Kulturë

Koncerti i premierave kulmon në nderim të kompozitorit Halit Kasapolli

Kori

Me një repertor i tëri premierë, Kori ka interpretuar pjesë nga muzika baroke deri te ajo bashkëkohore. Ndërkaq veçantia e mbrëmjes qe rezervuar për “Bash në zeman të djelmënisë”. Me të u shënua 65-vjetori i vdekjes së kompozitorit pejan, Halit Kasapolli.

Premierë ka qenë emëruesi i përbashkët i veprave në repertorin e koncertit të Korit të Filharmonisë së Kosovës, nën dirigjimin e Hajrullah Sylës. Programi i thurur me elegancë ka gjetur shpejt harmoninë e zërave, e një vepër e veçantë ka qenë edhe ajo e Halit Kasapollit, “Bash në zeman të djelmënisë”, e interpretuar si homazh në 65-vjetorin e vdekjes së kompozitorit. Unike kanë qenë edhe të tjera vepra si ajo “Like a Touch of Rain” e dirigjentit e kompozitorit Syla

Sa herë që Kori i Filharmonisë së Kosovës ngjan të ketë koncert para publikut vendas, sallat mbushen plot. Njashtu ndodhi dhe të enjten mbrëma në Kishën Katolike “Shën Ndou” në Prishtinë – vendtakim i shpeshtë mes korit të Filharmonisë dhe admiruesve të tij – në njërën ndër hapësirat me akustikën më të përshtatshme për performanca korale. Pas turneut të suksesshëm në Itali me tri koncerte, ky formacion u rikthye me koncert në vendin ku nisi historia e formimit të tij, këtu e para njëzet jetësh.

Për publikun ofroi një repertor të pasur në shumë aspekte, nisur nga vepra që shtrohen prej shekullit të 17-të deri në shekullin e 21-të. Me të vërshuar podiumin e Kishës, anëtarët e korit zunë vendet përkatëse të tyre, rreth pianos – me të cilën, këtë mbrëmje i përcolli pianisti Andi Duraku – ndërkaq krejt në fund nën duartrokitje iu bashkëngjit dhe dirigjenti Hajrullah Syla, i cili pasi përshëndeti publikun u kthye nga Kori për të nisur me pjesën e parë.  

“Sei, lieber Tag, willkommen” (Mirë se erdhe ditë e dashur) nga Johann Michael Bach, qe vepra e cila me harmoninë e Korit krijoi një tingull të ngrohtë dhe mikpritës. Derisa kjo pjesë shkonte tutje, dinamika dhe frazimi kontrollohej me mjeshtëri nga dirigjenti duke dhuruar herë-herë momente të bukura polifonike dhe harmoni eterike që mbushnin sallën. Ndjesi të ngjashme ofroi dhe “All Seems Beautiful to Me” nga Eric Whitacre, edhe pse e kompozuar 300 vjet më vonë. E ndërlikuar me emocione të ndryshme nëpërmjet zërave të korit jepet përshtypja e ngritjes së shpirtit, ndërkaq fundi solli një ndjenjë të përgjithshme paqeje me zërat që treten në heshtje. 

Nisur nga fakti se të gjitha veprat e interpretuara ishin premierë për publikun kosovar, njëra nga to dalloi edhe më për nga veçantia. Në nderim të veprës së kompozitorit Halit Kasapolli – i cili një pjesë të madhe të veprimtarisë së tij jetëshkurtër ia kushtoi përpunimit të këngëve korale mbi tema popullore – nga Kori i Filharmonisë u interpretua  “Bash në zeman të djelmënisë” për të parën herë, si homazh për 65-vjetorin e vdekjes së kompozitorit.  

Me mjeshtëri, Kori edhe një herë demonstroi fuqinë e zërit. Bëhen një për të përçuar ndjeshmërinë e veprës dhe veçanërisht të fjalëve të saj, ndërkaq melankolia u thye edhe njëherë nga duartrokitjet. 
Sopranoja Urta Haziraj, anëtare e Korit, ka veçuar diversitetin e veprave. 

