Pa konsensus midis partive politike dhe përkundër kritikave të opozitës, Artan Krasniqi, Fahri Sheqiri, Besarta Reçica, Enis Salla, Zanita Halimi, Arianit Buçinca dhe Sllagjana Boshkoviq, janë shtatë anëtarët e përbërjes së re të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Emrat e propozuar nga Komisioni Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport nuk qenë miratuar në shtator
Kuvendi i Kosovës ia ka dalë që ta zgjedhë shtatëshen e re të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore të mërkurën. Në shtator, seanca plenare kishte dështuar ta bëjë këtë. Kurse në seancën e së enjtes, veç pozita bëri 61 vota për anëtarët e KKTK-së. E ka bërë këtë pa konsensus midis partive politike, edhe përkundër kritikave të opozitës.
Artan Krasniqi, Fahri Sheqiri, Besarta Reçica, Enis Salla, Zanita Halimi, Arianit Buçinca dhe Sllagjana Boshkoviq, është shtatëshja e zgjedhur veç me votat e pozitës.
Megjithëse deputet e opozitës ishin të pranishëm, ata nuk kanë konfirmuar as pjesëmarrjen në sistemin elektronik. Emrat e propozuar nga Komisioni Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport nuk qenë miratuar në shtator, pasi opozita kishte kundërshtuar ata duke thënë se nuk janë kuadrot e duhura dhe se ka prej tyre që janë të përfshirë në anëtarësinë e shumicës parlamentare, Lëvizjes Vetëvendosje. Por të mërkurën, kur pozita ka pasur në seancë 61 deputetë, me shpejtësi e pa kurrfarë debati ka çuar përpara propozimet e Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport që udhëhiqet nga deputeti Ardian Gola.
Tre prej anëtarëve të përbërjes së re qenë edhe në përbërjen e kaluar që ishte votuar në korrik të vitit 2021 me mandat trevjeçar. Anëtarë të rinj janë Artan Krasniqi, Fahri Sheqiri, Besarta Reçica e Enis Salla.
Zanita Halimi, Arianit Buçinca dhe Sllagjana Boshkoviq ishin edhe në përbërjen e kaluar të këtij organi bashkë me Sadik Krasniqin, Valon Gërmizaj, Premtim Alajn e Ifeta Nikoçeviq.
Emrat aktualë ishin kundërshtuar nga opozita në seancën e 26 shatorit.
“Shumica e kandidatëve janë sociologë, etnologë, por jo edhe historianë, që ka qenë një nga kriteret e konkursit. Po ashtu, janë përzgjedhur militantët partiakë, siç është rasti i Fahri Sheqirit nga qendra e LVV-së në Bardhosh. Prandaj, ne mendojmë që procesi duhet të kthehet në pikën zero. Po ashtu, si komision kemi pranuar tri ankesa nga kandidatët dhe asnjë ankesë nuk është shqyrtuar”, kishte thënë deputetja Vlora Dumoshi. Shqetësime kishte pasur edhe deputeti Besnik Tahiri, përderisa deputeti i pushtetit Ardin Gola në cilësinë e kryetarit të Komisionit kishte thënë se synojnë t’u japin mundësi kandidatëve të rinj për anëtarë të KKTK-së. Bëhet fjalë për një agjenci të pavarur, e themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që ka për kompetencë rishikimin, adaptimin ose refuzimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore të propozuar nga Ministria e Kulturës për shpallje në mbrojtje të përhershme. Kjo agjenci, sipas Ligjit të trashëgimisë kulturore, bën edhe vlerësimin e projekteve të trashëgimisë kulturore të parashtruara nga institucionet e fushave përkatëse, krijimin e komisioneve të pavarura për vlerësimin e trashëgimisë kulturore në rastet e shitblerjeve, shpronësimeve dhe kompensime të tjera financiare. Po ashtu, sipas legjislacionit aktual, bën edhe identifikimin e masave të domosdoshme tё mbështetjes financiare pёr trashëgimi kulturore, rivlerësimin apo rishikimin e Qendrës së Mbrojtur Historike të Prizrenit, e po ashtu bashkëpunon me Këshillin Zbatues dhe Monitorues në lidhje më trashëgiminë kulturore dhe fetare, sipas Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura.
Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, prej themelimit, më 2009, funksionoi me pauza. Vetëm prej vitit 2015 deri më 2018 e më pas prej vitit 2021 deri më tash qe funksional. Deri në korrik të vitit 2021 – kur Kuvendi zgjodhi shtatë anëtarët e KKTK-së – Ministria e Kulturës nuk kishte as kujt t’i propozonte monumente për mbrojtje të përhershme.
Përbërjes së deritanishme të KKTK-së i ka skaduar mandati në korrik. Në majin e sivjetmë qe hapur konkursi për anëtarët e përbërjes së re.
Ndër vite “Koha Ditore” ka raportuar për shpenzimet e këtij organi jofunksional. Ndër të tjera, për shtatë vjet kishte shpenzuar hiç më pak se 200 mijë euro vetëm për qira në një objekt prej 600 metrash katrorë, ku ishte vendosur stafi prej shtatë anëtarësh. Po ashtu, për “punë” jashtë orarit bëheshin pagesa deri në 400 euro në muaj. Prej shtatorit të vitit 2016, KKTK-ja qe vendosur në kontejnerët afër ish-Pallatit të Shtypit, për të kaluar më pas në ambientet e hotelit “Grand”.