Kulturë

“KFOR dhe Kosova +25” me kontrastet midis luftës dhe paqes

Ekspozita

Në të gjitha fotografitë e Nick Sidle paraqitet realiteti nëpërmjet një këndi human. Aty vizualizohen shpresa në sytë e fëmijëve, bujaria dhe mirënjohja e shqiptarëve të Kosovës, si tentim për ta rindërtuar jetën e përditshme në një vend të sapodalë nga lufta

Foto: Driton Paçarada

Imazhet që tash janë shndërruar edhe në lloj artefaktesh për kujtesën kolektive, bashkohen në ekspozitën foto-dokumentare “KFOR dhe Kosova +25” të fotoreporterit skocez, Nick Sidle e hapur të martën në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Krijojnë një rrëfim për muajt e parë të çlirimit, dhe prekin kontrastet midis shenjave të regjimit serb dhe shpresës për jetë të re në liri

Ekspozita foto-dokumentare “KFOR dhe Kosova +25”, me rastin e 25-vjetorit të vendosjes së KFOR-it në Kosovë, risjell disa prej momenteve pas çlirimit të Kosovës, por këtë radhë nëpërmjet fotografive. Të ngrira në imazhe të fotoaparatit të fotoreporterit skocez, Nick Sidle, janë kujtimet e rrëfimet nga vitet e pasluftës në Kosovë, 2000-2001. Sidle, asokohe si bashkëpunëtor me regjimentet e Mbretërisë së Bashkuar dhe forcat e kombeve të tjera që ishin pjesë e ndërhyrjes së KFOR-it, kishte kapur momente të ndryshme nga puna e ushtarëve të këtyre trupave, por jo vetëm. 

Në të gjitha fotografitë e tij paraqitet realiteti nëpërmjet një këndi human. Aty vizualizohen shpresa në sytë e fëmijëve, bujaria dhe mirënjohja e shqiptarëve të Kosovës, si tentim për ta rindërtuar jetën e përditshme në një vend të sapodalë nga lufta. 

Por 25 vjet pas, ky rrëfim si duket nuk kishte përfunduar për Sidle. Pas hapjes në janar në “Tower of London” në Londër, kjo ekspozitë vjen edhe në Kosovë me simbolikën e vet. U rikthehet qytetarëve të Kosovës në Muzeun Kombëtar, ku është hapur solemnisht të martën, si bashkëpunim me organizatën

“Heartstone”, e cila operon me ekspertizë në sjelljen e ekspozitave nëpërmjet rrëfimeve të vërteta të njerëzve. 

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kjo ekspozitë risjell kujtimet e periudhës së 25 vjetëve më parë pikërisht në vigjilje të këtij përvjetori. Ka përmendur se si NATO-ja arriti ta ndalojë planin gjenocidal të Serbisë së Millosheviqit për të shfarosur popullatën shqiptare në Kosovë  (Foto: Driton Paçarada)

Këto imazhe të cilat mbërthejnë një kthinë të Muzeut Kombëtar të Kosovës në qendër të objektivit të fotoaparatit kanë ndërveprimet e ushtarëve me popullin e Kosovës, duke u ofruar siguri nxënësve që merrnin rrugën për në shkollë, të rriturit nëpër puna, duke ruajtur ambientet jashtë kishave e xhamive. Në njërën nga to shihet Billy Miller, njëri nga ushtarët, i intervistuar për këtë ekspozitë, i cili gjithashtu kishte formuar një ekip futbolli me pjesëtarë nga komunitete të ndryshme gjatë kohës se sa ishte në Kosovë. Në një imazh tjetër ai shihet dhe duke shikuar një hartë me një fshatar duke u munduar të identifikojnë një zonë të minuar. Në disa fotografi shfaqen dhe pjesë nga procesi i “demilitarizimit” apo “çarmatosjes” së popullit. Një djalë i vogël duke u dhuruar një lodër pistoletë dhe një burrë plak i cili ua tregon ushtarëve lejen e tij të posedimit të armës. 

Sitakumari, drejtoreshë e “Heartstone” ka tërhequr paralele midis së sotmes dhe kapitullit që shpalos ekspozita. 

“Jam shumë e nderuar që gjendem sot këtu në mesin tuaj. Është një privilegj i vërtetë për mua dhe jam e nderuar të prezantoj këtë rrëfim. 25 vjet vërtet nuk janë shumë dhe ndryshimet që shoh në Kosovë janë të jashtëzakonshme, më jep shumë kënaqësi të madhe që jam sot këtu”, ka thënë ajo.

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kjo ekspozitë risjell kujtimet e periudhës së 25 vjetëve më parë pikërisht në vigjilje të këtij përvjetori. Ka përmendur se si NATO-ja arriti ta ndalojë planin gjenocidal të Serbisë së Millosheviqit për të shfarosur popullatën shqiptare në Kosovë. Por për të kjo ekspozitë ka një domethënie edhe personale.

“Dy vjetët e gjysmë të para të lirisë unë kam qenë rob lufte, nga i burgosur politik më 10 qershor bëhem rob lufte. Dhe është kjo pjesë e cila më mungon, janë ato dy vjet e gjysmë të parat që nuk i di, sepse kam qenë i mbyllur dhe i izoluar. Dhe të gjitha këto ekspozita ose shfaqje e paraqitje të cilat na kthejnë 25 vjet prapa nuk janë të tilla që më rikujtojnë mua, sesa më mësojnë për atë që më mungon”, është shprehur ai. 

