Përderisa hartuesit e projektit – të asaj gjatë rrugës ka marrë emrin qendra multikulturore “Evropa” – duhen deri në dy vjet e gjysmë për implementim, Komuna nuk ka afat se kur do të hapë thirrje për të angazhuar kompaninë punëkryese. Telashet janë të buxhetit. “Për shkak të sanksioneve të BE-së karshi Qeverisë së Republikës së Kosovës, buxheti i zotuar në vlerë prej 20 milionë nga fondet IPA është bllokuar dhe si rezultat, projekti për sallën koncertale ka stagnuar”, ka thënë drejtori i Drejtorisë së Transformimit, Gëzim Kastrati. Ai këtë e ka bërë të ditur pasi javën e kaluar projekti i studios së arkitektit japonez, Kongo Kuma, e kolegut të tij kosovar, Bekim Ramku, është miratuar në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve
Komunës së Prishtinës i janë dashur katër vjet që ta ketë të hartuar dhe miratuar nga institucionet e trashëgimisë kulturore projektin e detajuar për sallë të koncerteve. Por përderisa hartuesit e projektit – të asaj gjatë rrugës ka marrë emrin qendra multikulturore “Evropa” – duhen deri në dy vite e gjysmë për implementim, Komuna nuk ka afat se kur do të hapë thirrje për të angazhuar kompaninë punëkryese. Telashet janë të buxhetit.
“Për shkak të sanksioneve të BE-së karshi Qeverisë së Republikës së Kosovës, buxheti i zotuar në vlerë prej 20 milionë nga fondet IPA është bllokuar dhe si rezultat, projekti për sallën koncertale ka stagnuar”, ka thënë drejtori i Drejtorisë së Transformimit, Gëzim Kastrati. Ai këtë e ka bërë të ditur pasi javën e kaluar projekti i studios së arkitektit japonez, Kongo Kuma, e kolegut të tij kosovar, Bekim Ramku është miratuar në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.
Kastrati që udhëheq drejtorinë përgjegjëse për investimet e mëdha, ka thënë se si Komunë e kanë të gatshëm gjithë dokumentacionin duke e përfshirë edhe projektin.
“Meqë kemi një zotim të MKRS-së për të përkrahur projektin me 10 milionë euro, si Komunë do të shqyrtojmë buxhetin”, ka thënë Kastrati. Ministria e Kulturës për tre vjetët që vijnë ka projektuar 10 milionë euro për këtë projekt. Kurse ministri Hajrulla Çeku ka deklaruar se “janë të gatshëm për ta mbështetur Komunën e Prishtinës edhe më tutje, sipas kërkesës së tyre”.
Sipas projektuesve, kostoja e implementimit të projektit që ndërtesën e cila dikur ishte “Gërmia” e bën një lloj galerie të arteve e prapa saj do të jetë salla e koncerteve, shkon mbi 30 milionë euro.
Drejtori Kastrati ka thënë se padyshim që ky projekt ndikon në avancimin e vlerave artistike e muzikore për gjenerata të tëra dhe e vë kryeqytetin në rang me metropolet evropiane.
“Kemi raporte shumë të mira bashkëpunimi me UNOPS-in të cilët pas heqjes se masave ndaj Kosovës do të organizojnë ndërtimin e sallës koncertale”, ka thënë ai. Por sipas tij, nëse MKRS dhe Komuna e Prishtinës mbajnë zotimet e dhëna në medie “se do ti sigurojnë mjetet financiare, patjetër se mund të fillojë ndërtimi e që në ndërkohë, BE-ja bashkohet”.
“Komuna e Prishtinës me mjete vetanake e ka aftësuar hapësirën për ekspozitë në përdhesen e objektit. Tani ka filluar me punime ne katin e 2-të për te vazhduar me katin e 1-rë. Te gjitha punët janë kryer nga Ndërmarrja Publike Banesore. Nëse ka zotime të cilat janë përmendur më lart, mund të ketë në 3 muajt e ardhshëm thirrje për vazhdimin e renovimit të hapësirave të tjera”, ka thënë ai.
Marsi i këtij viti e më pas prilli qenë afatet e përmendura nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, për nisjen e punimeve për sallën koncertale të kryeqytetit. Në mars të vitit të kaluar, kryetari Përparim Rama gjatë takimit me arkitektin japonez, Kengo Kuma, dhe partnerin e tij nga Kosova, Bekim Ramku, kishte përmendur marsin e sivjetmë si afat të nisjes së punimeve.
“Mendojmë ta tenderojmë ndërtimin në fund të vitit (2023 v.j.) që në mars të vitit 2024 të nisim ndërtimin”, kishte thënë ai. Më pas në shtator të vitit të kaluar, gjatë seancës së Kuvendit Komunal, ku ishte miratuar buxheti për këtë vit, ai kishte përmendur prillin.
“Jemi në diskutime të njëpasnjëshme me komunitetin evropian që nëpërmjet fondeve IPA kjo të financohet dhe të fillojmë ndërtimin në prill të vitit të ardhshëm”, kishte thënë Rama. E në shkurt të këtij viti kishte bërë një postim në rrjete sociale.
“Të gjithë hapësirën brenda ish-shtëpisë së mallrave ‘Gërmia’ po e lirojmë dhe pastrojmë, për ta bërë gati për super-projektin, krijimin e muzeut dhe sallën e koncerteve”, kishte shkruar ai krahas pozave të publikuara nga ish-shtëpia e mallrave “Gërmia”.
Kontrata midis Komunës së Prishtinës me projektuesit peshon fiks 1.6 milionë euro. Prej tyre gjysmën e shumës, 825 mijë euro do t’i paguajë Komuna e gjysmën Ministria e Kulturës në bazë të Memorandumit të nënshkruar midis dy institucioneve në prill të vitit të kaluar. Por ai memorandum tashmë ka rënë poshtë.
“Afati i realizimit të qëllimit të Memorandumit të Bashkëpunimit duhet të arrihet brenda vitit 2023”, shkruhet në këtë dokument. Komuna sivjet ka në buxhet 2 milionë euro për këtë projekt.
Komuna e Prishtinës e ka konkretizuar nismën për ndërrim të qasjes në raport me ndërtesën e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia”. Menaxhmenti aktual i Komunës kishte hequr dorë nga shndërrimi i monumentit në sallë koncertale. Projekti i dyshes për transformimin e ndërtesës që gjendet në qendër të Prishtinës ishte shpallur fitues para dy vjetësh. Por ai plan ideor tashmë do të mbetet veç pjesë e historisë.
Se Komuna do të ketë qasje të re, kjo qe paralajmëruar qysh në mars të vitit 2023 kur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte pritur në takim arkitektin japonez, Kengo Kuma. Në ditën e 12-të të marsit, Rama ia kishte bërë me dije Kumas se ndërtesën aktuale nuk do ta përdornin për sallë koncertesh.
“Ideja është që të ndryshojmë qasjen. Në vend që ta përdorim ndërtesën ekzistuese për sallë koncertesh, të shikojmë nëse mund t’ia shtojmë asaj sallën koncertale, në mënyrë që vetë atë ta përdorim si galeri të qytetit e sallë multifunksionale”, kishte thënë Rama. E Kuma me qetësi kishte konfirmuar se mund të veprohet kësisoj vetëm me “po”. Rama kishte pasur disa arsye për nismën e tij. Kishte thënë se me këtë nuk do të kenë nevojë për demolim të ndërtesës aktuale.