Vendosja e objektit metalik nga llamarina në Malin e Rumisë në vitin 2005 nuk ka dilemë së është realizuar me bekimin e heshtur të pushtetit vendor dhe atij qendror. Nëse një veprim i tillë në atë kohë vlerësohej se ishte një lëshim nga ana e pushtetit, sepse ishte në përgatitje të referendumit për pavarësi të Malit të Zi (21 maj 2006), qëndrimi indiferent më pas ndaj një objekti të tillë të quajtur kishë, ka politizuar skenën politike, duke rikthyer ortodoksizmin si në vitet ‘90 të shekullit të kaluar.
Kujtojmë me këtë rast së në llamarinën e vendosur në Rumi në vitin 2005, arkitektët e këtij montimi metalik kanë vazhduar me punime tjera duke mveshur fasadën e këtij objekti me material të fortë, përkatësisht me gurë (tetor 2018). Dhe i tërë ky angazhim restaurues është bërë në mënyrë legale, ku patën reaguar disa parti politike e shoqëria civile. Duhet theksuar edhe reagimet e argumentuara të subjekteve politike shqiptare, duke i përkujtuar pushtetit së objekti i tillë sa i paligjshëm është edhe provokues për shqiptarët si popull autokton në këtë mjedis, andaj si i tillë duhet të hiqet nga Mali i Rumisë.
Deklarata e kryeministrit pa realizim praktik
Nga reagimet ndaj një objekti të tillë të paligjshëm, duhet përkujtuar deklaratën e kryeministrit të Malit të Zi, D. Markoviq, të datës 24 tetor 2018, i cili në mes tjerash ka deklaruar se “objekti është i paligjshëm dhe si i tillë duhet të hiqet nga ai vend”, duke theksuar së ligji duhet të vlejë për të gjithë, për çdo ndërtim joligjor. Por, nga ajo kohë, të gjithë jemi dëshmitarë se në praktikë nuk është realizuar asgjë, por siç duket ishte një deklarim politik ditor, dukuri që nuk është e panjohur në skenën politike.
Por, më të drejtë bëhet pyetja si do të kishte reaguar pushteti qendror nëse rastësisht pjesëtarë të kishës katolike, apo bashkësisë islame të kishin ngritur objekte të kultit të tyre, kishë apo xhami në Rumi. Nuk ka dilemë se reagimi do të kishte qenë i menjëhershëm, me ndëshkime ligjore, por me KOS-in puna qëndron ndryshe, sepse ata në heshtje mbështeten nga pushtetarët. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, se objekti metalik i vendosur në Rumi, më 18 qershor 2005, është ndërtuar në Tivar, dhe bartur me helikopter të ushtrisë së Serbisë-Malit të Zi. Pra ishte realizuar me bekimin e miratimin e pushtetit të kohës. Andaj, kjo është edhe arsyeja se pse nuk ka reaguar me kohë pushteti qendror për të realizuar në praktikë vendimet e veta për zhvendosjen e objektit metalik në mjedisin përkatës. A është kjo heshtje e rastit apo kompromis me përfaqësuesit e kishës serbe, mbetet të supozohet.