Kulturë

Komuna e Prizrenit “arsyeton” lejen për rrënimin e “Sarajit të vjetër”

ministri Hajrulla Çeku me kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj

Tre muaj pas rrënimit të tri monumenteve, ministri i Kulturës Hajrulla Çeku dhe kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, kanë nisur të fajësojnë njëri-tjetrin për këtë rast. Krejt kjo zhurmë bëhet pas rrafshimit të monumenteve nën mbrojtje të përhershme (Foto: MKRS)

Përderisa Ministria e Kulturës javën e kaluar ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prizrenit për katër zyrtarë publikë, përfshirë kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj, ky i fundit ka reaguar të hënën. Për Ministrinë e Kulturës, Komuna ka bërë vepër penale duke lëshuar leje për rrënimin e kompleksit monumental “Saraji i vjetër në Prizren”. Kurse kryetari Totaj thotë se kanë qenë të obliguar ta bëjnë këtë

Paraditja e së hënës e ka gjetur kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj në konferencë për media. Kësisoj ka vepruar pak ditë pasi ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se në Prokurorinë Themelore të Prizrenit kanë dorëzuar kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës së Prizrenit, drejtorit të Urbanizimit,  bashkëpunëtores profesionale të kësaj komune e drejtoreshës së Departamentit Ligjor të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Kallëzimi është bërë pas rrënimit të tri monumenteve nën mbrojtje të përhershme. Në këtë rast, është dorëzuar kallëzim penal edhe ndaj investitorit privat për shkatërrim të trashëgimisë kulturore, saktësisht një pjese të kompleksit monumental “Saraji i vjetër – Prizren”. 

Por sipas kryetarit Totaj, gjendja është më ndryshe. Ai ka treguar se Komuna në vitin 2018, kur udhëhiqej nga Mytaher Haskuka, ka refuzuar të pajisë me leje investitorin privat. Sipas tij, lënda ka shkuar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Kjo Ministri do të përgjigjej pozitivisht për investitorin dhe Komuna do ta kontestonte këtë në Gjykatë.  

“Mirëpo, pas disa veprimeve të kësaj natyre është konfirmuar nga Gjykata dhe Komunës i ka ardhur dokumenti i cili thotë se Komuna është e obliguar të zbatojë vendimin e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor që investitorin ta pajisë me leje”, ka thënë ai.

Kryetari ka vazhduar, duke thënë se më pas u janë drejtuar institucioneve të Ministrisë së Kulturës, por ato janë vonuar në përgjigje dhe procedura ka vazhduar. Në mars të vitit të kaluar, kompleksi kishte marrë statusin ligjor më të lartë që i jepet një aseti të trashëgimisë kulturore. Procedurën e ka kontestuar kryetari Totaj. 

“Komuna pasi e ka humbur rastin, ka filluar me procedurën e dhënies së lejes. MKRS-ja çuditërisht ka tentuar që lokacionin ta vendosë nën mbrojtje të trashëgimisë kulturore dhe historike. Ky tentim ka qenë i kundërligjshëm, sepse ka filluar të ndodhë gjatë procedurës së dhënies së lejes”, ka thënë Totaj.

Sipas tij, po ashtu, nuk lejohet “vendosja nën mbrojtje e një objekti pa e bërë valorizimin dhe pa e njoftuar Komunën”. 

“Ne nuk kemi pasur asnjë njoftim se një gjë e tillë ka ndodhur. Për më tepër në librat Kadastrale, as në nivel qendror e as në nivel lokal nuk është e regjistruar si zonë e mbrojtur, pasi si aset e trashëgimisë kulturore, fare nuk është zonë e mbrojtur historike”, ka thënë Totaj. 

Sipas kryetarit Totaj, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka mbajtur konferencë për media të mërkurën veç për efekt elektoral. 

“Të gjitha janë thënë në konferencë për media dhe kallëzimi penal ndaj meje që nuk kam qenë i ndërlidhur direkt në atë, tregon për konsumin elektoral. Mendoj se është një qasje tepër jokorrekte. Dështimet e MKRS për t’i kryer detyrat e saj nuk duhet të tentohet t’i vishen as Komunës as Ministrisë së Ambientit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, ka thënë Totaj. 

Në fund të majit e në fillim të qershorit, monumentet qenë rrafshuar me tokë. 

