Mungesa e pagesave për anëtarët, është e përbashkëta e Këshillit të Trashëgimisë Kulturore të Qendrës Historike dhe atij të Zymit. Përderisa Kuvendi Komunal synon që për të parin ta zgjidhë duke bërë ndryshime në një akt komunal, është aktivizuar edhe Këshilli i fshatit Zym, që pret të përfshihet njësoj në këtë vendimmarrje
Kuvendi i Komunës së Prizrenit nëpërmjet plotësim-ndryshimit të vendimit për themelimin e Këshillit të Trashëgimisë Kulturore të Qendrës Historike po tenton që ta zgjidhë çështjen e kompensimit material të anëtarëve të këtij trupi këshillëdhënës. Në mbledhjen e fundit të organit më të lartë vendimmarrës lokal, me shumicë votash është marrë vendimi që angazhimi i anëtarëve të KTK-së së Prizrenit të paguhet sipas Rregullores 10/2023 për Kompensimin dhe Funksionin Shtesë. Se a do të jetë adekuat ky lloj kompensimi mbetet që të vendosë niveli qendror nëpërmjet shqyrtimit të ligjshmërisë së vendimit përkatës të Kuvendit të Prizrenit.
Ndërkohë që është shqyrtuar plotësim-ndryshimi i vendimit për KTK-në e Prizrenit, në Kuvendin e Prizrenit ka lindur kërkesa që kompensimi i ngjashëm të ofrohet edhe për anëtarët e Këshillit të fshatit Zym.
Sipas anëtarëve të këtij këshilli, natyra e këtyre trupave është identike, prandaj edhe vendimet përkatëse është dashur që të shqyrtoheshin në pako, që të mos humbet kohë në këtë drejtim.
Por zyrtarët komunalë kanë arsyetuar se vendimmarrja po testohet në raport me KTK-në e Prizrenit dhe në rast të përgjigjes pozitive nga niveli qendror për ligjshmërinë e vendimit, atëherë menjëherë do të procedohet në këtë formë edhe vendimi për kompensimin e anëtarëve të Këshillit të fshatit Zym.
Kryesuesja e KK-së së Prizrenit, Antigona Berisha-Bytyqi, para kuvendarëve ka sqaruar se sipas vendimit të marrë në fund të vitit 2022, kompensimi i anëtarëve të KTK-së parashihej me Udhëzimin Administrativ, i cili është shfuqizuar me hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga.
“Tani parashihet që anëtarët e KTK-së të kompensohen konform nenit 7 të Rregullores 10/2023 për Kompensimin dhe Funksionin Shtesë”, ka thënë Berisha-Bytyqi.
Kuvendari i LDK-së, Haziz Hodaj, që është edhe anëtar i Këshillit të fshatit Zym, ka shtruar pyetjen nëse në këtë kategori hyn edhe trupi këshillëdhënës ku ai kontribuon.
“E njëjta kategori është. Por kemi menduar të shkojmë me këtë vendim për KTK-në e Prizrenit dhe me e prit ligjshmërinë për të, ndërsa pastaj të vazhdojmë edhe me Këshillin për fshatin Zym”, është përgjigjur kryesuesja.
Hodaj ka insistuar që për hir të racionalizimit të kohës, të dyja vendimet të procedohen në të njëjtën seancë.
“Këshilli i fshatit Zym është formuar para më shumë se një viti dhe anëtarët nuk kompensohen. Prandaj nuk është në rregull të diskriminohet ky këshill. Më vjen keq, se vetë jam anëtar i atij këshilli, dhe mund të tingëllojë si konflikt interesi, por meqë është e njëjta kategori edhe vendimmarrja do të duhej të shkojë në të njëjtën kohë”, është shprehur Hodaj.
Zyrtari ligjor Blerim Rakaj ka sqaruar se vendimi i ngjashëm për fshatin Zym nuk mund të procedohet në këtë seancë, pasi që është miratuar rendi i ditës, dhe se logjika e ndjekur ka qenë që të pritet vlerësimi i ligjshmërisë lidhur me vendimin për KTK-në e Prizrenit.
“Kemi kërkuar sqarime ligjore prej MAPL-së që e ka përcjellë shkresën në MPB. Por qe dy muaj e gjysmë nuk kemi përgjigje. Andaj ne kemi menduar se kjo formë është e duhur dhe presim konfirmimin ligjor. Pastaj mund të vazhdojmë me vendimin edhe për Këshillin e fshatit Zym”, ka thënë Rakaj.
Pavarësisht këtij sqarimi, Hodaj ka theksuar se vendimmarrja në KK u takon kuvendarëve.
“Prandaj po kërkoj me e fut edhe Zymin në të njëjtin votim. Nëse kthehet ligjshmëria, përgjegjësinë e marrim ne”, ka deklaruar ai. Sipas tij, shpjegimi i dhënë nga zyrtari ligjor çon në konstatimin se vendimmarrja për KTK-në e Prizrenit është votim eksperimental.
Nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, nuk është pajtuar me vlerësimin se bëhet fjalë për votim eksperimental.
“Çështja është se rregullorja është bërë duke u bazuar në Ligjin për Paga. Ideja është që nëse na kthehet prapa vendimi për KTK-në e Prizrenit, mos të na kthehen dy vendime, pra edhe ai për Zym. Përndryshe, në pikën ‘të ndryshme’ ju si anëtarë të KK-së mund të merrni vendim dhe ai vendim të futet në votim”, ka thënë Gashi.
Mirëpo kryesuesja e KK-së, Antigona Berisha-Bytyqi, ka pohuar se më mirë është që të pritet 15 ditë deri në vlerësimin e ligjshmërisë dhe në seancën e radhës të futet në agjendë vendimi për kompensimin e anëtarëve të Këshillit të fshatit Zym.
Pas këtyre diskutimeve me shumicë votash është miratuar vendimi lidhur me KTK-në e Prizrenit.
Roli i Këshillit për Trashëgiminë Kulturore, që përbëhet nga shtatë anëtarë, sipas dispozitave të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit është që të vëzhgojë dhe të këshillojë rreth aktiviteteve në Qendrën Historike të Prizrenit për ruajtjen e trashëgimisë së saj kulturore.
Ndërsa Këshilli për fshatin Zym përbëhet nga pesë anëtarë që kanë për detyrë të përfaqësojnë interesat e këtij lokaliteti në fushën e mbrojtjes dhe të promovimit të trashëgimisë kulturore, si dhe në fushën e planifikimit hapësinor dhe rural.