Prej momenteve vendimtare të karrierës së tij është rikonstruktimi i veprës së Bachut me partitura të përgjysmuara. Koncerti në Prishtinë me veprën “St Mark Passion” është një fragment i suksesit e gati krejt karrierën e lidh me po këtë punë ku qëndis partiturat e tij me ato të gjeniut Johann Sebastian Bach. Jörn Boysen u rrit me muzikën. Me të arrin të përshkruajë peizazhe, të ilustrojë imazhe, situata. Të shprehet. Guximi, mbase më i madhi në karrierën e tij, në një bashkëbisedim me KOHËN tregon të ketë qenë marrja përsipër e rikonstruktimit të një vepre të një prej emrave më të mëdhenj të muzikës klasike. Edhe madje në moshën 34-vjeçare, në vitin 2010.
Si trevjeçar u dashurua në muzikën klasike. Në moshën 12-vjeçare kompozoi veprën e parë si nismëtare e repertorit të pasur të kompozitorit, dirigjentit e cimbalistit Jörn Boysen. Prej momenteve vendimtare të karrierës së tij është rikonstruktimi i veprës së Bachut me partitura të përgjysmuara. Koncerti në Prishtinë me veprën “St Mark Passion” është një fragment i suksesit e gati krejt karrierën e lidh me po këtë punë ku qëndis partiturat e tij me ato të gjeniut Johann Sebastian Bach.
Boysen u rrit me muzikën. Me të arrin të përshkruajë peizazhe, të ilustrojë imazhe, situata. Të shprehet. Guximi, mbase më i madhi në karrierën e tij, në një bashkëbisedim me KOHËN tregon të ketë qenë marrja përsipër e rikonstruktimit të një vepre të një prej emrave më të mëdhenj të muzikës klasike. Edhe madje në moshën 34-vjeçare, në vitin 2010.
Por krejt potenciali nisi qysh herët, nga pasioni i një fëmije që “sapo ka marrë këmbët”, çmendet pas muzikës klasike.
“Isha shumë i vogël, veç tre vjeç, kur çmendesha për muzikën klasike. E dëgjoja në radio. Ka gjëra që unë nuk i mbaj mend, por prindërit më kanë treguar që u duhej të më blinin regjistrimet e Mozart, Prokofiev e të tjerë. Kur shkova në shkollë, më interesonte prapë muzika. Unë vij nga një familje që nuk ka të bëjë asgjë me muzikën, kështu që unë isha ai fëmijë i çuditshëm”, tregon Boysen.
Muzika si konstante prej fëmijërisë
Ka kujtuar se muzikën e kishte konstante në mendje.
“Më kujtohet që gjithmonë këndoja dhe më pas fillova të shkruaja, më pas të kompozoja. Kur isha 12 vjeç shkrova veprën e parë. Pastaj doja të dija më shumë për këtë muzikë kështu që mbaja shënime tërë kohën”, ka thënë ai.
Dirigjenti dhe kompozitori Jörn Boysen u lind në Lübeck të Gjermanisë në vitin 1976. Pas studimeve në Shkollën e Muzikës në Lübeck, u zhvendos në Holandë ku studioi me Tini Mathot dhe Ton Koopman në Konservatorin Mbretëror në Hagë.
Paraprakisht ka ndjekur mësimet për piano, edhe pse donte të studionte instrumentin harpsikord. Ato që do t’ia mësonte shkollimi akademik, Boysen do t’i realizonte ende pa mbërritur te studimet. Rrëfimi nis me veprën e parë.
“Ishte një sonatë për piano. Në shkollë kam pasur miq që luanin muzikë me mua dhe unë fillova të krijoja muzikë për ne. Para se të nisja studimet veçse i bëja këto gjëra, isha autodidakt”, rrëfen Boysen, i cili ka karrierë të bujshme në skenën muzikore të kësaj kohe.
Si themelues dhe drejtor i “Musica Poetica”, dirigjent i ftuar ose solist, ai performon rregullisht në Gjermani, Holandë dhe Francë.
Ishte i ftuar në festivale evropiane si: “Festival Mitte Europa”, “Göttinger Händel Festspiele”, “Delft Chamber Music Festival”, “Itinéraire Baroque” dhe “Utrecht Festival Oude Muziek”.
Boysen ka drejtuar edhe produksione operash. Gjithashtu ka kompozuar muzikë për produksione të Operës së Rotterdamit – “Orfeo Intermezzi” më 2005 për “Utrechtse Spelen” dhe “Utrechtse Spelen” për shfaqjen “Invalidi Imagjinar” me tekst të Moliere më 2009 dhe 2011. Një vit më pas mori pozitën e drejtorit muzikor të “Opéra Mosset” në Francë.
