Kulturë

“Jorganët...” mbulojnë të kaluarën duke zbuluar pyetje ekzistencialiste

Ekspozita e Barbara Prenkës

Jorganët e Prenkës, ndryshe nga ata tradicionalët të punuar dikur nga jorganxhinjtë e Çarshisë së Gjakovës me afin sateni, shndrisin ndryshe. Me teknika që vjelin frytet e teknologjive të fundit, veprat e saj marrin një shkëlqim të përkryer, aq sa duken gati artificiale, e me të kapur perspektivën e duhur ngjajnë dhe në punime dydimensionale digjitale

Tek gërmon në të kaluarën, Barbara Prenka riformëson jorganët e saj që fshehin me elegancë shenja identitare, artizanatin e së kaluarën. Por në esencë jorganët e saj zbulojnë pyetje ekzistencialiste, sepse artistja u jep tjetër kuptim. “Cikli i jorganëve ka lindur nga dëshira ime me e analizu këtë objekt, sepse na përcjell të gjithëve gjatë krejt ekzistencës, prej lindjes te vdekja. Dhe është një simbol që na mbron në raste të këqija, në varfëri, luftëra, është një ngrohtësi që ta sjellë”, ka thënë Prenka

Ka qenë shkurti i këtij viti kur Galeria e Ministrisë së Kulturës do të hapte ekspozitën e pionieres së mediumit artistik të tekstilit në Kosovë. “Shtegtimet” e artistes Valbona Zherka kishte qenë ekspozitë e bujshme në kryeqytet, u ri-sollën disa nga kryeveprat e saj në tapiceri e pikturë, për herë të parë pas dekadave. 

Në të njëjtin kompozicion, me pikturë e tekstil, në të njëjtën galeri, këtë radhë vijnë “Covers”(Jorganët/Mbulesat) e artistes nga Gjakova që vepron në Itali, Barbara Prenka. Por ndryshe nga krijimet e Zherkës që shtrihen deri në vitet ‘70, Prenka – emri i së cilës ka filluar të zërë vend në skenën ndërkombëtare – trajton tekstilin me freskinë e ditëve të sotme, reflektimeve të thella. Ajo luan me teknologjinë e digjitalen, por i bën homazh dhe traditës duke respektuar punën tradicionale të konstruktimit të një jorgani. Janë shtatë jorganë të cilët në shikim të parë, ani pse ruajnë identitetin e të qenit një objekt utilitar, paraqesin edhe teknika të sofistikuara estetike të cilat përtej varjes në mur në një galeri arti, i shndërrojnë në vepra arti. Jorgani si pikënisje e këtij cikli vjen nga ajo i pasuruar me qasje ekskluzivisht simbolike e me teknika që i japin identitet të shumëfishtë, që presin të zbërthehen nga perspektiva të ndryshme. 

E lindur në Gjakovë më 1990, Barabara Prenka e rritur në Itali, vazhdon të jetojë edhe të veprojë në mes të Venecias, Bolzanos dhe Berlinit. Diplomoi në klasën e profesor Carlo di Racos në Akademinë e Arteve të Bukura në Venecia. Identiteti i saj artistik është i formuar nga praktika me pikturë, tekstil dhe qëndisje. Hulumtimet e saj analizojnë pikturën që përbëhet nga mediume të ndryshme, e cila bëhet një përzierje mes mjedisit të afërt dhe të largët. Kufiri krijon perspektiva të reja gjenerimi. Puna e saj fokusohet në kërkimin e këtij kufiri, një rreth krijimi-shkatërrimi-rikrijimi si qëllim në vetvete. Ajo ka ekspozuar veprat e saj në pesë ekspozita personale dhe disa kolektive në qytete si Berlini, Parisi, Milano, Meksika, Vjena, Tirana, Palermo, e të tjera.

Spektrin e ngjyrave që nisin nga e vjollca, kalojnë te e verdha e portokallia në një paraqitje e cila e zbut këtë transicion natyrshëm. Por ato ndërpriten me tegelin e qepjes

Jorganët e Prenkës, ndryshe nga ata tradicionalët të punuar dikur nga jorganxhinjtë e Çarshisë së Gjakovës me afin e satenit, shndrisin ndryshe. Me teknika që vjelin frytet e teknologjive të fundit, veprat e saj marrin një shkëlqim të përkryer, aq sa duken gati artificiale, e me të kapur perspektivën e duhur ngjajnë dhe në punime dydimensionale digjitale. Nga afër dallohen shenjat e identitetit historik, ka punëdore, e dimensionim nga rrudhjet e krijuara nga qepja e materialit që është i mbushur nga brenda me pambuk. 

Ekspozitën e parë në Kosovë, Prenka e kishte tetorin e vitit të kaluar në kuadër të projektit të Fondit për të Drejtën Humanitare. E titulluar “Dita e Re” nëpërmjet kësaj ekspozite ajo kishte sjellë një rikrijim të fotove familjare me teknikën e punimit të qilimave tradicionalë si homazh i kujtimeve të paraluftës në Kosovë. Te tradicionalja ajo duket se gjen inspirimin vazhdimisht, i bën nder duke e riaktualizuar në artin e saj. 

