Kulturë

Këndi i kujtesës dhe i ndërgjegjes për masakrën e Reçakut

Shtime, 15 janar – Jo të gjithë vizitorëve u lejohet të shohin fotografitë në këndin e majtë në krye të shkallëve të ndërtesës dykatëshe të kujtesës kolektive. Fëmijët e kanë të ndaluar e të mëdhenjtë paralajmërohen gjithnjë nga Arben Deliu, zyrtari për trashëgimi në Komunën e Shtimes, që e bën edhe ciceronin në muzeun e qytezës.

“Kujdesem shumë kur vizitorët janë nxënës e fëmijë, por i paralajmëroj edhe vizitorët e rritur për shkak se pamjet janë të rënda”, thekson Deliu, duke e paralajmëruar edhe ekipin e Grupit KOHA para se të prijë majtas.

Pavarësisht reflektimit të dritës në xhamat e vitrinave, në sy bie më fort gjaku i qytetarëve të pafajshëm të Reçakut të masakruar në 15 janarin e vitit 1999. Pamjet, të rënda. Fotografitë, atëherë, prekën ndërgjegjen e botës, duke shtyrë Perëndimin të prirë nga SHBA-ja, që në emër të së drejtës humanitare ta bombardonte Jugosllavinë e Slobodan Milosheviqit. Tani, thirrje për t’u kujdesur për të kaluarën e historisë së re të Kosovës.

Qëllimi kryesor i Muzeut Historik të Shtimes – sidomos i ekspozitës së përhershme në katin e dytë – është që të mos harrohet lufta e fundit

Me to Deliu ua dokumenton vizitorëve vendorë e ndërkombëtarë njërën prej masakrave më të mëdha në Kosovë.

“...vula e Republikës së Kosovës”

“Dhe Muzeu i Shtimes ka vendosur të ketë një kënd të veçantë për shkak të rëndësisë së kësaj ngjarjeje. Dihet botërisht se masakra e Reçakut realisht është vula e shtetit të Republikës së Kosovës”, thekson Rrahman Jakupi, nënkryetar i Shtimes, i cili është nga Reçaku. “Dhe pikërisht për këtë institucionet komunale kanë marrë vendimin që një kënd i veçantë në pjesën më të rëndësishme të muzeut - i cili është muze i veçantë pothuajse në krejt Republikën e Kosovës për shkak se përfshin luftën dhe eksponatet të luftës së fundit - dhe pikërisht për këtë është vendosur që të jetë edhe këndi për masakrën e Reçakut dhe për gjenocidin serb që ka ndodhur në Komunën e Shtimes dhe në fshatin Reçak”, thekson Rrahmani, i cili ishte pjesëtar i UÇK-së.

Image
Muzeu Historik i Shtimes konsiderohet i veçantë pothuajse në krejt Republikën e Kosovës për shkak se përfshin luftën dhe eksponatet të luftës së fundit

Përballë këndit të masakrës së Reçakut, Deliu tregon uniformën e komandantit Ahmet Kaçiku, i cili ra dëshmor duke luftuar për mbrojtjen e kufomave të masakrës që ishin vendosur në xhaminë e fshatit. Para xhamisë në fshat familjarët po blinin të enjten në mesditë kurora lulesh nga një lulishte që ka improvizuar tezga para dy furgonëve. Lart, majë minares, valon flamuri kombëtar. Te varrezat e martirëve, punëtorët po ndërrojnë llambat. Rrahmani thotë se pandemia ka diktuar planet për përvjetorin e sivjetmë.

Në qytet krejt kati i dytë i Muzeut Historik të përuruar më 2015, të vendosur në objektin e rinovuar nga programi i Bashkimit Evropian, “Beautiful Kosovo” më 2015, i është kushtuar luftës së fundit. Dominon historia e lëvizjes kryengritëse. Përfshin dokumente, pajisje, gjësende të dëshmorëve, luftëtarëve, mantelbardhëve dhe gazetarëve që po vepronin në rrethinë, por edhe më gjerë. Kati i parë i është kushtuar ekspozimit të mjeteve të ndryshme të prodhimit për nevoja familjare dhe pajisjeve të ndryshme të punës me dorë.

Image
Mbetje të artilerisë së rëndë dhe pajisje mbrojtëse të forcave serbe

“Dyshimet” e KFOR-it dhe orkestruesit e masakrës

Objekti konsiderohet i “rëndësisë së veçantë”.

