Kulturë

Kadareja, gjiganti i cili me letërsi kapërcente të pamundurën

kadare gazetat

Lajmi për vdekjen e Kadaresë është dhënë gjithandej. Mbi të gjitha, është kujtuar trashëgimia e Kadaresë, këtij gjiganti të madh për të cilin “letërsia është një jetë e dytë”. E vepra e tij tashmë është e përjetshme

Nga Tirana në New York, artikuj të tërë shfaqin ndikimin e thellë që Kadareja ka pasur në lexuesit dhe kulturën letrare ndërkombëtare. Për shumë vjet, krijimtaria e tij ka provokuar refleksione të thella për historinë, identitetin dhe pozicionin e njeriut në shoqëri. Prestigjiozja angleze “The Guardian” e ka vlerësuar që në titullin e artikullit të shkruar si njoftim për vdekjen e tij, ku Kadarenë e quan “gjigant të letërsisë shqipe”. Gazeta amerikane “The New York Times” e ka shquar si shkrimtar që u përmend sa e sa herë për çmimin “Nobel” e si kujtim kanë qenë edhe citatet e shkëputura nga intervistat ndër vite. Njëri prej tyre ka qenë edhe ai për të qenët shkrimtar

Si gjigant i letërsisë, zë universal e shumë epitete të tjera i janë dhënë Ismail Kadaresë në ditëvdekjen e tij dhe lajmi ka zënë vend nëpër mediat më prestigjioze të botës. Është kujtuar edhe nëpërmjet copëzave nga intervistat ndër vite e me vlerësimet e kritikës për veprat e tij që flasin në 45 gjuhë.

Nga Tirana në New York, artikuj të tërë shfaqin ndikimin e thellë që Kadare ka pasur në lexuesit dhe kulturën letrare ndërkombëtare. Për shumë vjet, krijimtaria e tij ka provokuar refleksione të thella për historinë, identitetin dhe pozicionin e njeriut në shoqëri.

Prestigjiozja angleze, “The Guardian”, e ka vlerësuar që në titullin e artikullit të shkruar si njoftim për vdekjen e tij ku Kadarenë e quan “gjigant të letërsisë shqipe”.

“Tregimet e tij alegorike, të informuara nga jeta nën komunizëm, morën vlerësime ndërkombëtare, por ai këmbëngulte se nuk ishte një shkrimtar politik”, ka shkruar në nëntitullin e artikullit për Kadarenë.

“Duke shkruar nën hijen e diktatorit shqiptar, Enver Hoxha, Kadareja shqyrtoi shoqërinë bashkëkohore përmes thjerrëzave të alegorisë dhe mitit në romane, përfshirë ‘Gjeneralin e ushtrisë së vdekur’, ‘Rrethimin’ dhe ‘Pallatin e ëndrrave’. Pasi u arratis në Paris vetëm disa muaj para rënies së qeverisë komuniste të Shqipërisë në vitin 1990, reputacioni i tij vazhdoi të rritej ndërsa ai vazhdonte të kthehej në rajon në letërsinë e tij. I përkthyer në më shumë se 40 gjuhë, ai fitoi një sërë çmimesh duke përfshirë çmimin ‘Man Booker International’”, ka shkruar “The Guardian”.

Krejt veçantë e kanë rikujtuar edhe me disa nga deklarimet e Kadaresë nxjerrë prej intervistave të ndryshme.

Jeta e Kadaresë në thënie

“Ferri i komunizmit, si çdo ferr tjetër, po mbytej në kuptimin më të keq të fjalës. Por letërsia e transformoi atë në një forcë jete, një forcë që të ndihmojë të mbijetosh dhe të mbash kokën lart dhe të fitosh mbi diktaturën”, kishte thënë Kadare për totalitarizmin. Sipas Kadaresë, “në një vend të atij lloji, gjëja e parë për një shkrimtar është më e rëndësishmja, më e qëndrueshmja, ajo është: mos e merrni seriozisht regjimin”. “Ju jeni një shkrimtar, do të keni një jetë shumë më të pasur se ata, ju jeni në një farë kuptimi të përjetshëm në krahasim me ata lloj njerëzish dhe në analizën e fundit nuk keni nevojë të shqetësoheni shumë për ta”, kishte thënë Kadareja. Si formë kujtimi janë nxjerrë edhe konstatimet e tij për Enver Hoxhën.

“Kur Hoxha u prish me Bashkimin Sovjetik në vitin 1962, ai ishte gati të kthehej në Evropë, por ai u refuzua, kështu që ai bëri një aleancë absurde jetëshkurtër me Kinën. Kur kjo shkoi keq, ai ndërtoi mijëra kuti pilula anti-bërthamore, të cilat ai e dinte se ishin të padobishme, por ai donte të krijonte një psikozë frike. Shqipëria vuajti më shumë se çdo vend tjetër i Evropës Lindore”, kishte thënë Kadare. Sipas tij, Hoxha e imagjinonte veten një intelektual dhe poet që kishte qenë në Sorbonë dhe nuk donte të shihej si armik i shkrimtarëve.