Me të përfunduar rikonstruktimin e veprës së Bach, u bë një prej dhjetëra kompozitorëve që, me stilin e tyre, kanë plotësuar mozaikun e veprës “St Mark Passion”. Ai i Boysen konsiderohet shumë i përafërt me pjesët origjinale. Baroku është i pashmangshëm për të.
Rikonstruktimi i mozaikut të Bachut
“Në vitin 2010 m’u kërkua ta rikonstruktoja këtë vepër nga ‘Musica Antica’ dhe ata e dinin që nuk isha i pari që po e bëja. Ishte sikur të shkosh në muze dhe të duhet të plotësosh mozaikun e afreskeve me hapësirat që mungojnë. Tani pyetja është: a e ke punuar në atë mënyrë që ta plotësosh dhe njerëzit të mos e kuptojnë dallimin midis pjesëve? Kjo është ajo që bëra unë me këtë vepër. Por në një stil modern”, tregon kompozitori gjerman.
Megjithatë, sipas tij, kurrë nuk është ndjenja që stilistikisht ndërtimi i veprës është i ngjashëm me pjesën tjetër të partiturave.
“Më kërkuan ta punoja këtë vepër. Donin të mos vërehej se çfarë është origjinale dhe çfarë jo. Donin diçka që tingëllonte si Bach që nga fillimi e deri në fund. Kur ma kërkuan, u thashë ‘jo, nuk do ta bëj këtë, sepse ai është kompozitor i madh dhe nëse vetëm tentoj, do të dështoj’. Ata më thirrën prapë e prapë dhe për të tretën herë pranova, sepse në vitin 2010 qeveria holandeze uli buxhetin në 50 për qind në fushën e artit. Kishim krizë financiare dhe në fund të vitit 2010 fillova. Më mori rreth pesë muaj kohë”, rrëfen Jörn Boysen.
Në mars të vitit 2011 e pati premierën versioni i tij i rikonstruktimit të “St Mark Passion” të Bachut. Ai kompozoi të gjitha recitativat që mungonin, pjesët e korale dhe ariet e veprës së vitit 1731.
Suksesin e veprës e pati vërejtur që në lojën e instrumentistëve me të cilët po përgatitej për koncert.
“Ishte shumë mirë. Kolegët e mi që luanin në orkestër nuk mund ta dinin se cilat pjesë ishin origjinale dhe cilat jo. Isha krenar për këtë”, është shprehur Boysen.
Vetë veprën e ka dirigjuar sikurse edhe ka luajtur në harpsikord. I pozicionuar në qendër të asaj që shënjohet si “skenë” në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, i ka menaxhuar të dyja: lojën e tij dhe atë të Orkestrës. Kritikët e përshkruajnë lojën e tij në instrument si afektive, dinamike dhe delikate.
Me solistë tenorin danezo-gjerman Mathias Monrad Møller, bas-baritonin holandez Wessel Van Der Ham, mexosopranon Diellza Sylejmani dhe sopranon Elonë Sadiku, pikërisht me “St Mark Passion”, Filharmonia e Kosovës i ka bërë homazh veprës dhe festë gjenialitetit të njërit prej figurave kyç në botën muzikore në 340-vjetorin e lindjes.
Boysen qe i pari që ndoqi vazhdimisht procedurat historike në procesin e kompozimit, ndërsa në pranverën e vitit 2022 përfundoi versionin e dytë të veprës së plotësuar më 1744, të cilën Bach e kishte zgjeruar me dy arie të tjera.
“U munduam të gjenim një mënyrë t’i qasemi muzikës për ta bërë të tingëllojë sa më historike të jetë e mundshme pasi tani luhet në instrumente në mënyra të ndryshme dhe tekstet nuk janë strikte më. Mënyra se si artikulon muzikën, jemi mësuar me linjat ‘legato’, por në muzikën e Bachut lëre që nuk ka të tilla, por ka edhe artikulim ndryshe, sepse gjithçka fillon me gjuhën. Edhe instrumentet duhet të flasin. Njëjtë ngjan edhe me Korin, është shumë e vështirë të këndohet, kërkon shqiptim të saktë”, tregon ai.
E ka vlerësuar punë të madhe të Orkestrës e Korit të Filharmonisë së Kosovës, sikurse edhe të solistëve që kanë shpalosur rrëfimin e veprës edhe në Prishtinë. Vepra është me libret në gjuhën gjermane. Sipas Boysen, vepra tregon pasionin e Jezusit, torturën e kryqëzimin.
