Kulturë

Kadareja kujtohet nëpërmjet veprës së tij

Ismail Kadareja - ditelindja, perkujtimi

Monumente që ruajnë gjurmët e Ismail Kadaresë kanë qenë destinacion të martën në ditëlindjen e Ismail Kadaresë. Njëri prej tyre – muzeu “Shtëpia-studio Kadare” në Tiranë

 E marta e 28 janarit do të shënonte ditëlindjen e 89-të të shkrimtarit të madh, e gjeniu i letrave shqipe është kujtuar nëpërmjet veprës së tij. Pos librave, monumentet që ruajnë gjurmët e tij kanë qenë destinacion kryesor. Njëri prej tyre, muzeu “Shtëpia-studio Kadare” në Tiranë. 

Anisa Ymeri, drejtoreshë e këtij institucioni, ka thënë se e marta ka qenë ditë e hapur për vizita nxënësish nga shkollat e Shqipërisë. Sipas saj, ato kanë nisur prej orëve të mëngjesit e pos nxënësve interes kanë treguar edhe klube libri apo fëmijë të vegjël të sistemit parashkollor, të cilët kanë parë ekspozitën e rrallë me dorëshkrime dhe letërkëmbime të Kadaresë në shtëpinë e tij.

“Deri në mesditë ekspozita e hapur këtë fillim janari ishte vizituar prej një mijë e 115 personave”, ka thënë Ymeri, në kohën kur ende kishte vizita të planifikuara. 

“Për efekt organizimi, vizitat në grup janë kryesisht me prenotim. Gjatë ditës së sotme në Shtëpinë-Studio Kadare ishin grupe nga gjimnazi ‘Partizani’, klubi i librit të Bibliotekës së Rrogozhinës, gjimnazi ‘Çajupi’, nga shkolla ‘E kuqe’, shkolla “14 Nëntori” Durrës e të tjera. Vetëm për ditëlindjen e gjeniut të letrave shqipe, shtëpia e tij në Tiranë u vizitua prej më shumë se 120 personave”, citohet të ketë thënë ajo. 

Muzeu “Shtëpia-studio Kadare” u hap më 25 maj 2019 dhe është një vend ku mund të krijohet një ide e punës së shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare. Apartamenti ku ka banuar Kadareja në vitet 1974 – 1989, i ndodhur në katin e tretë të një pallati në Rrugën e Dibrës, projektuar nga arkitekti Maks Velo në vitin 1972, është shpallur në vitin 2015 Monument Kulture i Kategorisë II. Ndërtesa, ose siç quhej në atë kohë “Pallati me kuba”, përfaqëson në vetvete aspiratën e arkitekturës shqiptare për të qenë në një hap me kohën. “Roli kryesor i muzeut kushtuar Kadaresë është edukimi. Ai ka si qëllim të tërheqë një audiencë gjithëpërfshirëse dhe t’ua paraqesë vizitorëve vendas dhe të huaj vlerat e veprave të Kadaresë dhe punën e jashtëzakonshme që ai ka arritur gjatë jetës së tij”, shkruhet në përshkrimin e këtij institucioni. 

Po ashtu, të martën në shkollat e Shqipërisë janë zhvilluar një sërë aktivitetesh.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, ndau në rrjetet sociale momente nga këto aktivitete të nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të vendit.

“Në ditën e tij të lindjes përulemi me respekt para trashëgimisë së jashtëzakonshme të shkrimtarit të madh, Ismail Kadare. Mjeshtër i fjalës dhe penës, Kadare na ka lënë trashëgim ne dhe brezave që do të vijnë një pasuri të pashtershme letrare, që e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë”, ka shkruar ajo. 
Ismail Kadare vdiq më 1 korrik të vitit të kaluar. U lind në Gjirokastër më 28 janar të vitit 1936. U diplomua për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës dhe më pas studioi në Institutin e Letërsisë Botërore “Maxim Gorky” në Moskë. Pjesa tjetër është histori.  “Frymëzime djaloshare” (1954), “Ëndërrimet” (1957), “Shekulli im” 1961, “Përse mendohen këto male” (1964) kanë qenë vëllimet tij të para poetike. Romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963) vlerësohet si pikë kthese në prozën moderne shqiptare. “Prilli i thyer”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Vit i mbrapshtë”, “Shkaba”, “Spiritus”, “Hija”, “Pasardhësi”, “Kush e solli Doruntinën”, “Kronikë në gur”, “Kështjella” “Krushqit janë të ngrirë”, “Ndërtimi i piramidës së Keopsit”, “Piramida”, janë veç disa prej veprave të tij. “Dimri i madh”, “Koncert në fund të dimrit” e “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” po ashtu hyjnë te letërsia e tij elitare. Për veprimtarinë e tij është shpërblyer me çmimet më të njohura që ndan bota, përfshirë “Nobelin” amerikan, siç quhet alternativisht çmimi ndërkombëtar i letërsisë “Neustadt”, “Pak Kyongni 2019”, një nga vlerësimet më të larta letrare në Korenë e Jugut. Po ashtu presidenti francez, Emanuel Macron, ia kishte ndarë atij titullin “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”. “Princi i Austurias për Letërsi” po ashtu u nda për të.