“Kam marrë komente si: ‘Mos na dërgo më filma të shkurtër, po e presim filmin e gjatë, dhe kjo pak të jep përgjegjësi. Është një sfidë e re”, ka thënë regjisori Samir Karahoda të martën kur folur për pjesëmarrjen në Festivalin e Filmit në Cannes, pritjen e filmit “Rrugës” e ftesat që i janë bërë. Kemi kuptuar që filmi ynë ka qenë në mesin e katër filmave që janë diskutuar nga juria për me qenë fitues apo jo”, ka thënë ai
Tri ftesa festivalesh të mëdha tashmë janë në tavolinë për “Rrugës”, dyert janë hapur edhe më, interesimi i produksioneve të huaja sa vjen e rritet e regjisori Samir Karahoda, e ka të qartë rrugën që do të ndjekë. Fillimisht atë të “Rrugës”, filmit që bëri histori të shumëfishtë në Cannes ku u dha premierë botërore, i shpëtoi “Palma e Artë”, por për të edhe kjo ka anën pozitive.
“Më mirë ndoshta që nuk e kemi fituar, sepse mandej nuk do të kisha kuptim të bëj filma të tjerë, sepse gjithmonë njeriu kërkon diçka më shumë edhe nëse veç e arrin kaq shpejt atë që e kemi pritur...është e mirë, por nuk e di sa është e mirë për një regjisor”, ka thënë Karahoda të martën, i ftuar në emisionin “Express” në Kohavision, ku ka folur për suksesin në edicionin e 77-të të Festivalit të Filmit në Cannes, i cili përfundoi të shtunën me ndarjen e çmimeve të mëdha.
Karahoda ka zbuluar se filmi i tij në garë me 11 filma të tjerë në kategorinë e filmave të shkurtër – ku “Palmën...” e mori “Njeriu që s’mund të qëndronte i heshtur” i regjisorit kroat, Nebojsha Slijepçeviq, e fituesi absolut ishte filmi amerikan “Anora” i Sean Bakerit – ka qenë favorit. Pos kësaj, peshën ia rrisin edhe kritikat që ka marrë.
“Vlen të ceket që paraqitja jonë ka qenë dinjitoze, pasi që kritikat, sidomos... sepse konkurrentet mes nesh që kemi qenë, 11, gjithmonë i diskutojmë filmat e njëri-tjetrit dhe mund të them që kemi qenë favorit prej secilit konkurrent edhe këtë e kemi kuptuar edhe kur kemi takuar anëtaret e jurisë në natën e fundit pas ceremonisë të mbylljes. Kemi kuptuar që filmi ynë ka qenë në mesin e katër filmave që janë diskutuar nga juria për me qenë fitues apo jo. Fatkeqësisht kjo nuk ndodhi, por prapëseprapë t’i dëgjosh këto komente që kemi qenë në listën e ngushtë është shumë ndjenjë e mirë për ne”, ka thënë Karahoda, teksa ka përmendur edhe atë që i është nënvizuar edhe prej organizatorëve në Festivalit, e që tash është shndërruar në fakt historik. “Përveç që kemi qenë për herë të dytë, rëndësia e saj ka qenë se jemi edhe ndoshta filmi i dytë në histori të Cannes që ka qenë dy herë në të njëjtin festival në kategorinë tonë. Kjo na ka bërë pak me u ndi më të veçantë, sepse nuk ka ndodhur diçka e tillë, herën tjetër që kishte ndodhur kishte qenë para 23 vjetësh nga një regjisor i Australisë”, ka thënë Karahoda. Më 2021, me filmin e tij “Pa vend” për herë të parë e futi Kosovën në garë për “Palmën e Artë”, i shpëtoi edhe asokohe, por filmi pati një alamet suksesi duke u shfaqur në njëqind shtete e duke rrëmbyer çmime, tri prej pesë top-festivaleve botërore.
Se “Rrugës” e pret rrugëtim i suksesshëm, shenjat tashmë janë dhënë.
“Tash veçse i kemi tri përzgjedhje që janë bërë që nuk mund t’i publikoj për shkak të politikave të festivalit. Janë tri festivale të njohura, kemi pasur kërkesa nga programerë të ndryshëm të festivaleve të ndryshme të botës që kanë qenë të interesuar ta ndajnë me ekipin e tyre seleksionues dhe jam i sigurt që edhe ky film do të ketë një rrugëtim të sigurt”, ka thënë Karahoda.
“Rrugës” shpalos rrëfimin gjatë një udhëtimi 15-minutësh me makinë kur një fëmijë e babai i tij bëjnë muhabet kompleks, duke ofruar qartë realitetin me të cilin përballet shoqëria e sotme kosovare. Bëhet fjalë për babë e bir që janë rrugës për në aeroport për të marrë një dhuratë që vjen nga kumbari i djalit.
“Midis pengesash burokratike me pak a hiç shpresë për ndryshime politike e sociale në vend, ata gjejnë rehati dhe forcë në optimizmin e tyre të përbashkët për të ardhmen”, shkruhet në përshkrimin që ia ka bërë festivali filmit. Biseda që zhvillohet në makinë nxjerr në pah telashet e tanishme që pandashmërisht janë të lidhura me të kaluarën. “Aroma” e luftës është edhe brenda mjetit transportues. Sipas asaj që shihet në “trailer”, djali që luhet nga Miron Karahoda pyet të atin, aktorin (Ylber Mehmeti) për mundësinë që të ketë prapë luftë. E përgjigjja shpjegon shumëçka. Zanafilla e filmit është një bisedë reale midis Samir Karahodës dhe të birit të tij, Mironit. Është pikërisht një fakt i tillë, që i jep edhe tjetër kuptim pjesëmarrjes së Karahodës në Cannes.
