Kulturë

Kineastët iranianë në pritje të kohëve pa censurë

Irani

Massoud Pezeshkian, presidenti i ri i Iranit, ka ngjallur shpresat se arti nuk do të përballet me censurë

Zgjidhja e politikanit të moderuar, Masoud Pezeshkian, për president të Iranit, ka shtuar shpresat te kineastët iranianë për një të ardhme artistike pa censurë. Shenja për këtë tashmë janë dhënë.

“Ne patëm një takim me presidentin, diskutuam problemet e censurës së viteve të fundit dhe vërtet ia prekëm zemrën”, citohet të ketë thënë regjisori Jahangir Kosari, shkruan agjencia e lajmeve DPA. 

Sipas kësaj agjencie, pas takimit të para disa ditësh, regjisori Kosari dhe kolegët e tij ishin të bindur se industria e filmit iranian do të “marrë frymë” me Pezeshkian dhe do të gjejë një rrugë pa censurë.

Megjithatë, Kosari duhet të jetë ende i durueshëm me shpresat e tij për kohë më të mira. Filmi i tij i fundit është “I am Forough” që sjell portretin e poetes e regjisores Forough Farrokhzad, një figurë me ndikim, por jo pak e diskutueshme në rrymë moderniste, zë i fuqishëm feminist. Vdiq në një aksident automobilistik në moshën 32-vjeçare në vitin 1967. Filmi  nuk mund të shfaqet në kinema me udhëzimet e Ministrisë së Kulturës. Ndalimi vjen pjesërisht edhe për shkak të faktit se poetja Farrokhzad, shumë e popullarizuar në vend është një nga feministët kryesorë të Iranit dhe për këtë arsye është një ”halë në sy” e sistemit islamik, por edhe për shkak të së bijës së tij, Baran Kosari që luan rolin kryesor në film.

”Në solidaritet me lëvizjen e grave, ajo hoqi mbulesën e detyrueshme në vitin 2022 dhe që atëherë, i është ndaluar të punojë dhe të udhëtojë jashtë vendit. Prandaj, fotografia e saj, posteri dhe vetë filmi nuk mund të shfaqen publikisht”, ka thënë Kosari. 

Megjithatë, ai shpreson që kjo “ndalesë absurde” të shfuqizohet me Pezeshkian dhe një ministër të ri të Kulturës.

Me Pezeshkian, kineastët iranianë shpresojnë gjithashtu që në të ardhmen, arti dhe jo shamia do të jetë sërish fokusi kryesor kur bëhet fjalë për filmat.

Massoud Pezeshkian në fillim të këtij muaji fitoi rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të Iranit, duke mposhtur liderin e vijës së ashpër Saeed Jalili, ndërsa premtoi se do të afrohet me Perëndimin dhe do të lehtësonte zbatimin e ligjit të detyrueshëm për shaminë.

Pezeshkian ka qenë anëtar i Parlamentit iranian prej vitit 2008 dhe ka shërbyer si nënkryetar mes viteve 2016 dhe 2020, kur reformistët dhe të moderuarit gëzonin shumicën në legjislaturë.

Pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini, më 2022 në paraburgim për gjoja veshjen e shamisë së kokës në mënyrë jo të duhur, Pezeshkiani i kishte vënë në pikëpyetje metodat e Iranit për zbatimin e detyrueshëm të hixhabit, një shami islamike e kokës për gratë. Pas vdekjes së Aminit, e cila nxiti trazira disamujore në gjithë vendin, Pezeshkian pati kërkuar sqarim nga autoritetet për rastin e saj.