“Mediumi me të cilin unë punoj është tradicional në mënyrën se si punoj, sepse kemi te bëjmë me qepje dhe materialin. Por punimi më vete është njëfarë lloj pikture, edhe puna ime lind nga tradicionalja, por e kam zhvilluar në një mënyrë moderne. Më intereson ky vizioni i punëdores abstrakte, i asaj që është më hibride dhe është pak dhe distante, kur afrohesh ka pjesë të tradicionales por dhe intime kur ti zbulon tutje”, ka thënë ajo.

Prapa shkëlqimit të jorganëve të saj fshihet një motiv tjetër të cilin artistja e kishte synuar që ta arrinte kur ato të ekspozoheshin. 

“Në punët e para nuk e kam përdorur këtë llak të sermit që jep reflektimin si plastikë, por në këto punëdore kam dashur të përdor këtë me kriju njëfarë reflektimi për ne shikuesit që kur ecim gjatë ekspozitës kemi njëfarë reflektimi sikur jemi në ujë apo në qiell”, ka shtuar ajo. 

Por lidhjen me këtë medium ajo e sintetizon nga kujtimet personale e kolektive. Nga lidhja e pavetëdijshme që njeriu ka krijuar gjatë historisë me jorganin si objekt shërbyes. 

“Cikli i jorganëve ka lindur nga dëshira ime me e analizu këtë objekt, sepse na përcjell të gjithëve gjatë krejt ekzistencës prej lindjes te vdekja. Dhe është një simbol që na mbron në raste të këqija, në varfëri, luftëra, është një ngrohtësi që ta sjellë. Është një diçka që mbron e ngroh, njëjtë edhe shikuesi në ekspozitë duke ecur mundet me u ndie i mbuluar me kujtime kur ka qenë i vogël ose diçka e ngjashme”, ka thënë artistja Prenka. 

Atmosfera ndryshon në këndin verior të Galerisë ku muret janë të ngjyrosura me të gjelbër e aty varen disa piktura të artistes

Atmosfera ndryshon në këndin verior të Galerisë ku muret janë të ngjyrosura me të gjelbër e aty varen disa piktura të artistes, e kjo oazë ndahet nga hapësira qendrore me perde vjollcë e me tingujt eterik që luhen e që ftojnë në reflektim teksa observohen veprat e artistes, këtë radhë të kornizuara e më konvencionale në dukje. 

Janë tetëmbëdhjetë sosh ku secila jetësohet nga i njëjti subjekt por me karakter unik secila. Bëhet fjalë për një plan të afërt të një shtrati gjumi ku vërehen një jastëk dhe jorgan. Në dukje të parë duket si një natyrë e qetë që thjeshtësinë e përditshmërisë e kuptimin më kompleks e merr në variantet e tjera. Tek njëra mungon jastëku, në tjetrën mungon jorgani, diku nuk paraqitet fare prapavija e murit. Kështu artistja përpiqet ta vizualizojë një element të natyrës njerëzore, përpëlitjen e kërkimit të vazhdueshëm të gjërave, përgjigjeve e posedimeve. 

Për kuratorin e ekspozitës, artistin dhe profesorin Zef Paci, bashkëpunimi me Barabara Prenkën rezultoi i frytshëm nisur nga propozimet e vetë artistes. Për të, puna e artistes është shumëdimenisonale në mesazhet që ajo transmeton. 

“Është një ekspozitë e cila në thjeshtësinë e saj sjell në vëmendje një sërë problematikash. Çështje që lidhen me identitetin, teknologjinë e veprën e artit. Sepse është një vajzë që vjen nga një formim në pikturë dhe fillon me i prodhu këta jorganë që ka pa që paraardhëset e saja i kanë bërë. E ban duke marrë të njëjtin objekt por në fakt teknologjia ka ndërru, nuk janë më copat e dikurshme, mënyrat e prodhimit janë të ndryshme, moda, mendësia ka ndërruar. Atëherë t’i kupton se identiteti është diçka që pëson ndryshime. Dhe atëherë kur ky objekt që ngjan në një objekt utilitar e artizanal kalon në një objekt industrial, por autorja e përdor për me i zgju këto pyetje duke prodhuar objekt që nuk është utilitar, por dëfton rëndësinë e teknologjisë në prodhim”, ka thënë Paci në një prononcim për KOHËN.

Koordinatorja e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, Dhurata Ramosaj ka thënë se bashkëpunimi me artisten Prenka është zhvilluar bazuar në parimet e vetë Galerisë, e cila angazhohet me synimin për të ofruar hapësirë për artistë të profileve të ndryshme.

“Gjatë fazës së përgatitjes ne kemi komunikuar shumë me produksionin, me kuratorin dhe kemi ardhur deri te kjo ide finale që po e shihni sot. Ne i kushtojmë rëndësi programit që të jetë gjithëpërfshirës, të jetë i ndryshëm për publikun”, ka thënë Ramosaj për ekspozitën.

E, “Jorganët...” është vërtetë ndryshe.