Në kohën e represionit serb – kur shqiptarët u përjashtuan prej institucioneve – kafe-galeritë u bënë strehë për vepra artistësh tok me rezistencën. Në fakt, aty nisi rezistenca me art dhe po këto janë meritore për mbajtjen e vazhdimësisë së jetës kulturore. Sot veprat e artit nëpër kafene janë trend, por edhe hapësira alternative për artistët e rinj. Dikush i sheh edhe si kundërpërgjigje ndaj kiçit, e për dikë arti në kafene është degradim për artistin
Përtej shërbimit të kafesë apo ushqimeve të ndryshme, kafenetë nëpër kryeqytet shpesh bëhen dhe strehë e shprehjes artistike të shumë artistëve lokalë. Ato janë kthyer në platforma alternative të cilat u bëhen shtëpi shumë pikturave të cilat fatin e kanë të mbërthyer nëpër atelie. Prishtina ka dëshmuar kaherë zhvillim në rritje të skenës artistike. Rrjedhimisht dhe numri i artistëve që kërkojnë mënyra për të shfaqur punën e tyre, po rritet.
Tradicionalisht, galeritë dhe hapësirat ekspozuese kanë qenë vendet kryesore nëpër të cilat ekspozohet arti. Megjithatë, numri i kufizuar i këtyre hapësirave dhe natyra ekskluzive që përbëjnë ato, shpesh shkakton pengesë për disa artistë.
Por, ekspozimi i veprave nëpër hapësira alternative si kafene, bare dhe restorante, nuk është “trend” i ri në Kosovë.
Kafenetë që kanë luajtur njëkohësisht dhe rolin e galerive alternative të artit kanë qenë prezente në Kosovë nëpër periudha të ndryshme të fund shekullit XX. Në kohë represioni – kur regjimi serb i dëboi shqiptarët prej institucioneve – kafenetë e restorantet u shndërruan në galeri. U bënë një lloj institucioni të rezistencës, siç ishte edhe arti i asaj kohe. Hapësira të tilla janë meritore për mbajtjen e vazhdimësisë së jetës kulturore.

“Rezistenca e artit ka filluar me ‘Hanin...’”
“Hani i 2 Robertëve”, një bar-restorant i cili dikur shërbente si një entitet i vogël që bënte bashkë artistë, gazetarë e diplomatë të kohës, është njëri nga ta. Rezistenca ndaj pushtetit kishte qenë mision i pashkruar ata që e hapën, e tash me një trashëgimi 35-vjeçare kjo hapësirë vazhdon të jetë shtëpi ku artistë, të rijnë e të afirmuar, të njohur e më pak të njohur zgjedhin të shfaqin veprat e tyre.
Ekspozimi i artit në ambientet e “Hanit...” përtej zbukurimit të ambienteve kishte një rol qenësor për kontekstin politik të kohës. Këtë e thotë dhe pronari Fadil Dragaj, për të cilin hapja e një kafeneje që do të shërbente njëkohësisht dhe si galeri arti kishte qenë ideja fillestare qysh në vitin e themelimit të kafe-galerisë, më 1989. “Kurrizi” e “Te Santea” qenë të parat adresa të “Hanit...”. Kapitullin e asaj kohe të kafe-galerive, ndër të tjera, e shënuan dhe “Koha” e “Fjala” në Prishtinë.
“Rezistenca e artit ka filluar me ‘Hanin...’. Ka qenë përpjekje për mos me e mbytë atë. Artistët e rinj të asaj kohe nuk kishin se ku të ekspozonin artin e tyre. Unë nuk kam mundur ta mbajë një kafene vetëm me shitë birra, bashkë me Meritën qysh në start e kemi nisë atë si një galeri”, ka thënë Dragaj duke shtuar se edhe sot, trafiku i vizitorëve edhe pse ka pësuar ndryshime, vazhdon të veçohet nga vizitat që i kushtohen ekskluzivisht soditjes së veprave të ekspozitave të përmuajshme në “Han...”
Për Merita Dragajn, bashkëpronare, “Hani...” nëpërmjet ekspozimit të artit kishte shërbyer si institucion paralel i dedikuar artit dhe kulturës, në varg të praktikës së institucioneve të tjera paralele që shërbenin si shtylla rezistuese të shqiptarëve në Kosovën e fundshekullit XX.
