Kulturë

Juliette Binoche kryeson jurinë e Festivalit të Cannes

Juliette Binoche

“Në vitin 1985 i ngjita shkallët për herë të parë me entuziazmin dhe pasigurinë e një aktoreje të re. Nuk e kisha imagjinuar kurrë që do të kthehesha 40 vjet më vonë në këtë rol nderi të kryetares së jurisë”, ka thënë Juliette Binoche

Ngjarja më e madhe kinematografike në botë ka zgjedhur kryetare jurie Juliette Binoche, një nga yjet franceze më të njohura ndërkombëtarisht, e cila vlerësohet si nga publiku ashtu edhe nga kritika

(AFP) – Festivali i Filmit në Cannes ka zgjedhur për kryetare jurie një nga fytyrat më të njohura të kinemasë franceze në botë dhe një personalitet të angazhuar, aktoren Juliette Binoche. Edicioni i 78-të i festivalit do të mbahet prej 13 deri më 24 maj. Në këtë pozitë Binoche pason regjisoren Greta Gerwig, e cila e mbajti këtë post vitin e kaluar. Juria ia dha “Palmën e Artë” filmit amerikan “Anor” të Sean Baker. 

“Është hera e dytë në historinë e festivalit që dy artiste shkëmbejnë stafetën prestigjioze të kryesimit të jurisë”, kanë njoftuar organizatorët.

E njëjta gjë ndodhi në vitet ‘60, kur ikona e kinematografisë italiane Sophia Loren mori detyrën nga Olivia de Havilland, aktorja e njohur për rolin e saj në filmin “Gone with the Wind”.

Gjashtë dekada më vonë ngjarja më e madhe kinematografike në botë zgjodhi Juliette Binoche, një nga yjet franceze më të njohura ndërkombëtarisht, e cila vlerësohet si nga publiku ashtu edhe nga kritika.

Juliette Binoche është një nga të paktat që ka arritur çmim të trefishtë: u shpërblye në Cannes për rolin e saj në filmin “Copie Conforme” të iranianit Abbas Kiarostami, më pas në Festivalin e Filmit në Venecie, si dhe në Berlinale. Ajo është gjithashtu një nga aktoret e pakta franceze që mori “Oscar” në 1997 në një rol dytësor për interpretimin në “The English Patient”. 

Binoche, e cila ka punuar me regjisorët francezë Jean-Luc Godard dhe Leos Carax, si dhe me polakun Krzysztof Kieslowski, kanadezin David Cronenberg dhe austriakun Michael Haneke, është mysafire e rregullt në Festivalin e Filmit në Cannes qysh prej vitit 1985 me filmin “Rendez- vous” të André Téchiné, i cili e zbuloi atë.

“Mezi pres t’i ndaj këto momente jetësore me anëtarët e jurisë dhe me publikun. Në vitin 1985 i ngjita shkallët për herë të parë me entuziazmin dhe pasigurinë e një aktoreje të re. Nuk e kisha imagjinuar kurrë që do të kthehesha 40 vjet më vonë në këtë rol nderi të kryetares së jurisë. Ende mendoj për privilegjin, përgjegjësinë dhe nevojën absolute për t'u përulur për shkak të kësaj detyre”, ka thënë Binoche.

Festivali zgjodhi një artiste të angazhuar në politikat e majta, e cila nuk heziton të mbajë qëndrim politik për të drejtat e njeriut dhe gratë në Iran, ekologjinë apo për njerëzit pa dokumente.
Në lëvizjen “#MeToo”, e cila ka përzier letrat e kinemasë botërore vitet e fundit duke mos kursyer as festivalet, ajo mbajti anën e atyre që dënojnë dhunën seksuale.

Duke qenë se është e angazhuar në industrinë e filmit qysh prej viteve ’80, shpesh të karakterizuar nga plotfuqia e burrave, ajo së fundmi u bëri thirrje ta thyejnë heshtjen për këtë temë.

Deri në hapjen e festivalit kanë mbetur edhe 99 ditë përderisa juria duhet të konsolidohet. Shpallja e filmave në konkurrencë zyrtare pritet të bëhet në muajin prill.