Kulturë

Katërshja italiane zbërthen personazhin ikonik me ritme jazzi

DAM

Albumi “Zorro” është dramë jazzi më vete. Me trumbetistin Giovanni Falzone, bas kitaristin Danilo Gallo dhe bateristin Zeno De Rossi veprat e tyre sollën udhëtim zbavitës por edhe prekës nëpër peizazhet e ëndrrave. Në krye të tyre qëndron Francesco Bearzatti, lider i bendit, duke luajtur në saksofon, klarinetë e flaut indian (Foto: Visar Kadrolli)

Albumi i tyre “Zorro” është udhëtimi muzikor në universin e personazhit ikonik. Koncerti në platenë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë e dëshmon kreativitetin e tyre dhe mjeshtërinë për të eksperimentuar me tinguj. Albumi i tyre vjen si rrëfim kinematografik me ngjyra romantike, peizazhe të ndryshme e përcjellje mahnitëse që zhvillohet në tema të ndryshme. Në ambient të hapur, pranë hyrjes në Pallat, skena modeste bëhet madhështore kur atë e pushtojnë katërshja italiane. Magjia e jazzit me italianin ka ardhur nëpërmjet Francesco Bearzatti me “Tinissima Quartet”

Koncertet që i paraprijnë Festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM” janë kapituj më vete. Tri të tilla e kanë paralajmëruar edicionin e radhës dhe njëri fragment ka qenë magjia e jazzit me italianin Francesco Bearzatti me “Tinissima Quartet”. Albumi i tyre “Zorro” është udhëtimi muzikor në universin e personazhit ikonik. Koncerti në platenë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë e dëshmon kreativitetin e tyre dhe mjeshtërinë për të eksperimentuar me tinguj. 

Albumi i tyre vjen si rrëfim kinematografik me ngjyra romantike, peizazhe të ndryshme e përcjellje mahnitëse që zhvillohet në tema të ndryshme. Në ambient të hapur, pranë hyrjes në Pallat, skena modeste bëhet madhështore kur atë e pushtojnë katërshja italiane. 

Albumi “Zorro” është dramë jazzi më vete. Me trumbetistin Giovanni Falzone, bas kitaristin Danilo Gallo dhe bateristin Zeno De Rossi veprat e tyre sollën udhëtim zbavitës por edhe prekës nëpër peizazhet e ëndrrave. Në krye të tyre qëndron Francesco Bearzatti, lider i bendit, duke luajtur në saksofon, klarinetë e flaut indian. 

Kuarteti “Tinissima Quartet” e ka nisur koncertin me pjesën “Zorro”. Siç ka treguar Bearzatti në skenë, ajo flet për karakterin dhe personalitetin e personazhit. 

Katërshja harmonizon tingujt në “Tierra India”, por ndalojnë për një moment kur Bearzatti merr instrumentin në formën e një fyelli që në fakt është flauti indian duke nxjerrë tingujt unikë nga vegla muzikore që e bën pjesë tejet atraktive. 

Në “El Regreso” akordohen krejt bashkë në melodinë e veprës, por lideri largohet për një moment nga qendra e skenës, duke e zhvendosur vëmendjen në trumbetistin Giovanni Falzone për lojë dominuese e improvizuese. Ndërkohë, tingujt e bas-kitarës dhe baterive janë konstantë. Kur bashkohen tingujt e saksofonit ngjajnë po aq improvizues sa të trumbetës, por veç derisa akordohen në lojë paralele me tingujt të zgjatur e ritmikë. 

Veprës “Algo Mal” i paraprin loja solo e saksofonit derisa bashkohen krejt bashkë dhe muzika jehon. Bearzatti ka luajtur me klarinetë në këtë pjesë. 

Ai ka interpretuar për herë të parë në Prishtinë, përvojë të cilën e ka konsideruar pozitive. 

“Ishte eksperiencë emocionuese për ne, sidomos për mua që isha për herë të parë por jo për gjithë bendin sepse disa prej tyre ishin më parë këtu. Asnjëherë nuk e di se ku do të shkosh, kë do të takosh. Atmosfera shumë e mirë ndërsa audienca fantastike. Ishin pak larg nga skena por e ndjemë energjinë e tyre. Ishte përvojë shumë pozitive”, ka thënë ai. 

Ka treguar se ka kohë që në turnetë e tyre nëpër Evropë e kanë prezantuar këtë album. Prishtina ka qenë i fundit destinacion të enjten mbrëma. 

“E kemi xhiruar këtë album në shkurt të 2020-s deri në vitin 2021, gjatë kohës së pandemisë. Pastaj bëmë tri vite koncerte duke e prezantuar, sidomos në Itali dhe kryesisht nëpër Evropë, në Francë ku jemi të njohur”, ka thënë Bearzatti. 