“Sigurisht, ai mund të më kishte vrarë në një ‘përplasje me makinë’, ose me ‘vetëvrasje’, siç bëri me shumë të tjerë”, kishte konstatuar shkrimtari i madh.

 Kadare nuk pranonte kur kritika botërore do ta cilësonte si shkrimtar politik

“Unë jam i mendimit se nuk jam një shkrimtar politik dhe për më tepër, për sa i përket letërsisë së vërtetë, në fakt nuk ka shkrimtarë politikë. Mendoj se shkrimi im nuk është më politik se teatri antik grek. Unë do të isha bërë shkrimtari që jam në çdo regjim politik”, kishte thënë ai. Veten nuk e quante as disident, ani pse i shpeshtë qe ky epitet për të edhe në mediat botërore. “Unë kurrë nuk kam pretenduar se jam ‘disident’ në kuptimin e duhur të termit. Kundërshtimi i hapur ndaj regjimit të Hoxhës, si kundërshtimi i hapur ndaj Stalinit gjatë mbretërimit të Stalinit në Rusi, ishte thjesht i pamundur. Disidenca ishte një pozicion që askush nuk mund ta zinte, qoftë edhe për disa ditë, pa u përballur me skuadrën e pushkatimit. Nga ana tjetër, vetë librat e mi përbëjnë një formë shumë të dukshme të rezistencës ndaj regjimit”, kishte thënë gjiganti i letërsisë, ka cituar “The Guardian” në artikullin ndaras për lajmin për vdekjen e tij, në atë që e ka titulluar “Jeta e Kadaresë në thënie”.

Kur do të fliste për suksesin ndërkombëtar të tij, ai kishte një shpjegim.

“Nga njëra anë më siguronte mbrojtje në raport me regjimin, nga ana tjetër isha vazhdimisht nën vëzhgim. Cili ishte dyshimi i ngacmuar ‘pse borgjezia perëndimore e vlerëson shumë një shkrimtar nga një vend stalinist?’”, kishte thënë ai. Në po këtë artikull të prestigjiozes “The Guardian” shkëputet edhe citati për shqipen.

“Për mua si shkrimtar, shqipja është thjesht një mjet shprehës i jashtëzakonshëm – i pasur, i lakueshëm, i adaptueshëm”, kishte thënë shkrimtari i cili shqipen e çoi në piedestalin e gjuhëve.

 Kadare kishte kujtuar se i urrente librat sovjetikë, “plot me diell, punën në fusha, pranverën e gëzueshme, verën plot shpresë”. “Herën e parë që dëgjova fjalët ‘shpresë’ dhe ‘punë e vështirë’, më hapej goja”, kishte thënë ai.

 “Babai themelues i letërsisë shqipe është shkrimtari i shekullit XIX, Naim Frashëri. Pa pasur madhështinë e Dantes apo të Shakespeareit, ai është gjithsesi themeluesi, personazhi emblematik. Shkroi poezi të gjata epike, si dhe poezi lirike, për të zgjuar ndërgjegjen kombëtare të Shqipërisë. Pas tij erdhi Gjergj Fishta. Mund të themi se këta të dy janë gjigantët e letërsisë shqipe, ata që fëmijët mësojnë në shkollë. Më vonë erdhën poetë dhe shkrimtarë të tjerë që prodhuan vepra ndoshta më të mira se ata të dy, por nuk zënë të njëjtin vend në kujtesën e kombit”, kishte thënë Kadare.

Për Kadarenë “në fillim të viteve ‘60, jeta në Shqipëri ishte e këndshme dhe e organizuar mirë. “Një shkrimtar nuk do ta dinte se nuk duhej të shkruante për falsifikimin e historisë”, kishte thënë ai. “Për një shkrimtar, liria personale nuk është aq e rëndësishme. Nuk është liria individuale ajo që garanton madhështinë e letërsisë, përndryshe shkrimtarët në vendet demokratike do të ishin superiorë ndaj gjithë të tjerëve. Disa nga shkrimtarët më të mëdhenj kanë shkruar nën diktaturë – Shakespearei, Servantesi. Letërsia e madhe universale ka pasur gjithmonë një raport tragjik me lirinë. Grekët hoqën dorë nga liria absolute dhe vendosën rendin në mitologjinë kaotike, si një tiran. Në Perëndim, problemi nuk është liria. Ka edhe servitute të tjera – mungesë talenti, mijëra libra mediokër të botuar çdo vit. Unë kam krijuar një grup veprash letrare gjatë kohës së dy sistemeve politike diametralisht të kundërta: një tirani që zgjati 35 vjet (1955-1990) dhe 20 vjet liri. Në të dyja rastet, ajo që mund të shkatërrojë letërsinë është e njëjta: vetëcensuara”

