“Still of the Night” dhe “Is This Love” janë dy prej hiteve të “Whitesnake” të shndërruara në himne të rock-muzikës e që mbajnë vulën e John Sykes, kitarist i flaktë dhe këngëtar i fortë. Te “Thin Lizzy” solli një prekje të dukshme të heavy-metalit. “Ai do të mbahet në mend si një burrë me talent të jashtëzakonshëm muzikor, por për ata që nuk e kanë njohur personalisht, ai ishte një njeri që mendonte shumë, i sjellshëm dhe karizmatik. Prania e tij ndriçonte dhomën”, thuhet në postimin në faqen e tij
John Sykes, rock-kitaristi i shquar, anëtar i grupeve “Whitesnake”, “Thin Lizzy” dhe “Tygers of Pan Tang”, vdiq në moshën 65-vjeçare. Lajmi është bërë i ditur në një postim në faqen e tij në “Facebook”. Sykes kishte luftuar me kancer për disa vjet.
Një kitarist i flaktë dhe këngëtar i fortë me flokë të gjatë biondë, Sykes është bërë veçmas i njohur për punën e tij në albumin e shtatë të grupit “Whitestnake” në vitin 1987, për të cilën ai kishte bashkëshkruar çdo këngë – duke përfshirë edhe hitet “Still of the Night” dhe “Is This Love” – dhe ishte në kitarë në të gjitha ato. Megjithatë, ai ishte shkarkuar nga grupi para se të publikohej albumi, për shkak të një mosmarrëveshjeje me vokalistin David Coverdale dhe pa dy nga kitaristët e tjerë që imitonin pjesët e tij në spotet e këngëve dhe duke bërë turne të gjerë me grupin gjatë viteve kulmore.
“Me dhimbje të thellë njoftojmë se John Sykes ka humbur jetën pas një beteje të gjatë me kancerin. Ai do të mbahet në mend si një burrë me talent të jashtëzakonshëm muzikor, por për ata që nuk e kanë njohur personalisht, ai ishte një njeri që mendonte shumë, i sjellshëm dhe karizmatik. Prania e tij ndriçonte dhomën”, thuhet në postimin në faqen e tij. “Në ditët e tij të fundit, ai foli për dashurinë dhe mirënjohjen e sinqertë për fansat e tij që i qëndruan pranë gjatë gjithë këtyre viteve. Ndërsa ndikimi i largimit të tij është i thellë dhe atmosfera është e zymtë, shpresojmë që drita e kujtimit të tij të shuajë hijen e mungesës së tij”.
I lindur në Reading të Anglisë në vitin 1959 dhe pasi kaloi një pjesë të fëmijërisë në Spanjë, Sykes nisi të luante kitarë si adoleshent dhe filloi karrierën profesionale me grupin “Streetfighter” në fund të viteve ’70 pasi u zhvendos në Blackpool në veri të Anglisë. U largua nga ai grup dhe iu bashkua “Tygers of Pan Tang”, që ishte i popullarizuar gjatë epokës së “Valës së re të heavy metalit britanik” në fillim të ’80-ve ku u krijuan edhe shumë grupe të tjera si “Iron Maiden” dhe “Def Leppard”.
Ai kishte luajtur në albumet e të tri grupeve dhe u largua në fillim të vitit 1982, por ishte i detyruar me kontratë të regjistronte dy këngë të tjera për labelin e grupit MCA.
Pasi Sykes s’pati sukses në një audicion te grupi i Ozzy Osbournet, producenti i “Tygers”, Chris Tsangarides, e lidhi atë me Phill Lynottin, kantautorin e “Thin Lizzy”, grupit që ishte jashtëzakonisht i popullarizuar në atë kohë. Anëtarët e “Thin Lizzy” luajtën në një këngë solo të Sykesit që përmbushi kontratën e tij dhe atij iu kërkua t’i bashkohej grupit.
Sykes solli një prekje të dukshme të heavy-metalit në albumin e fundit të grupit, “Thunder and Lightning”, që nuk u pëlqye shumë nga fansat. Por, “Thin Lizzy” ishte në një spirale në rënie, kryesisht për shkak të varësisë së Lynottit nga heroina – e cila përfundimisht e çoi drejt vdekjes në fillim të vitit 1986 – dhe grupi u shpërbë në vitin 1983.
Ndërsa synonte të vazhdonte punën me Lynottin, Sykes në vend të kësaj vendosi t’i bashkohej grupit “Whitesnake” në fillim të vitit 1984. Ai shtoi pjesë të kitarës në albumin e grupit “Slide it in” dhe luajti me ta në një turne botëror, por Coverdale përjashtoi gjithë grupin pasi albumi u regjistrua dhe u rigrupua me emrat si Dio, Ozzy Osbourne, Quiet Riot dhe Vandenberg. I nxitur nga këngët e bashkëshkruara nga Sykes dhe videot e tyre, albumi theu rekorde botërore dhe “Whitesnake” bëri bujë për dy vjetët pasues, ndonëse albumi pasues i grupit ishte dështim.
Sykes formoi grupin “Blue Murder” me bateristin Carmine Appice dhe basistin Tony Franklin, megjithëse kjo përbërje zgjati vetëm për dy albume. Në vitet në vijim u konsiderua si zëvendësues te grupi “Deff Leppard” për kitaristin e ndjerë Steve Clark – ndonëse roli i shkoi Vivian Campbellit, që për ironi e kishte zëvendësuar Sykesin te “Whitesnake” – përpara se të ndiqte një karrierë solo.
Sykes gjithashtu pati një audicion jo të suksesshëm për “Guns N’Roses” në vitin 2009 dhe vazhdoi punën në materiale solo deri në vitet e fundit të jetës.