“’Hani...’ ka qenë i rëndësishëm, sepse kur u mbyllën institucionet tona, rrjedhimisht dhe galeritë e universiteti, artistët nuk kanë pasur hapësirë ku t’i ekspozojnë punët e tyre. ‘Hani...’ ka qenë kontinuiteti i artit dhe kulturës në Kosovë. Ka funksionuar si vendtakim, një strehë për artistët”, ka thënë ajo duke theksuar se ajo hapësirë ka shërbyer dhe si ndër të vetmet që ka ofruar lirinë e kërkuar nga artistët e kohës.

Kundërpërgjigje ndaj kiçit
Por tash, me maninë e rregullimit deri në perfeksion të lokaleve afariste nëpër qytet, pikturat vazhdojnë të shërbejnë si zbukurim ambientesh. Shumë nga lokalet zgjedhin të ekspozojnë printime të pikturave të njohura botërisht, por ka dhe nga ato që e vlerësojnë origjinalen, larg kiçit a imitimeve të dobëta.
Një nga hapësirat e tilla është “Nonnda”, një bar-restorant në kryeqytet ku klientët mund të konsumojnë ushqimin në një ambient të rrethuar me piktura nga artistë vendorë dhe të huaj.
Për pronarin e këtij lokali, afaristin Gramoz Boshnjaku motivi prapa vendosjes së këtyre pikturave nuk ka qenë vetëm përdorimi i tyre si zbukurim. Aty që në projektim ishte vendosur që lokali të shndërrohej dhe në një vend ku do të vinte në shprehje arti.
“Kemi vendosur që pikturat që do të ekspozohen me qenë origjinale dhe me u i ofru për shitje. Reagimet dhe komentet janë të shpeshta, njerëzit interesohen për to. Pyesin për çmimet dhe detaje të tjera. Përveç interesimit të jashtëzakonshëm, këto piktura ia kanë dhënë një pasqyrë tjetër lokalit”, ka thënë Boshnjaku.
Sfondi mikpritës në këtë ambient përbëhet nga disa piktura të cilat dallojnë nga njëra-tjetra si për nga tema, ngjashëm dhe në teknikën e zgjedhur nga artistët. Dikush zgjedh të pikturojë subjekte, dikush peizazhe, e nuk mungojnë as kompozicionet abstrakte. Autorë të tyre janë emra të ndryshëm vendorë. Ka nga ata që po tentojnë të ngjiten nëpër skenën artistike të vendit, si ai i Arbnor Karalitit, por nuk mungojnë as të tjerët si Safet Spahiu e Enver Hoxhaj, të cilët veç se i kanë bërë emër veprimtarisë së tyre.
Arti si pjesë përbërëse e kafenesë
“Metro” është një kafene tjetër e cila për Prishtinën paraqet një pikëtakim ikonik tash e disa dekada.
Në kohë pauzash prishtinasit e vërshojnë këtë lokal të vogël e me një enterier modest, por vëmendjen e marrin pikturat e ekspozuara aty. Bëhet fjalë për dy piktura të varura ballë për ballë, peizazhe të stilit impresionist që jetësojnë hapësira të gjelbra që subjekte kryesore kanë pemët dhe lulet e stërmadhuara në to. Të punuara mjeshtërisht nga piktori Faik Krasniqi, të dyja japin përshtypjen sikur të jenë portale të cilat kanë mundësi të transportojnë në atë ambient të pikturuar. Piktura të tilla janë të rralla brenda kufijve të një kafeneje apo restoranti. Zakonisht në këso hapësirash stimulimi vizual i takon pjatave, por në këtë rast këto dy piktura janë si ftesë shkëputjeje nga realiteti për pak çaste.
Pronari i këtij lokali, Avni Krasniqi, i cili ka lidhje familjare me autorin e veprave të ekspozuara, ato i sheh si pjesë përbërëse të kafenesë.
“Ne e kemi parë si hapësirë të mirë të ekspozojmë art në të. Andaj dhe kemi i kemi vendosur këto. Dikur kemi pasur dhe vepra të artistëve tjerë por tash i kemi vetëm të Faik Krasniqit”, ka thënë ai duke shtuar se ato ofrohen edhe për shitje për të interesuarit.