“Të shkruarit është një jetë e dytë”

Sipas Kadaresë, “thonë se letërsia bashkëkohore është shumë dinamike, sepse ndikohet nga kinemaja, televizioni, shpejtësia e komunikimit”. “Por e kundërta është e vërtetë! Nëse krahasoni tekstet antike greke me letërsinë e sotme, do të vini re se klasikët vepronin në një terren shumë më të madh, të pikturuar në një kanavacë shumë më të gjerë dhe kishin një dimension pafundësisht më të madh”, kishte thënë ai duke shtuar se e gjithë kjo zhurmë për risitë, zhanret e reja, është e kotë. “Është letërsia prej së vërteti dhe pastaj vijnë të tjerat”, kishte thënë Kadare.

Kadare kishte folur edhe për përditshmërinë e tij, të qenët shkrimtar.

“Unë nuk punoj më shumë se dy orë në ditë”, kishte zbuluar Kadare. “Të shkruarit nuk është as një profesion i lumtur apo i palumtur – është diçka në mes. Është pothuajse një jetë e dytë”, kishte thënë ai për ta përmbyllur prerazi: “Unë i jam shumë mirënjohës letërsisë, sepse më jep mundësinë të kapërcej të pamundurën.”

Krahasimi me Kafkën e Orwellin dhe vepra e përjetshme

Në artikullin e shkruar nga “The New York Times” Kadareja është krahasuar me Orwellin dhe Kafkën, si një shkrimtar që “eci në litarin e hollë të politikës me vepra që fshihnin kritikat e tij ndaj shtetit të tij totalitar”.

NYT ka kujtuar se emri i Kadaresë do të përflitej disa herë për çmimin “Nobel” për letërsi. Në vitin 2005, ai mori çmimin “Man Booker International Prize”. Finalistët përfshinin titanë të tillë si Gabriel García Márquez dhe Philip Roth.

“ [...] Kur komunistët e Hoxhës morën kontrollin e Shqipërisë në vitin 1944, Ismaili ishte 8 vjeç dhe tashmë po zhytej në letërsinë botërore. ‘Në moshën 11-vjeçare kisha lexuar ‘Makbeth’, i cili më kishte goditur si rrufe, dhe klasikët grekë, pas së cilës asgjë nuk kishte fuqi mbi shpirtin tim”, do të kujtonte ai në një intervistë të vitit 1998 me “The Paris Review”.

Megjithatë, si adoleshent, shkruan NYT, ai ishte i tërhequr nga komunizmi. “’Kishte një anë idealiste në të’ , tha ai. ‘Ju mendonit se ndoshta disa aspekte të komunizmit ishin të mira në teori, por mund të shihnit se praktika ishte e tmerrshme”, ka shkuar NYT.

“Pas studimeve në Universitetin e Tiranës, zoti Kadare u dërgua për studime pasuniversitare në Institutin Gorki për Letërsinë Botërore në Moskë, të cilin më vonë e përshkroi si ‘një fabrikë për fabrikimin e hakimeve dogmatike të shkollës socialist-realiste'”, shkruan prestigjiozja amerikane.

Agjencia botërore e lajmeve “Reuters”, e quajti Kadarenë si “romancierin më të njohur të Shqipërisë”

“Kadare, një figurë e shquar e letërsisë shqiptare dhe ndërkombëtare, u bë i njohur në vitin 1963 me romanin e tij ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’, i cili mori vlerësime nga kritika letrare në mbarë botën”, ka shkuar “Reuters”.

Tutje aty ofrohet një përvijim i veprimtarisë së Kadaresë dhe sfidat e tij me censurën gjatë viteve të komunizmit në Shqipëri.

“Në vitin 1975, pasi botoi një poemën satirike të quajtur “Pashallarët e kuq”, e cila e kishte shënjestër burokracinë komuniste të Shqipërisë, Kadare u dërgua të bënte punë krahu në një fshat të largët në Shqipërinë e mesme”, përcjellë Reuters.

Lajmi për vdekjen e tij është dhënë gjithandej. Mbi të gjitha, është kujtuar trashëgimia e Kadaresë, këtij gjiganti të madh për të cilin “letërsia është një jetë e dytë”. E vepra e tij tashmë është e përjetshme.

Ky artikull bazohet në raportimet e “The New York Times”, “The Guardian”, “Reuters” e mediave të tjera botërore.