Në bazë të shkresave, Ministria e Kulturës ishte njoftuar nga Komuna e Prizrenit për dhënien e lejes për ndërtim të një subjekti privat të premten e 24 majit. Të hënën – kur edhe kishin nisur punimet për rrafshimin e ndërtesave, MKRS-ja prapë ishte në dijeni. Leja parasheh ndërtim të objektit afarist e banesor. Sa i përket reagimit publik, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, nuk kishte bëzan fare deri në rrënimin e plotë të tri monumenteve. E të mërkurën e javës së kaluar ka qenë i zellshëm në konferencë.

“Kodi Penal i Republikës së Kosovës, veprat e klasifikuara si: Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës, i dënon deri në 10 vjet burgim, ndërsa si masë pasurore, sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, dënohen me gjobë nga 1 mijë deri në 500 mijë euro”, kishte thënë Çeku. 

Është ndalur te kronologjia e rrënimit të një pjese të kompleksit duke thënë se “Saraji i vjetër”, i cili para dy muajsh kishte hyrë në listën e mbrojtjes së përhershme, u rrënua më datën 27 maj 2024, nga pronari privat me qëllim të ndërtimeve për banim kolektiv, ndërsa kjo u bë e mundur nga Komuna e Prizrenit dhe persona të tjerë. 

“Kanë bërë shkelje flagrante të Ligjit për trashëgiminë kulturore, kanë vepruar pa autorizime ligjore, duke keqpërdorur detyrën zyrtare. Kurse mosveprimi dhe aprovimi heshtazi për shkeljen kushtetuese dhe të ligjeve në fuqi, nga drejtoresha e Departamentit Ligjor të MMPHI-së përbën vepër penale më vete, sipas Kodit Penal të Kosovës”, kishte thënë Çeku.

Për këtë rrënim investitori Avzilatif Xhemali, pronar i biznesit individual me emër tregtar “Rimed”, e ka shfrytëzuar vendimin për leje ndërtimore të lëshuar nga Komuna e Prizrenit. I njëjti në fund të vitit të kaluar kishte kërkuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve pëlqim për zhvillimin e parcelave që gjenden në zonën e dytë të mbrojtur në kuadër të Qendrës Historike të Prizrenit. IKMM-ja nuk e kishte dhënë pëlqimin. 

Ministri Çeku kishte thënë se menjëherë pas marrjes së njoftimit për rastin inspektorët e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore tanë kanë dalë në vend të ngjarjes “ku kanë konstatuar se kishte filluar rrënimi i asetit përmes dy akteve administrative të kundërligjshme dhe në prani të Policisë janë vendosur shenjat zyrtare për ndalim të punimeve dhe zyrtarisht me vendim të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore janë ndalur punimet e paautorizuara”. Ka treguar se  pavarësisht kësaj, pronari privat ka rifilluar punimet, kurse MKRS-ja me kërkesë urgjente i drejtohet ish-kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren për caktimin e masës së sigurisë. “Me caktimin e autorizimit për ndalim të punimeve, Policia e Kosovës ndalon punimet në asetin me status të mbrojtjes”. Por, siç ka raportuar KOHA në qershor, krejt kjo ishte bërë pas rrafshimit të ish-fabrikës së barnave, ajo që njihej si Burgu i Vjetër dhe një shtëpi e fundit e viteve ’20. Këto bashkë me Internatin dhe Postën e Vjetër, që gjenden në anën tjetër, kanë formuar kompleksin monumental “Saraji i Vjetër – Prizren”. Kompleksi mbrohet edhe në kuadër të Ligjit për qendrën historike të Prizrenit, si zonë e dytë e mbrojtur. 
Prokurori i shtetit, Shpend Binaj, kishte lëshuar “autorizim për vendosjen e masës së sigurisë”. Këtë ia ka drejtuar stacionit policor “Alfa” në Prizren. Në këtë rast, prokurori është bazuar në kërkesën e MKRS-së të datës 5 qershor për caktimin e masës së sigurisë, pasi Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore kishte vërejtur se nuk ishte respektuar vendimi i tyre i datës 30 maj për ndalimin e punimeve. Ministri Çeku ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë që rastin ta trajtojnë me seriozitet, përderisa ka kërkuar kthim të monumenteve në gjendjen e mëparshme.