“Kjo ndërtesë dykatëshe, e ndërtuar qysh në kohën e sundimit të Perandorisë Osmane, është njëri ndër objektet më të vjetra të qytetit të Shtimes”, thuhet në faqen e Komunës së Shtimes në Facebook, duke shtuar se objekti ishte shfrytëzuar për 145 vjet për nevoja të banorëve të kësaj treve. “Më 1890 është ndërtuar nga Agush Aga, i familjes së vëllazërisë së Hysajve të Shtimes, dhe një kohë të gjatë ka shërbyer si objekt i Komunës së Shtimes”. Kryetari i parë ishte Ahmet Shtimja, emrin e të cilit e mban edhe tani sheshi ku ndodhet muzeu përballë lumit “Shtimjanja”. Në shesh, më të rralla janë lëvizjet e shtimjanëve.

Në muze, Deliu thotë se ushtarët e KFOR-it i shtrojnë shumë pyetje për masakrën e Reçakut. Disa prej tyre ishin ndikuar prej propagandës e pretendimeve serbe se masakra ishte inskenuar nga shqiptarët. Por në këndin e masakrës së Reçakut është edhe fotografia e William Walkerit, midis civilëve të masakruar në “Kodrën e Babushit”, në krye të Reçakut, në ditën e 16 janarit 1999. Prej aty do t’i thoshte botës se serbët kryen krime kundër njerëzimit në fshatin në veriperëndim të Shtimes. Për krimet në Reçak kanë dëshmuar në Tribunalin e Hagës kundër Slobodan Milosheviqit edhe të mbijetuarit e masakrës.

Image
Helmeta policore e shpuar në anën e majtë ashtu sikurse edhe portofoli i një polici gjetur në Petrovë, janë në mesin e eksponateve

Rrahmani thotë para dokumenteve poshtë fotografive se Komuna e Shtimes ka ndihmuar mbledhjen e dëshmive për ngritjen e mundshme të aktakuzës kundër përgjegjës të masakrës.

“Dhe Muzeu i Shtimes ka vendosur të ketë një kënd të veçantë për shkak të rëndësisë së kësaj ngjarjeje. Dihet botërisht se masakra e Reçakut realisht është vula e shtetit të Republikës së Kosovës”, thekson Rrahman Jakupi, nënkryetar i Shtimes, i cili është nga Reçaku

“Është ndihmuar prej qytetarëve të Komunës së Shtimes, të cilët prej vitit 2011 deri më 2017 dhe 2018 kanë sjellë dhe kanë deponuar dëshmi dhe deklarata të ndryshme për masakrën e Reçakut. Këto dokumente i janë dorëzuar Departamentit për hetimin e krimeve të luftës dhe besoj se shumë shpejt do t’i kemi përgjegjësit para ndonjë tribunali ndërkombëtar për krimet e kryera”, thekson ai, duke treguar se orkestruesit dhe zbatuesit kryesorë të masakrimit të 44 civilëve ishin Bogolub Janiçeviq, atëherë komandant policor dhe përgjegjës kryesor për rajonin e Ferizajt, Goran Radosavleviq, hartues i operacionit të masakrës, dhe Vlastimir Gjorgjeviq, i cili, sipas Rrahmanit, kishte aprovuar operacionin për të kryer krime kundër njerëzimit dhe gjenocid mbi shqiptarët e pafajshëm të Reçakut. “... (gjenocid) ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare, sidomos ndaj fëmijëve dhe grave”, thekson ai.

Rikthimi i vëmendjes

Deliu, zyrtari që bën ciceronin, prin në këndin tjetër, ku ekspozohen mbetje të artilerisë së rëndë dhe pajisje mbrojtëse të forcave serbe. Policore e ushtarake. Një helmetë policore është e shpuar në anën e majtë. Deliu ndalet te portofoli i një polici gjetur në Petrovë.

“Kuleta është gjetur nën trupin e pajetë të Mehmet Shasivarit në Petrovë. Pra, kjo tregon se ky polic ka vepruar dhe ka qenë pjesë e masakrave në Komunën e Shtimes”, thekson Deliu.

Numrin më të lartë të vizitorëve e përbëjnë nxënësit dhe të rinjtë. Verës më të shumta janë vizitat e mërgatës.

Rrahmani thotë se qëllimi kryesor i muzeut, sidomos i ekspozitës së përhershme në katin e dytë, është që të mos harrohet lufta e fundit. “Shtimja ka qenë vatër e luftës. Ka qenë zonë e luftës, ka të humbur mbi 150 civilë, ka mbi 20 fëmijë të vrarë, dhe e rëndësisë së veçantë është edhe masakra e Reçakut”, thekson ai. “Vlera e jashtëzakonshme është mbamendja kolektive, rikthimi i vëmendjes kolektive, dhe të mos i harrojmë ato çfarë kanë ndodhur”.

Image

Kati i dytë i Muzeut Historik të Shtimes i përuruar më 2015 i është kushtuar luftës së fundit. Edhe objekti është monument. Daton prej vitit 1890 dhe konsiderohet njeri ndër objektet më të vjetra në këtë qytet