Kulturë

Klasikja në Prishtinë – takimi i ëndërruar mes artistëve dhe publikut

Për disa ditë me radhë, punëtori e master-klasa kanë vënë në dukje nevojën që vendi t’i ketë kuadrot profesioniste, që do të përbëjnë mishin dhe skeletin e Operës së Kosovës, institucion ky që u formua ditë më parë nga Kuvendi i Kosovës. Me këtë ambicie në mendje, edicioni i parë i “Ramë Lahaj, International Opera Festival” sonte mbyll siparin e vet me një mbrëmje që do t’i sjellë kryeqytetit nevojën e ndier për interpretime klasike

Dy vjet më parë, dita e parë e gushtit nuk kishte qenë e zakontë për Prishtinën. “Vajbi” i kryeqytetit nuk ishte vetëm zallamahia e pafundme e mërgimtarëve, kafeneve të stërmbushura dhe jetës së natës. Mbrëmja impozante “Ramë Lahaj dhe miqtë” në gusht të 2019-s i kishte dhënë një sharm klasik Prishtinës me jehet e interpretimit të arieve të përbotshme të Giuseppe Verdit, Luigi Illicas dhe Giuseppe Giacosas.

Një rikthim i tillë është paralajmëruar edhe për sonte: rreth dy mijë veta pritet të jetë publiku, që bëhet sy e vesh drejt skenës që mbizotërohet nga anëtarët e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës.

Duke e përmbyllur edicionin e parë “Ramë Lahaj, International Opera Festival” – që kaloi mes punëtorish e koncertesh për të rinj – tenori Lahaj tok me sopranon kroate Lana Kos dhe italianët, Antonello Allemandi (dirigjent) dhe Simone Piazzola (bariton) janë shpresëplotë që kjo mbrëmje do të përshkohet nga diçka e madhe.

Në konferencën e mbajtur të premten në mjediset e hotel “Opera”, ata kanë shpalosur hollësi të përgatitjeve për gala-mbrëmjen që mbahet sonte (e shtunë).

Tenori 38-vjeçar, i cili është themelues i festivalit, ka thënë se qëllimi i tij është të kontribuojë për edukimin profesional të brezave të rinj.

Duke folur për formimin e Operës së Kosovës, së cilës ditë më parë Kuvendi ia dha dritën jeshile të themelimit, ai ka përmendur se ky institucion ka nevojë për resurse profesionale.

“Sa më shumë që po mendohet edhe për Teatrin e Operës, unë shpresoj që do ta kuptojnë se nisma të tilla janë të rëndësishme për këtë institucion. Ne nuk kemi mjaftueshëm kuadro sa për të ngritur një standard”, ka thënë Lahaj.

E bashkëpunëtorët e Lahajt kanë folur gjithë entuziazëm për përgatitjet për mbrëmjen përfundimtare. Me këtë rast, dirigjenti Antonello Allemandi është shprehur i bindur që do të performohet një “koncert i bukur”.

“Dita e parë ishte pak e vështirë, por menjëherë në ditën e dytë kam hasur përmirësim të madh tek orkestra”, ka thënë virtuozi 64-vjeçar italian teksa ka treguar se këngëtarët kanë dhënë prova shumë të mira.

E pranishme në konferencë ka qenë edhe sopranoja Lana Kos, e cila ka paralajmëruar se do të interpretohet “diçka e madhe” në këtë periudhë pandemie. Ajo e ka përshkruar si lumturi të madhe faktin që po i jepet mundësia të performojë para publikut prishtinas.

“Është një nder i madh dhe luks të interpretojmë në këto momente. Ne kemi pasur një kohë të gjatë qetësie dhe jemi të uritur të interpretojmë në skenë e të ndajmë emocione përmes muzikës para audiencës së vërtetë”, ka thënë Kos, e cila është një nga sopranot më të njohura në Kroaci.

E po këtë përshtypje ka shpalosur edhe baritoni 35-vjeçar nga Italia, Simone Piazzola. Në adresimin e bërë gjatë kësaj konference, ai ka thënë se është i nderuar të performojë përballë publikut në rrethanat nëpër të cilat po kalon bota.

“Është nder të jem këtu në këto momente historike të një vështirësie të madhe, dhe të kesh mundësi të transmetosh emocione te publiku është diçka unike, pasi në këtë situatë është diçka e rrallë të interpretojmë”, ka thënë Piazzola.

Ndryshe, të hënën, në kuadër të festivalit, është mbajtur koncerti “New Generation”, ku të rinjtë, pas master-klasave dhe punëtorive, u sprovuan edhe në skenë.