“Ka pasur një vlerë pak më të madhe pasi që ka qenë projekt familjar e kemi punuar bashkë me djalin, jo vetëm që ka qenë si aktor, por më ka ndihmuar, më ka asistuar edhe me e shkru tregimin, i cili bazohet në një ditë të zakonshme që e kemi pasur bashkë”, ka thënë Karahoda. Mënyra se si është pritur në premierën botërore të enjten e kaluar në teatrin “Debusy” ka tjetër peshë.
“Shfaqja në atë kinema është një ndjenjë tjetër, e veçantë, është një kinema prej një mijë e 100 ulëseve edhe kur e sheh që është përplot me mjeshtër të filmave”, ka thënë Karahoda. Një rend para tij ka qenë regjisori i njohur turk dy herë fitues i ‘Palmës së Artë’, Nuri Bilge Ceylan. “Sigurisht ka pasur edhe emra të tjerë që nuk i kemi parë. Normalisht vlerësimi dhe respekti që bëhen nga audienca nuk bën në asnjë festival të botës. Kam qenë në shumë ngjarje në botë ku kinematë janë në mbi 1000 ulëse, por ndjenja që të jepet në Festivalin e Cannes nuk jepet askund, ndoshta edhe prej mënyrës se si respektohen autorët prej publikut, ngrihen në këmbë dhe me minuta i respektojnë përmes duartrokitjeve. Është një ndjenjë që secili autor do të kishte dëshirë ta përjetojë”, ka thënë ai. Ka veçuar edhe qasjen ndaj pjesës tjetër të ekipit në Cannes.
“Ndihem shumë i lumtur që kam arritur t’ua ofroj edhe anëtarëve të tjerë të ekipit, aktoreve, producentit, montazherit, anëtarëve të familjes, përfaqësuesit e Kosovës, ministrit të kulturës, përfaqësuesve të QKK-së. Ka qenë një rast i veçantë”, ka thënë ai.
Por organizatorët e Festivalit të Cannes kanë pasur edhe një porosi për regjisorin nga Kosova, tashmë emër në mesin e elitave të kinematografisë.
“Kam marrë komente si: ‘Mos na dërgo më filma të shkurtër, po e presim filmin e gjatë, dhe kjo pak të jep përgjegjësi. Është një sfidë e re”, ka zbuluar Karahoda. Dhe ai do t’i bindet kësaj kërkese. Siç e kishte zbuluar për KOHËN edhe të shtunën mbrëma pas ceremoninë në Cannes, ai tashmë po punon për debutimin e tij në film të metrazhit të gjatë.
“Pas prezencës sonë në Cannes, edhe nga hera e kaluar, por këtë herë kam parë interes më të madh sidomos nga produksionet nga Franca dhe jam në kontakt me disa produksione në SHBA, por ato ia kam lanë kohës, sepse kam punë shumë me përgatitjen e projektit të ardhshëm dhe normalisht që duhet t’i shqyrtoj secilën dhe besoj do të jetë një projekt shumë më i madh dhe pritjet janë më të mëdha”, ka thënë Karahoda.
I ka parasysh sfidat që e presin për film të gjatë që kërkon “më shumë kohë, me shumë angazhim, më shumë njerëz”
“Sa më shumë njerëz që ke, aq ma shumë probleme dhe nuk kam përvojë në punë me ekipe të mëdha. Format se si i punoj filmat janë me ekipe sa më të vogla me sa më pak njerëz që të funksionojë ashtu siç punoj, por do t’ia lëmë kohës dhe besoj që do ta kemi një bashkëpunim të mirë me këdo nga emrat apo produksionet me kredibilitet. Ato do të vendosim në te ardhmen”, ka thënë Karahoda.
Sipas tij, strategjia e Festivalit të Cannes në filmin e shkurtër është gjithmonë te dhënia e hapësirës për talente të reja.
“Sepse është si një trampolinë për të shkuar diku më lartë, me shpejt, dhe kur e kemi marr lajmin (për garë zyrtare v.j.) kam qenë i befasuar”, ka thënë Karahoda. Tash s’e ka në plan ndonjë film të radhës të metrazhit të shkurtër por nuk heq dorë prej tij.
“Ndoshta në të ardhmen mund të bëj prapë një film të shkurtër”, ka thënë regjisori i shquar. Numëron disa arsye për këtë.
“Edhe pse filmi i shkurtër nuk vlerësohet shume në regjion, me dy filmat sidomos me ‘Pa vend’ e kam parë që filmi i shkurtër mund të ketë një ndikim ndoshta shumë më të madh se çfarëdo filmi i gjatë. Atë që kemi nisur atëherë me atë film, qëllimin tonë e kemi arritur, që ka qenë sensibilizim i shoqërisë dhe institucioneve”, ka thënë Karahoda. Por, ka tash është tjetër kapitull. “Kam nevojë për sfida më të mëdha”, ka thënë regjisori i “Rrugës” që sapo ka nisur rrugëtimin nëpër botë e pret të hedhë hapin për film të gjatë. Edhe për “hatër” të Cannes, festivalit të festivaleve, pjesëmarrja e dytë në të cilin ia ka mësuar edhe një gjë: “Më është hequr ajo barra dhe frika se mos po dështojmë”. Karahoda me shokë e kanë dëshmuar se nuk e kanë ndër mend të dështojnë.