“Prifti ka një problem me Jezusin dhe duan ta gjejnë një mënyrë për ta hequr qafe, u duhej vetëm një arsye për ta kapur dhe ishte Judas që e bëri këtë. Ata shkojnë të gjithë të trajnohen. Ushtarët e marrin Jezusin dhe e dërgojnë në tempull për gjyq, një gjyq i rremë në fakt, por vetëm si arsye për ta vrarë. Pjesa e dytë fillon me momentin kur nis gjyqi. Ka qenë e ndaluar të vendosësh veten në një rend me Zotin kështu që e pyesin se a ‘mendon se je mbreti i hebrenjve’ dhe ai u thotë ‘po’, kështu që kanë një arsye për ta vrarë”, ka shpjeguar ai.
Derisa ka theksuar vështirësitë e punës në këtë vepër, ka treguar formën e punës së tij.
“Fillimisht e vendos tekstin e Bach dhe më pas bëj një strukturë harmonike bazuar në dramën e veprës, sipas mënyrës se si do të dizajnosh harmoninë. Kjo është e para. Pastaj meloditë duhet të përshtaten me strukturën harmonike dhe më pas vijnë recitativat. Sepse është muzikë shumë e vjetër dhe njerëzit nuk duhet të dallojnë ndryshime”, tregon Boysen teksa bën me dije se në rastin e një arieje të veprës i është dashur ta shkruante atë komplet.
“Për shembull, më është dashur që një arie ta shkruaj krejtësisht. Atë e kam kompozuar vetë, për shkak se poema në arie është shumë e veçantë. Duhet të kesh shumë kujdes në zgjedhjen e muzikës, sepse nuk mund të përdorësh muzikë që është shkruar as pas 20 vjetësh. Duhej të gjeja arie të asaj kohe dhe të së njëjtës natyrë që i përshtatet. Gjithmonë kam thënë se nuk dua të shkruaj arie. Mund t’i shkruaj recitativat, por jo një arie”, rrëfen ai në vazhdim të fjalës së tij në një intervistë një ditë pas koncertit të së premtes në Prishtinë. ********
Një formë e tillë e të shkruarit ishte kopjim i stilit të Bach dhe një gjë të tillë nuk e kishte provuar deri atëherë.
“Kurrë nuk kam provuar ta kopjoj stilin e Bachut në atë mënyrë. Kam shkruar në stil barok, muzika tingëllon e vjetër, kështu që e shkruajta dhe njerëzit e dinin se njëra nuk do të ishte e Bach, por kurrë nuk e qëllonin se cila ishte. Në këtë vepër, në pjesën e parë, ka shumë harmoni, njëra arie tingëllon shumë moderne. Stilistikisht është më modernia në vepër, por është nga Bach. Unë duhej ta kamufloja këtë frymë”, tregon ai.
Kompozitori e dirigjenti gjerman thotë se për poezi nuk është e vështirë ta përshtatësh muzikën, por për prozë, recitativa në këtë rast, sipas tij, është e pamundur.
“Muzikologët e vitit ’60 e kanë gjetur se çfarë muzike ka përdorur Bach për tekste dhe për poezi, por për prozë, nuk mund ta ripërdorësh muzikën për recitativa. Është e pamundur sepse të duhet ta ekstradosh pikërisht muzikën që i përshtatet ajo duke e krahasuar me tekstin. Disa nga kolegët e mi që e kanë rikonstruktuar këtë vepër e kanë prerë muzikën dhe e kanë vendosur në këtë tekst duke e përshtatur atë, ky është proces shumë i komplikuar, më së miri është t’i shkruash nga fillimi”, rrëfen ai.
Boysen përgjatë karrierës ka kompozuar vepra të ndryshme orkestrale, dhome dhe vokale dhe muzikë për klaviçembal. Cikli i tij i këngëve “Schattenwind” mbi tekstet nga koleksioni me të njëjtin emër të piktorit dhe shkrimtarit gjerman Rainer Erhard Teubert është shfaqur premierë në mars 2010 në qytetin e tij të lindjes, në Lübeck.
Veprat e tij janë porositur dhe interpretuar nga “Nederlands Bach Society” “Musica Poetica”, “Baroque Chamber Orchestra of Colorado” në ShBA, Filarmonisë së Berlinit dhe “Residentie Orchestra” në Hagë, e institucione të tjera.
Përveç punës së tij si muzikant interpretues, si drejtor artistik i organizatës së koncerteve “Musica Antica”, Boysen ishte përgjegjës për programimin e muzikës së hershme në Hagë për dymbëdhjetë vjet, deri në vitin 2023. Ai jep mësim në Konservatorin e Utrechtit.
Në Prishtinë ka sjellë mjeshtërinë, shkathtësitë e punën e tij madhore. Në ritmet e muzikës është historia e fati i një vepre madhore të gjeniut botëror. Por edhe vetë portreti i tij prej muzikanti ku përbashkohen kompozimi, dirigjimi e interpretimi.