Kulturë

“Konsulli rus” për “Kosovën serbe”, nis fushatën në Hollywood

“Konsulli rus” për “Kosovën serbe”, nis fushatën në Hollywood

Ngjarja e filmit “Konsulli rus” zhvillohet në vitin 1973 në Prizren; shqiptarët janë zullumqarë ndaj serbëve, e filmi përshkruhet si “një rrëfim që përshkruan fillimin e krizës në Kosovë”

Ekipi i filmit “Konsulli rus”, kandidat i Serbisë për “Oscar” për filmin më të mirë ndërkombëtar, ka arritur në Hollywood tok me delegacionin shtetëror. Regjisori Miroslav Lekiq, producenti Dragan Gjurkoviq dhe aktoret Paulina Manov dhe Danica Raduloviq kanë arritur në Los Angeles për të nisur “promovimin intensiv të këtij filmi”, raportojnë mediat në Serbi. E, as ky film – siç ka raportuar “Koha Ditore” qysh me premierën botërore në mars të këtij viti – nuk i shpëton propagandës. Ngjarja zhvillohet në vitin 1973 në Prizren; shqiptarët janë zullumqarë ndaj serbëve, të cilët i dëbojnë, e filmi përshkruhet si “një rrëfim që përshkruan fillimin e krizës në Kosovë”. Bazohet në romanin e viteve ’80 me të njëjtin titull të shkrimtarit e politikanit serb Vuk Drashkoviq. Aty luajnë edhe aktorët shqiptarë: Enver Petrovci, Mensur Safqiu e Visar Vishka. Pjesa tjetër është histori. 

“Krahas një sërë kontaktesh dhe takimesh formale dhe joformale, në Beverly Hills u mbajt një pritje zyrtare dhe një shfaqje për të ftuar të përzgjedhur, përfshirë anëtarë të ‘Academy Awards’. Filmi u prit mirë nga publiku në sallën plot dhe ekipi qëndroi më gjatë për të biseduar me shikuesit. Atu ishin përfaqësues të komunitetit serb në Los Ageles, producenti Vladimir Lisinac, aktorët Marija Karan, Gala Videnoviq, Nina Seniçar, Nikola Gjuriçko, si dhe kolegia e tyre amerikane, Lolita Davidoviq”, ka njoftuar produksioni i këtij filmi. Sipas njoftimit, “filmi është reklamuar në të gjitha revistat kryesore amerikane, nga ‘Variety’ e deri te faqet e specializuara të internetit, dhe gjithashtu pati komente pozitive që theksuan se ky film mund të vlerësohet dhe kuptohet edhe nga ata që nuk e njohin historinë e konflikteve dhe paragjykimeve ndërpersonale në vitet 1970, në territorin e ish-Jugosllavisë”. 

Në bazë të prezantimit që i bëhet filmit, psikiatri serb Ilija Jugoviq, që portretizohet nga aktori Nebojsha Dugaliq, pas vdekjes së pacientit të tij në Beograd shkon në Prizren të Kosovës duke iu përmbajtur një lloj dënimi të partisë. Atje punësohet si mjek i përgjithshëm në një spital lokal. “Atje ai takohet me profesorin e historisë Ljubo Bozhoviq (Zharko Lausheviq), të vetëshpallurin ‘Konsull rus’, një pacient me sa duket në psikiatri, i cili pretendon se së shpejti ‘Rusia do të bëhet përsëri Rusi, dhe Kosova do të bëhet sërish serbe’”, sqarohet në faqen online të festivalit “Fest 24”, që e solli këtë film nëntë muaj më parë. Sqarimi nxjerr në pah se kundër “konsullit” kthehen fuqishëm shqiptarët vendës, “separatistë të fshehur, gjithashtu anëtarë të Partisë Komuniste dhe kuadro me poste”. “Më i fuqishmi prej tyre, Halit Berisha (Visar Vishka), që i dëbon serbët nga Kosova me presione të ndryshme mizore: ushtron dhunë ndaj fëmijëve serbë nëpër shkolla, frikëson popullatën vendëse, i pengon ata të marrin kujdesin shëndetësor, ngacmon familjet, u fut atyre pasiguri dhe ankth”, shkruhet në sqarim. “Pra, radha i ka ardhur Ljubo Bozhoviqit, të cilin Berisha po tenton ta nxjerrë nga shtëpia dhe ta largojë nga Kosova. ‘Konsulli rus’ refuzon ta shesë shtëpinë dhe përplaset me Berishën. Doktori Ilija Jugoviq qëndron nën mbrojtjen e tij”, shkruhet në sqarimin që jepet për filmin.