Një ambient që kthen në kohë
Një tjetër vend ku arti gjen strehim është restoranti vegan “Babaganoush”, i vendosur në skutat e qendrës së qytetit, si një thesar i fshehur që tërheq vizitorë të veçantë aq sa dhe vetë pikturat e ekspozuara brenda atij ambienti. Vigan Nimani, piktor dhe pronar i restorantit, nëpërmjet pikturave të tij arrin të rikrijojë estetikën jugosllave në mënyrë të shkëlqyeshme. Ajo ndihet me të hyrë brenda. Në fillim orenditë e ndriçimi e pastaj dhe vetë pikturat. Ato qëndrojnë të varura si zotë shtëpie duke imponuar njëlloj aure të zymtë, por estetikisht të pasur. Kësisoj, i jetëson dhe kompozicionet e tij brenda pikturave. Nimani zgjedh që të fokusohet në detaje në dukje të parë të rëndomta të përditshmërisë, bazuar në referenca historike. Estetika jugosllave është kryefjala, e pikturat që e mëvetësojnë atë stil shërbejnë si dritare të cilat joshin vizitorët të cilët përveç të ngrënit një vakt në ato ambiente kanë mundësinë dhe të observojnë një “ekspozitë” e cila dhuron një pasqyrë historike të një periudhe të kaluar në Kosovë.
Vetë artisti Nimani në një prononcim për KOHËN, faktin se veprat janë të ekspozuara kësisoj e sheh si një mundësi të mirë të shfaqjes së krijimtarisë së tij.
“Ka shumë arsye se përse lokale të ndryshme vendosin të ekspozojnë piktura origjinale në ambientet e tyre. Për mua është fat që është lokali im dhe njerëzit mund të vijnë e të shërbehen t’i shohin pikturat. Është njëfarë ekspozite permanente”, është shprehur Nimani.
Sipas tij vetë qëllimi i artit është të jetë i qasshëm nga njerëzit, por kjo nuk do të thotë që arti arrihet të vlerësohet gjithmonë nga masa.
“Kafenetë frekuentohen shumë, por ka dhe raste kur disa hapësira të caktuara frekuentohen nga njerëz që nuk e njohin vlerën e artit, andaj në këto raste mund të mos vlerësohet. Përndryshe, piktura nuk e ka vendin vetëm në muze e galeri, ajo i takon dhe ambienteve të shtëpisë apo kafehaneve”, ka shtuar ai duke thënë se kurimi i një ekspozite të mirëfilltë është çështje tjetër. Aty kërkohen qasje më serioze dhe hapësira adekuate të ekspozimit.
Alternativë në mungesë hapësirash, degradim për artistin
Hapësirat adekuate ku duhet ekspozuar veprat e artit në Prishtinë, i sheh si të pamjaftueshme Genc Rodiqi, njohës i artit dhe koleksionues pikturash. Sipas tij pikturat e artistëve të rinj nuk e kanë vendin nëpër kafene nëpër të cilat arti nuk vlerësohet sa duhet.
“Ato nuk e kanë vendin nëpër kafehane, u takojnë galerive e hapësirave të destinuara për art. është njëfarë degradimi për artistin, për artin e tyre por shpesh janë të detyruar”, ka thënë Rodiqi duke theksuar nevojën e krijimit të hapësirave për ekspozimin e veprave, me theks ato të artistëve të rinj.
Të gjitha këto hapësira të lartpërmendura e shumë të tjera paraqesin një shteg herë pas here edhe jetik për artistët e vendit. Kështu njerëzit lejohen që të angazhohen me artin në një nivel edhe më personal pa kufizimet e formaliteteve. Rëndësia e artistëve për të shprehur veten në hapësira alternative nuk mund të nënvlerësohet. Megjithatë, është e rëndësishme të kuptohet se ambientet e tilla duhet të ofrojnë një qasje të dinjitetshme për krijimet artistike.
Në fund të fundit, këto bare e kafene mund të shërbejnë dhe si katalizatorë për njëfarë pasurimi kulturor, kanë gjasë të kultivojnë një shkëmbim dinamik idesh dhe perspektivash edhe rastësisht pa u nisur me atë qëllim, siç do të ngjante me një vizitë në një galeri arti.