Kulturë

Kori i fuqisë së zërit futet nëpër mistere, vulos veprën e Lorenc Antonit

Kori i Filharmonisë së Kosovës

“Da pacem Domine” e kompozitorit Arvo Pärt ka hapur mbrëmjen ku koristët kanë formuar shkronjën “U” të shpërndarë thuajse në krejt skajet e Kishës në lagjen “Ulpiana” në kryeqytet (Foto: Arben Llapashtica)

Repertori i koncertit me të cilin Kori i Filharmonisë së Kosovës, nën dirigjimin e Sasho Tatarchevskit, ka hapur sezonin ka qenë kombinim veprash botërore, epokash e stilesh të ndryshme. Kapitujt e historisë muzikore të vendit i ka harmonizuar edhe me vepra shqiptare. Me “O magnum Mysterium” të Hajrullah Sylës ka zbërthyer mistere, përderisa me “Çorapet e burrit” të Lorenc Antonit ka prekur themelet e muzikës klasike në këto anë. “Kori ka zëra të fortë që mund të këndojnë çdo program”, ka thënë dirigjenti Tatarchevski

Renditja e koristëve përreth publikut në kishën “Shën Ndou” në Prishtinë ka qenë imazhi i parë i koncertit të Korit të Filharmonisë së Kosovës. Bëhet fjalë për koncertin e parë me të cilin hapet sezoni koncertal. 

“Da pacem Domine” e kompozitorit Arvo Pärt ka hapur mbrëmjen ku koristët kanë formuar shkronjën “U” të shpërndarë thuajse në krejt skajet e kishës në lagjen “Ulpiana” në kryeqytet. Nën dirigjimin e Sasho Tatarchevskit, formacioni koral i rithemeluar më 2003 si trashëgimtar i Korit të Radiotelevizionit të Prishtinës, ka bërë që publiku ta nisë mbrëmjen nëpërmjet një renditjeje të koristëve që ka ngjarë si “implant” më bashkëkohor.

Më pas dirigjenti maqedonas Tatarchevski – profesor i thuajse krejt gjeneratës së re të dirigjentëve të Kosovës – ka bashkuar koristët përballë publikut për të vazhduar me veprat si ato të Alfred Schnittke e të Ola Gjeilo. 

Kur violonçelisti Antonio Gashi ka dalë në skenë, qe radha e veprës vendore “O magnum Mysterium” të Hajrullah Sylës, njëherësh dirigjent permanent i Korit të Filharmonisë së Kosovës. Kjo vepër e interpretuar disa herë në Prishtinë, kësaj radhe ka ardhur me ngjyra të tjera. Vepra, siç tregon edhe në titull, shpërfaq njëfarë misteri. E përcjellja me violonçel e plotëson atë. 

“Të them të drejtën secilën herë që është interpretuar nga dirigjentë të ndryshëm qoftë edhe nga vetë unë kur e kam interpretuar, ka dallime dhe secila në formën e vet është shumë interesante. Unë për vete e pëlqeva shumë interpretimin sonte dhe jam shumë i kënaqur me këtë interpretim. Besoj që arriti që të transmetohet ideja te publiku. Vepra paraqet një mister. Ka një tekst festiv dhe ideja e saj është një tingëllimë qiellore, e kthjellët e hapur dhe e pasur”, ka thënë dirigjenti e kompozitori Syla pas koncertit.  

Veprat si ato të Benjamin Britten e Vlastimir  Mikolovski, po ashtu, kanë qenë pjesë e programit, duke bërë që koristët të ofrojnë për publikun një program sa të vështirë, aq edhe tërheqës. Më pas janë kthyer te rrënjët e muzikës korale në Kosovë. Tradita e muzikës korale në Kosovë nis me kompozitorin e dirigjentin e shquar Lorenc Antoni. Kompozitori është nderuar edhe në koncertin që ka hapur sezonin  koncertal të Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës në fund të shtatorit. 

Veprat si ato të Benjamin Britten e Vlastimir  Mikolovski, po ashtu, kanë qenë pjesë e programit, duke bërë që koristët të ofrojnë për publikun një program sa të vështirë, aq edhe tërheqës (Foto: Arben Llapashtica)

Veprat si “Valle shqiptare nr.1”, “Në Prizrenin e vjetër” e “Malësorja” qenë interpretuar nga Orkestra. Melosi popullor shqiptar vërehet fort. Laureati i sivjetmë i çmimit post mortem për vepër jetësore në muzikë “Niketë Dardani”, konsiderohet si një prej atyre që ka vënë bazat edhe të asaj që sot është Filharmonia e Kosovës. Vizioni i kompozitorit që për këtë çmim ishte propozuar nga Filharmonia e Kosovës kishte bërë që muzika klasike në këto anë të hyjë në “lojë”. Tri veprat që ishin interpretuar nga Orkestra bashkojnë melodi të trojeve shqiptare. 

E Kori e ka kthyer në skenë krijimtarinë e Antonit po ashtu në 115-vjetorin e lindjes së kompozitorit. Vepra “Çorapet e burrit” është interpretuar duke sjellë para publikut një prej kompozimeve të hershme korale shqiptare. 

Dirigjenti Tatarchevski ka thënë se është shumë i kënaqur që ka punuar me Korin. 

“Janë profesionistë. Disa i kisha takuar e disa i kisha dëgjuar në koncerte e me ansamble të ndryshme. I kam dëgjuar edhe në Korin e Filharmonisë dhe kanë zëra të fortë. Me ata mund të realizohet program shumë serioz. Kam zgjedhur program divers, por, po ashtu, jo të lehtë për t’u kënduar. Kam menduar se mund ta bëjmë dhe e kemi bërë këtë duke m’u bërë qejfi mua dhe shpresoj edhe audiencës këtu. Dhe vërtet shpresoj që të kemi shanse të punojmë prapë së bashku”, ka thënë ai. 

Sipas tij, është gjithnjë kënaqësi që të interpretojë në Prishtinë. Edhe veprat shqiptare i ka përshkruar si diçka të njohura për të, përderisa Kishën si ambient me akustikë të mirë për muzikë korale. 

“Kori ka zëra të fortë që mund të këndojnë çdo program. Edhe në Maqedoni fus vepra shqiptare, por edhe të rajonit. Kam punuar me shumë vepra shqiptare e kompozitorë shqiptarë. Këto dy vepra ishin të lehta për mua. Ngjyrat e folklorit janë të përafërta në rajon”, ka thënë Tatarchevski, i cili ka koncertuar në disa prej vendeve më me traditë në botë sa i përket muzikës serioze.  

Koncerti i së martës i ka paraprirë atij të nëntorit, ku Kori do të paraqitet edhe me më shumë instrumentistë. Ky formacion është goxha i veçantë shkaku i faktit që Filharmonitë në ditën e sotme rrallë kanë formacione korale. Por përtej kësaj, profesionalizmi i tyre ka rënë në sy edhe në vendet ku kanë interpretuar. E në këtë rast, ish-dirigjenti permanent Rafet Rudi ka kontribut të madh. Kori i Filharmonisë së Kosovës ka interpretuar në disa vende të rajonit e po ashtu të Evropës.