturat e larta në ambientet e kishës kanë qenë më vete. 

Koristët kanë shfrytëzuar pauzat gjatë duartrokitjeve mes pjesëve të interpretuara që të freskohen me partitura, e publiku flladitej kush me pahitëse e kush me një të tillë të improvizuar nga fletushkat e programit të koncertit. 

Me mjeshtëri, Kori edhe një herë demonstroi fuqinë e zërit. Koristën janë bërë një për të përçuar ndjeshmërinë e veprave dhe fjalëve të tyre. 

“I am the World” nga Lauren Biggs, kompozim i vitit 2002, qe pika e radhës e cila solli një frymë bashkëkohore për nga stili, teksa Kori përcillej natyrshëm nga pianisti Duraku.

Edhe për koristin Harris Bajraktari ky koncert përtej sfidës me vapën ishte i veçantë. 

“Ka qenë një ndjenë shume e veçantë me performu sonte, edhe pse e kemi pasur herën e parë me këtë program, është pritur shumë mirë nga publiku. Por, kjo herë ishte edhe më e veçantë për mua personalisht, ishte një atmosferë e ngrohtë nga publiku dhe morëm një ‘feedback’ nga publiku”, është shprehur Bajraktari në një prononcim për KOHËN. 

Fundi i koncertit u shënua me “Spirit” nga Rawn Harbor me aranzhim të Barabra Wesley Baker. Krejt ndryshe nga tetë interpretimet e tjera, “Spirit” ngriti moralin me një energji që vë në konsideratë stilin “gospel” të këndimit, i cili i përkushtohet lartësimit të hyjnores nëpërmjet alegros. E duartrokitjet ngjashëm me natyrën e veprës ishin po aq dinamike, të tilla sa Kori e përsëriti sërish pjesën. Në përfundim të gjithë u ngritën në këmbë si falënderim për performancën. 

Ky program me nëntë pika, me një energji të lakmueshme nga Kori e shoqërim në piano ishte një befasi e këndshme dhe për njërin nga mysafirët e huaj në publik. 

Ramiro Brito, president i “Minho Business Association” në Portugali, ka thënë për KOHËN se ishte dëshmitar i “një performance të mrekullueshme”. 

“Ishte një surprizë e këndshme nga Kosova, është hera ime e parë këtu dhe mendoj se performanca ishte e mahnitshme në mënyrën se si na prezantoi stile të ndryshme të muzikës me një stil të veçantë”, ka thënë ai. 

Bashkëpunimin mes Kosovës e Portugalisë ai e sheh si shumë të mundshëm dhe të natyrshëm. 

“Në këndvështrimin tim Kosova dhe Portugalia kanë shumë të përbashkëta, më shumë sesa që mendojmë në shikim të parë. Dhe kemi shumë mundësi të shkëmbejmë shumë gjëra mes nesh. Besoj thellësisht se bashkëpunimi është sfida më e madhe e njerizimit në këtë shekull dhe çfarë po bëjmë ne këtu është se po i themi botës se nëse bashkëpunojmë në vend se të garojmë me njëri-tjetrin, do të jemi më të fuqishëm, më të lumtur dhe jeta jonë do të jetë më e mirë”, ka thënë Brito.