“Fillimisht kur është prezantuar programi më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë sepse ka ngërthyer epoka të ndryshme. Nuk fle në një epokë krejt koncerti. Natyrisht edhe homazhi për kompozitorin, ka qenë ndjenjë e veçantë me performu veprën e tij me tekst me të vërtetë shumë pikëllues, por ky është koncert dhe duhet të arrijmë ta prezantojmë në mënyrën më të mirë të mundshme”,  ka thënë ajo në një prononcim për KOHË-n duke shtuar se e ka ndjerë se publiku kishte bashkëndier të gjitha veprat e interpretuara. 

“I am the World” nga Lauren Biggs, kompozim i vitit 2002, qe pika e radhës e cila solli një frymë bashkëkohore për nga stili, teksa Kori përcillej  mjeshtërisht nga pianisti Andi Duraku. 
Bashkëpunimi i Durakut me dirigjentin Syla dhe Korin ka qenë i natyrshëm për të rezultuar tutje dhe si i frytshëm, ani pse luajtja e premierave të shumëfishta ka qenë sfidë më vete. 

“Është gjithmonë kënaqësi të jem në bashkëpunim me këtë Kor të mrekullueshëm dhe me dirigjentin Hajrullah Syla. Me të vërtetë, këto vepra po dëgjoheshin për herë të parë nga publiku dhe ishin një sfidë, por duke marrë parasysh profesionalizmin e secilit anëtar të Korit, të orkestrës, ishte me të vërtetë kënaqësi të isha pjesë e këtij programi sonte”, ka thënë Duraku. 

Të enjten mbrëma në Kishën Katolike “Shën Ndou” në Prishtinë e cila shërben si vendtakim i shpeshtë mes Korit të Filharmonisë dhe admiruesve të tij akustika e përshtatshme i vuri pikë interpretimit të Korit 

Dirigjenti Syla për këtë koncert krahas punës me vepra të huaja botërore dhe me homazhin për Halit Kasapollin, në repertor ka përfshirë dhe veprën e tij “Like a Touch of Rain” (Si një prekje e shiut). Në këtë pikë të koncertit, veç formacionit të Korit dhe pianos në podium iu bashkuan dhe Ansambli Harkor i Filharmonisë së Kosovës. Në pesë minuta, vepra e Sylës çoi publikun në thellësitë e tingujve të mprehtë si vringëllima që fillojnë me harqe dhe përmbyllen me harmoni zërash. 

“Vepra ime është premierë botërore, sepse nuk është luajtur më herët, është krijuar enkas për këtë koncert, është një vepër që mban titullin në anglisht ‘Like...’ është e shkruar për piano, ansambël harkor dhe kor miks dhe jam shumë i  kënaqur me interpretimin e veprës”, ka thënë dirigjenti. 

Kapacitetin e gjerë vokal ansambli koral e shfaqi edhe te “Iuppiter”. Përgjatë interpretimit kishte edhe lojë me zërin. Imitime të shushuritjes, vibrato, kreshendo ndërkaq përshkrimi muzikor i karakterit të Jupiterit, si një figurë mitologjike me fuqi të madhe dhe lavdi, shprehet nëpërmjet dinamikës dhe intonacionit të Korit.

Fundi i koncertit u shënua me “Spirit” nga  Rawn Harbor me aranzhim të Barabra Wesley Baker. Krejt ndryshe nga nëntë interpretimet e tjera, “Spirit”, ngrit moralin me një energji që vë në shprehje stilin “gospel” të këndimit, i cili i përkushtohet lartësimit të hyjnores nëpërmjet alegros. 

Ky program me dhjetë pika, shoqërim në piano e harqe dhe me një sallë me plot publik qe paralajmërues i aktiviteteve të sezonit veror për Korin.  Edhe për dirigjentin kishte veçantitë e veta si paraqitje. Sipas tij, interpretimi i korit ka qenë i arrirë.

“Ishte premierë i tëri për publikun kosovar, vepra e Halit Kasapollit ishte një vepër e cila është përpunuar nga unë dhe është përshtatur për Korin tonë. Të gjitha veprat ishin të arritura mjaft mirë edhe u vu re dhe nga publiku që e priti shumë mirë koncertin”, ka thënë ai.