Për fotografin Betim Bregovina, shikimi i dobësuar nuk është pengesë por sfidë, të cilën ai e ka shndërruar në art me ekspozitën “Konaku”. Imazhet e tij fokusohen tek oda shqiptare, një institucion që, sipas Bregovinës, ka qenë dikur qendra e jetës shoqërore dhe familjare. Ekspozita ka fuqinë e rikthimit në kohë duke prekur kujtesën kolektive. Rrëfimi që sjell është kontrasti i epokës së teknologjisë. Prek rrënjët, shtjellon traditën
Me shikim të dobësuar, por me vizion të qartë, Betim Bregovina sjell imazhet për artin dhe trashëgiminë kulturore në ekspozitën “Konaku”, e hapur të martën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Fotografitë e tij zbërthejnë elementet tradicionale të odës shqiptare. Itinerari i tij janë disa kulla, si ajo e Osdautajve e Mazrekajve, ajo e Ahmet Zekajt e deri te Muzeu Etnologjik. Fotoaparati i tij kap sofrat, djepin, oxhakë, arka të moçme e shumëçka tjetër. Ky mozaik vjen si thirrje për ruajtjen e traditave. “Konaku” për të nuk ka thjesht qasje estetike dhe të rëndomtë për një ekspozitë si kjo. Autori i jep edhe karakter tjetër.
“Jam duke provuar ta përcjell si formë edukimi për arsye se detajet – oxhaku, llamba, sfungjerët, shkamat, djepat – tashmë nuk funksionojnë, pothuajse kanë pushuar së funksionuari në jetën e përditshme. Nuk funksionojnë më, nuk i përdorim më”, ka thënë ai në vernisazhin e ekspozitës së tij.
Ekspozita ka fuqinë e rikthimit në kohë duke prekur kujtesën kolektive. Rrëfimi që sjell është kontrasti i epokës së teknologjisë. Prek rrënjët, shtjellon traditën.
“Në këtë shumësi zgjedhjesh edhe zgjidhjesh t’i kthehemi pak, të kujtojmë e të mos harrojmë traditën tonë. Mos të harrojmë kush kemi qenë dje, sepse ne nuk jemi veç sot me ‘iPhone’ e me tablet, por jemi ata që kemi qenë dje”, ka thënë Bregovina para fotografive të tij, të vendosura në kanavacë prej druri.
Ani pse shikimin e humbi me kohë, Betim Bregovina – autor edhe i disa përmbledhjeve me poezi – kujtimet dhe lidhjen e tij me odën që nga fëmijëria nuk i harroi. I ka kthyer në vepër arti. Zanafilla e ekspozitës është oda, që ia rikthen edhe kujtimet e fëmijërisë. Do të arrinte ta përjetonte, por jo në funksionin e saj të dikurshëm.
“E kam mbërri odën e gjyshit si objekt, jo si funksion. Si fëmijë më ka bërë përshtypje ndërtimi i saj, që ka qenë një dhomë poshtë.... me një korridor që ka qenë realisht stalla e kuajve dhe dhoma e mysafirëve”, ka kujtuar Bregovina.
Pasioni i tij për fotografinë nisi në vitin 2005, kur bleu aparatin e tij të parë.
Fillimisht eksperimentonte me fotografimin e momenteve të zakonshme, por më vonë kjo punë u kthye në një mision. “Konaku” është shembulli i transformimit të pasionit të tij. Ekspozita do të jetë e hapur tri ditë në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.