Duket se temat brenda pjesëve marrin shpesh kthesa. Bearzatti ka thënë se ata kryesisht bazohen në romane dhe filma për krijimtarinë e tyre. 

“Në këtë rast, eksperienca më e rëndësishme ka qenë libri i McCulley për zorron, por histori të tjera filluam me të tjerë libra ku u frymëzuam. Gjithmonë vjen diçka nga librat, filmat ku inspirohemi për krijimet e bendit. Kemi bërë shumë muzikë së bashku, jemi shumë të kompletuar dhe të mësuar me njëri-tjetri. Edhe nëse nuk luajmë së bashku për një muaj, kur bëhemi bashkë jemi njësoj”, ka thënë Francesco Bearzatti. 

Në vitin 2003 ai u nderua me çmimin “Best New Talent” nga revista “Musica Jazz”, dhe në vitin 2011 u bë i njohur në nivel evropian kur Akademia Franceze e Jazzit e quajti atë muzikantin më të mirë të vitit. Ai ka lansuar dhjetë albume si lider, si dhe bashkëpunime të shumta me figura të shquara si, ndër të tjera, Enrico Rava, Gianluca Petrella, Aldo Romano dhe Giovanni Mazzarino.

“Lolita” ka qenë e lehtë për nga ritmi. Por me personalitet të fortë, siç përshkruhet nga skena. Ashtu edhe është dëshmuar. Tingujt marrin ngjyrime romantike, është pjesë më intime. Veçmas ky kah i jepet me lojën e klarinetit.

Kanë luajtur edhe “Bernardo”, “Sargento García” e “Tornado”. Rrëfimin muzikor e kanë mbyllur me “El Triunfo Del Zorro” që shoqërohet me klipin e tyre derisa vepra luhet. Kitaristi Danilo Gallo i jep ngjyrat dinamike në pjesën e tij si solist. 

“Është hera e parë për mua. Jam shumë i lumtur të jem këtu është vend i mirë, publik i mrekullueshëm dhe energji e mahnitshme”, ka thënë ai pas koncertit. 

Për bateristin italian, Zeno De Rossi, koncerti i së enjtes i organizuar nga “DAM” ka qenë i dytë për të në Prishtinë. 

“Ishte atmosferë fantastike, kaluam shumë mirë. Është hera e dytë këtu dhe e kam shijuar shumë”, ka thënë ai. 

Krejt në fund kanë interpretuar veprën e tyre “Okemah” të cilën ka thënë se e ka shkruar dhjetë vjet më parë. E ka lënë si bis për publikun që e ka duartrokitur gjatë. Është e qetë dhe e shkurtër. 
Publikun nuk e kanë ndalur rigat e shiut për ta shijuar interpretimin. I ka shtuar efekte në fakt harmonisë së tingujve të kuartetit. 

Trumbetisti Giovanni Falzone ka thënë se vëmendjen ia ka tërhequr publiku i ri në moshë. 

“Në publik pashë se njerëzit në publik janë kryesisht të rinj, kështu që jemi të lumtur për këtë. Kjo do të thotë se të rinjtë e pëlqejnë këtë muzikë dhe u pëlqen të shkojnë në koncerte të tilla. Kjo është një prej ndjenjave më të mira për ne”, ka thënë Falzone. 

Ka thënë se ka 17 vjet që është pjesë e bendit. 

“Për mua është shumë e lehtë të luaj me këtë bend, sepse Francesco e njeh shumë mirë kualitetin tonë dhe ne luajmë së bashku që prej 17 vjetësh dhe është shumë e lehtë të gjejmë mënyrën për të bërë muzikë”, ka thënë ai. 

Koncerti është i treti në radhë që e paraprin edicionin e 19-të të Festivalit “DAM” që zhvillon programin prej 18 deri 22 shtator. 

Paraprakisht festivali ka sjellë francezin Armel Dupas me projektin muzikor “Open Borders” në maj të këtij viti si një lloj gjurmimi i gjendjes shpirtërore dhe jo vetëm. Në fund të të njëjtit muaj edhe koncertin “Directly from Australia” me Joel Brennan në trumbetë, Ken Murray në kitarë dhe kompozitori Alan Holley. 

Kapitulli i radhës qe katërshja italiane me albumin “Zorro” të bazuar në romanin “The Curse of Capistrano” të shkrimtarit amerikan, Johnston McCulley. Me muzikë vjen portreti i guximit dhe shpirti i Don Diego de la Vega, heroit të maskuar që lufton kundër tiranisë.