Fotografitë janë artefakte që dëshmojnë edhe guximin e sakrificës e Sidle për të dokumentuar këtë pjesë të vyeshme të historisë së Kosovës (Foto: Driton Paçarada) 

Ai përkujtoi se në atë kohë, Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 1244, e cila autorizonte dislokimin e forcave ndërkombëtare ushtarake dhe civile në Kosovë, dhe qindra mijëra refugjatë të dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre u kthyen në Kosovën e djegur plot me varre dhe të vrarë.

“Kjo ekspozitë na kthen pas, në muajt e parë të lirisë dhe sjell në pah një periudhë të rëndësishme historike për të gjithë ne. Na sjell kontrastin midis çnjerëzores së një regjimi dhe bukurisë së hershme të njerëzimit. Krahas mbajtjes gjallë të kujtimeve, është edhe informuese dhe frymëzuese për brezat e rinj", ka shtuar Kurti.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ministrja e Jashtme Donika Gërvalla, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ushtruesja e detyrës së drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës, Vjollca Aliu dhe deputetë.

Nëpërmjet video-lidhjes në ngjarje kanë marrë pjesë edhe fotografi Nick Sidle, drejtori i UNA Scotland, dr. Gari Donn dhe drejtori i “Interfaith Scotland”, dr. Maureen Sier, të dy organizatat partnere me Heartstone për këtë nismë, Lord David Hannay, kryetar i Grupit të Përbashkët Parlamentar, Dhomat e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Lord Clive Soley dhe gjeneral Sir Nicholas Carter, Komandanti i parë i Batalionit të 2-të të “Royal Green Jackets” në Prishtinë në vitin 1999, veteranë nga imazhet që janë gjurmuar për të ndarë përvojat e tyre pas çerekshekullit dhe përfaqësues të regjimenteve të paraqitura në fotodokumentar.

“KFOR dhe Kosova +25” vjen si një ekspozitë e cila i shërben memories kolektive, tenton të ndërtojë pjesë të narrativit të pasluftës. Aty nuk ka data e emra të përveçëm. Aty zënë vend momentet e rëndomta të përditshmërisë të cilat pasqyrojnë realitetin e njerëzve. Vjen si një rishikim i të kaluarës. Fotografitë janë artefakte që dëshmojnë edhe guximin e sakrificën e Sidle për të dokumentuar këtë pjesë të vyeshme të historisë së Kosovës. 

Lord George Robertson, ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjatë periudhës së fotodokumentarit, kishte mundësuar që pikërisht ekspozita e njëjtë 25 vjet më parë do të prezantohej edhe në parlamentin e Brukselit e në selinë Qendrore të NATO-s, ndërkaq 25 vjet më vonë në Kosovë ai rikujtoi përpjekjet e vazhdueshme për lirinë e Kosovës.  

“Unë jam këtu për të prezantuar vetëm majën e një ajsbergu gjigant të njerëzve të cilët ishin të angazhuar që të ruajnë Kosovën. 25 vjet më parë, metaforikisht ne kishim të bënim me male të tëra për të kaluar për ta shpëtuar Kosovën. Dhe unë sot përfaqësoj shumë njerëz nga 19 vende të NATO-s, personel dhe diplomatë të ndryshëm që u angazhuan që Millosheviqi të rrëzohej. Kosova ka qenë një moment definues për shumë prej nesh. Kemi shumë tregime nga ato kohë, dhe ka nga to që janë shumë humane. Kujtoj nga ajo kohë me shumë qartësi momentet kur shikoja njerëzit nëpër male, e kjo ekspozitë reflekton natyrën humane se çfarë ka ndodhur menjëherë pas luftës. Këto janë rrëfime që duhet të tregohen dhe të servohen për gjeneratat e reja“, ka thënë ai.

Ndërkaq, Muzeu Kombëtar i Kosovës në shenjë falënderimi për punën dhe përpjekjet e vazhdueshme të Robertson i ndau atij një dhuratë, kokën atropomorfe, kopje e njërit prej 1244 artefakteve të Kosovës, të plaçkitura nga Serbi të cilën ia dorëzoi ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku. 

I pranishëm në hapje të ekspozitës ishte edhe ambasadori i Mbretërisë se Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves. Për të kjo ekspozitë simbolizon dhe raportet e mira midis dy vendeve dhe lidhjen e fortë që kanë Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar. 

“Kam pasur nderin ta shoh këtë ekspozitë në Londër, atëkohë mbi të gjitha, ajo që më ka lënë përshtypje shumë është humaniteti i gjithë situatës, i atyre që dhanë jetët e tyre gjatë luftës në Kosovë dhe ata që kanë vajtuar dhe vazhdojnë të vuajnë edhe sot si shkak i luftës. Marrëdhënia mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar është shumë e veçantë, është e një lidhje e përjetshme dhe unë e ndiej këtë lidhje në përditshmërinë e punës sime”, ka thënë ai. Ka folur edhe për “takimin” e tij të parë me ekspozitën. 

“Edhe në Londër në ekspozitë kam pasur nderin të shoh shumë nga ushtarët që kanë shërbyer atëkohë në Kosovë dhe kam kuptuar se sa e rëndësishme është edhe për ta”, ka thënë Hargreaves.
Pas prezantimit në Muzeun Kombëtar të Kosovës, ekspozita do të vazhdojë të shfaqet në “National Memorial Arboretum’s Commemoration of Kosovo” në Mbretërinë e Bashkuar më 23 qershor dhe më pas do të bëjë turne nëpër Mbretërinë e Bashkuar me një prezantim të planifikuar në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar në nëntor.