Kulturë

Joe Egan – ikona e rockut, zëri i “Stuck in the Middle with You”

Joe Egan

Joe Egan bashkëthemeloi bendin “Stealers Wheel” me Gerry Raffertyn me të cilin shkroi hitin “Stuck in the Middle with You” të vitit 1972 që u rendit në top-dhjetëshe të listave muzikore në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar, dhe përfundimisht i shiti më shumë se 2 milionë kopje

“Stuck in the Middle with You” është një himn i rockut dhe emri i Joe Egan që i dha zë, është i patejkalueshëm në këtë kapitull të historisë muzikore. Muzikanti që e bashkëthemeloi bendin “Stealers Wheel” me Gerry Raffertyn bashkëshkroi edhe hitin, ka vdekur në moshën 77-vjeçare. 

Në lajmin për vdekjen e kantautorit të shquar skocez të shtunën e 6 korrikut u postua në faqen zyrtare të të ndjerit Rafferty, në Fabebook, por nuk u dhëna detaje shtesë rreth shkaktarit të vdekjes. 
“Lajm shumë pikëllues që gjysma tjetër e grupit ‘Stealers Wheel’, Joe Egan, ka vdekur në paqe i rrethuar nga më të dashurit e tij”, shkruhej në mesazhin e postuar në faqen e cila mirëmbahet nga vajza e Rafferty, Martha. “Do ta kujtoj atë gjithmonë si një person të dashur e të butë”.

Egan – i cili fillimisht ëndërronte të bëhej yll i futbollit – dhe Rafferty, u takuan si adoleshentë në shkollën e mesme katolike “St. Mirin’s Academy”, në qytetin e tyre të lindjes Paisley në Skoci dhe në fillim të viteve ’70 e themeluan grupin, “Stealers Wheel”. Dy këngët e tyre të para nuk lanë ndonjë shenjë në industrinë e muzikës, por e treta u shndërrua në hit të zhanrit rock dhe pop.

Dyshja e bashkëshkroi dhe të dy kënduan pjesët kryesore të këngës “Stuck in the Middle with You”, e cila u rendit në top-dhjetëshe të listave muzikore në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar, dhe përfundimisht i shiti më shumë se 2 milionë kopje. Suksesi i këtij hiti bëri që albumi debutues i grupit, me të njëjtin emër, të pozicionohej në vendin e 50-të të toplistës “Billboard 200”.

“Stuck in the Middle with You” u rikthye në vëmendje të publikut mbarë botëror kur u përfshi në një skenë kryesore të filmit debutues të Quentin Tarantinos, “Reservoir Dogs”. Kënga ritmike dëgjohet në prapavijë teksa personazhi Mr. Blonde, i personifikuar nga Michael Madsen, torturon me dëshirën më të madhe një polic dhe në të njëjtën kohë këndon e kërcen me tingujt e saj. 

Gjatë dekadave, “Stuck in the Middle with You” po ashtu është inkorporuar në dhjetëra filma dhe seriale televizive, përfshirë këtu projektet, “The Guilt Trip”, “ER”, “Gilmore Girls”, “That 70’s Show”, “Malcolm in the Middle”, “Raising Hope”, “Cold Case”, “Top Gear” dhe “The Simpsons”.

Kënga e radhës e grupit, “Everything Will Turn Out Fine”, arriti të futet në toplistën “Billboard Top 50” dhe kënga “Star” që ishte pjesë e albumit të dytë të grupit, “Fergusile Park”, u rendit në mesin e 30 këngëve më të mira të kësaj topliste. Më vonë ajo u përfshi në një episod të serialit të shumëshpërblyer, “The Marvelous Mrs. Maisel”. Por ky incizim nga “Stealers Wheel” dhe albumi i tyre i tretë, “Right or Wrong”, i lansuar në vitin 1975, nuk arritën sukses të mjaftueshëm në tregun e muzikës dhe pak kohë më vonë, grupi u shpërbë.

I lindur më 18 tetor 1946, Egan vazhdoi karrierën e tij në muzikë duke publikuar dy albume si solo-artist, “Out of Nowhere” më 1979 dhe “Map” më 1981, mirëpo asnjëri prej tyre nuk arriti të pozicionohet mirë në toplista. Ai u tërhoq nga muzika në vitet ’90 dhe thuhet se vazhdoi të drejtonte një biznes nga shtëpia e tij në Paisley.

Rafferty ishte larguar nga grupi menjëherë pas lansimit të albumit të parë, për t’u fokusuar në një karrierë si solo-artist. Në vitin 1978 e nxori në treg albumin “City to City”, i cili u prit mirë nga publiku dhe gëzoi sukses të kënaqshëm. Pjesë e tij ishte hiti ndërkombëtar “Baker Street” së bashku me hitet tjera, “Right Down the Line” dhe “Home and Dry”. Pasoi albumi i vitit 1979, “Night Owl”, i cili gjithashtu u shit mirë dhe e përfshinte hitin “Get It Right Next Time”.

Rafferty dhe Egan mbetën në kontakt për dekada, pavarësisht se nuk u ribashkuan kurrë. Gerry Rafferty vdiq në vitin 2011.

Marrë nga “Deadline”