Kulturë

Kapakët e artë të ungjillit – artefakte kryesore të “Onufrit”

Muzeu i Onufrit - Berat

Objekti i ekspozuar i përket shekullit XVII. Mbi kapakun e anës së majtë, në qendër, shënohet viti 1755. Në dy kapakët paraqiten skena biblike nga Testamenti i Ri, kryesisht nga jeta e Krishtit

Qendra Kombëtare e Muzeve në Berat ka promovuar në rrjetet sociale njërin prej artefakteve më me vlerë që ruhen në muzeun ikonografik “Onufri”.

Bëhet fjalë për kapakët e ungjillit të realizuar me mjeshtëri në ar e argjend dhe që janë të ekspozuar në një nga stendat e Muzeut Ikonografik. Objekti i ekspozuar i përket shekullit XVII. Mbi kapakun e anës së majtë, në qendër, shënohet viti 1755.

Në të dy kapakët paraqiten skena biblike nga Testamenti i Ri, kryesisht nga jeta e Krishtit.
“Fundi i anës së majtë ka një mbishkrim në greqisht që sipas një përkthimi nga Theofan Popa na tregon për autorin, Petuos Mokrundi nga Mokra midis Dibrës e Gostivarit”, shkruhet në përshkrim. 
Qendra Muzeore Berat është institucion i specializuar dhe arkivor me status “Muze kombëtar” në vartësi të Ministrisë së Kulturës, me seli në qytetin e Beratit, e cila administron muzeun ikonografik “Onufri” dhe Muzeun Etnografik.

“Muzeu i Ikonografisë dhe Muzeu Etnografik mbledhin, ruajnë dhe promovojnë koleksione me vlerë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të qytetit të Beratit dhe zonës përreth”, shkruhet në përshkrimin e këtij institucioni. 

Koleksioni i Muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemër Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë. Kurse objektet liturgjike kryesisht mbajnë firmën e argjendarëve shqiptarë ndër shekuj. Gdhendjet në dru të katedrales janë realizuar nga mjeshtrit Stefan Barka nga Misrasi i Oparit dhe mjeshtër Naum Ngjela nga Lavdari i Oparit në fillimin e shekullit të XIX.

“Ikonostasi i katedrales Fjetja e Shën Mërisë mban si datë vitin1807. Ajo konsiderohet si një ndër veprat më të mira të krijuara nga mjeshtrit shqiptarë të drugdhendjes. Zbukurimet e ikonostasit paraqesin disa karakteristika dhe parime të stilit barok, një prirje mbizotëruese dhe dalluese e kishave të ndërtuara në Ballkan gjatë shekujve XVIII dhe XIX. Të gjitha këto motive janë të gërshetuara me elemente të tjera të traditës bizantine”, shkruhet në ueb-faqen e Muzeut. 

Berati ka qenë një qendër e rëndësishme e zhvilluar sidomos në shekullin XVII, një vend ku u grumbulluan, u prodhuan dhe u ruajtën vlera të rëndësishme të cilat janë thesare të vërteta të kulturës kombëtare.