Kudo që interpreton, Kori i Filharmonisë e zgjedh me kujdes programin me të cilin prezantohet. Veprat e shquara në skenën klasike janë të pashmangshme, sikur edhe udhëtimi nëpër historinë e muzikës shqiptare duke gërmuar në thesaret e shekullit XIV e deri më sot. Në koncertin dirigjuar prej Rafet Rudit në teatrin “Petro Marko” në Vlorë, ku është rikthyer pas 12 vjetësh, në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, epokat janë lidhur me historinë e re të skenës muzikore
Kori i Filharmonisë së Kosovës u ka dhënë zë veprave të repertorit botëror e atij shqiptar në rikthimin e formacionit në Vlorë pas 12 vjetësh. Ansambli i koristëve nga Kosova ka ndërtuar rrëfimin muzikor në njërën prej katër netëve të edicionit të parë të “MareMeum Festival”. Në “a capella” ka interpretuar në qytetin jugor shqiptar nën udhëheqjen e dirigjentit të shquar e kompozitorit Rafet Rudi.
Institucioni i Filharmonisë në përgjithësi kudo që interpreton e zgjedh me kujdes programin me të cilin prezantohet. Veprat e shquara në skenën klasike janë të pashmangshme, sikur edhe udhëtimi nëpër historinë e muzikës shqiptare duke gërmuar në thesaret e shekullit XIV e deri më sot. Në koncertin në teatrin “Petro Marko” të enjten mbrëma, kjo epokë është lidhur me historinë e re të skenës muzikore.
Në skenën e “MareMeum”, Kori i Filharmonisë ka thurur rrëfime ndërsa është konfirmuar profesionalizmi për të cilin drejtori i festivalit, kompozitori Aulon Naçi, kishte qenë dëshmitar në koncertin që formacioni kishte mbajtur në Tiranë.
Më 2 shkurt të këtij viti koncerti ishte mbajtur në Hollin Koncertal të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor që shënonte 20-vjetorin e Korit, si dhe bashkëpunimin ndërinstitucional midis Filharmonisë së Kosovës dhe TKOB-it. Programi i koncertit në Vlorë qe i ngjashëm me atë në Tiranë, i dirigjuar po ashtu nga Rudi.

Janë puna e përkushtimi i tij që kanë zbardhur repertorin e autorit antik shqiptar, Jan Kukuzeli edhe në Vlorë pas prezantimit të veprës fillimisht në Prishtinë e më pas edhe në Tiranë e në Romë në mars të këtij viti. E restauruar dhe e përshtatur ka ardhur vepra “Concerto Fantasy” për violinë dhe kor.
Soliste në interpretimin e kësaj vepre ka qenë violinistja e shquar Sihana Badivuku për të cilën kompozitori Rudi e kishte shkruar veprën më 2011.
“Gjithnjë i rikthehem me shumë inspirim dhe emocione kësaj vepre aq unike dhe autoktone të kompozitorit Rafet Rudi që edhe ma dedikoi mua personalisht dhe jam shumë e privilegjuar”, ka shkruar Badivuku në rrjete sociale.
Ajo ka qenë e ftuar speciale në koncertin me të cilin është shënuar 8-vjetori i Ditës së Shenjtërimit të Nënës Terezë.
Kjo është vepra e pestë me radhë në ciklin e Rudit të titulluar “Afresk arbëresh”. Aq vepra ka gjithsej ky cikël. Aty përfshihet muzika liturgjike arbëreshe, muzika tradicionale shqipe, si dhe muzika e Jan Kukuzelit si një lloj trinomi. Tjetër kapitull në zbërthim të këngës shqiptare ka qenë edhe vepra “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” e kompozitorit Baki Jashari.
Te publiku ajo ka përçuar një lloj realiteti të dyfishtë. Është vepër që bart shumë mesazhe.
Muzika tradicionale është sjellë nëpërmjet “Janinës ç’i panë sytë”, kënga ikonë e iso-polifonisë së Shqipërisë së Jugut.
Zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se veprat janë kryesisht ato që Filharmonia i ka në repertor.
“Koncerti ka vazhduar si rezultat i koncertit të Korit të Filharmonisë në Tiranë. Drejtori artistik i festivalit, Aulon Naçi, kur e ka dëgjuar koncertin atje, i ka drejtuar një ftesë Korit për të qenë pjesë e edicionit të parë të programit të Festivalit. Në program ka pasur kryesisht vepra që janë në repertorin e Filharmonisë”, ka thënë Selimaj për KOHËN.

Në koncert është luajtur edhe veprat “Çorapet e burrit” e Lorenc Antonit.
“Kemi paralajmëruar se gjatë sezonit do të sjellim vepra të Lorenc Antonit në programin e Korit dhe të Orkestrës me rastin e 115-vjetorit të lindjes. Në rastin konkret ka pasur edhe një vepër në koncertin që është organizuar në shënim të tetëvjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës, tetë vjet pasi Kori pati interpretuar në Romë”, ka thënë Dardan Selimaj në një përgjigje derisa ka qenë rrugës për në Prishtinë.
Në qershor, kur kompozitorit të shquar shqiptar iu nda post mortem çmimi për vepër jetësore “Niketë Dardani”, si prijatar i muzikës artistike në vend e më gjerë, Selimaj, që e kishte ndarë çmimin, kishte thënë se institucioni në sezonin e ri do t’i kushtojë vëmendje krijimtarisë së kompozitorit Antoni.
“Sezoni i ardhshëm i Filharmonisë së Kosovës do të trajtojë me kujdes botimin e veprave të Lorenc Antonit, duke filluar me interpretimin e disa prej veprave të tij në koncertin e parë që do të nisë sezonin 2024/2025”, kishte bërë të ditur Selimaj.
Programi i mbrëmjes ka përfshirë edhe vepra nga kompozitorë të njohur si Ēriks Ešenvalds, Jan Sandström, Vasil Sofokli Tole, Jake Runestad e Claudio Monteverdi.
Katër koncerte e kanë ndërtuar edicionin e parë të festivalit “MareMeum” të drejtuar nga kompozitori Aulon Naçi në katër hapësira dhe me rreth 70 muzikantë gjithsej. Festivali zhvilloi programin prej 16 gushtit deri më 6 shtator.
Ky ka qenë koncerti i parë i Korit për sezonin e ri dhe i paraprin atij të 27 shtatorit në Selanik.
Kori veçse po përgatit repertorin me të cilin i bashkohet Orkestrës Shtetërore të Selanikut dhe Korit të Përzier nga ky qytet më 27 shtator në të njëjtën ditë, të cilën Orkestra i rikthehet publikut në Prishtinë. Magjinë muzikore institucioni shtetëror i muzikës klasike e sjell nën moton “Çdo notë, një rrëfim”.

Filharmonia për herë të fundit në Vlorë kishte mbajtur koncert në vitin 2012 në kuadër të ngjarjeve që ishin organizuar për shënimin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Me pjesë nga kryevepra të repertorit klasik, Kori për të tretën herë do të interpretojë me formacionet nga qyteti grek. Në prill të vitit të kaluar në Selanik e më pas në tetor në Prishtinë, ansambli profesionist në vend e kishte vulosur nivelin edhe në vendin i cili nuk e njeh zyrtarisht Kosovën si shtet, por mban marrëdhënie diplomatike, veçmas ato në fushën e kulturës.
Kori do të interpretojë në sallën e koncerteve “Megaron” të Selanikut, që ka kapacitet prej një mijë e 600 ulësesh. Aty në prill të vitit të kaluar ishte ngjitur ansambli koral i Filharmonisë së Kosovës.