“Corbusierhaus” u ndërtua në vitin 1957 në kuadër të konkursit “Interbau”, që solli në Berlin arkitektë të mëdhenj si Alvar Aalto, Oscar Niemeyer, Walter Gropius e të tjerë, për të rindërtuar një pjesë të Berlinit perëndimor si shembull i jetesës moderne pas Luftës së Dytë Botërore. Para disa vitesh “Corbusierhaus” u shpall monument kulture i mbrojtur nga shteti. Ajo vazhdon të funksionojë si ndërtesë banimi dhe shumë nga banorët janë arkitektë, artistë dhe dashamirës të modernizmit
Një nga ndërtesat më të njohura me parafabrikate në Berlinin perëndimor është “Corbusierhaus”, e cila u projektua nga arkitekti zvicerano-francez, Le Corbusier, i njohur edhe si babai i stilit brutalist.
“Corbusierhaus” u ndërtua në vitin 1957 në kuadër të konkursit “Interbau”, që solli në Berlin arkitektë të mëdhenj si Alvar Aalto, Oscar Niemeyer, Walter Gropius e të tjerë, për të rindërtuar një pjesë të Berlinit Perëndimor si shembull i jetesës moderne pas Luftës së Dytë Botërore.
Kjo ndërtesë banimi me 17 kate ka 530 apartamente dhe është një përshtatje e projektit origjinal francez në Marsejë. Por disa ide të Le Corbusierit u modifikuan për t'iu përmbajtur rregullave gjermane të ndërtimit dhe rrethanave lokale në Berlin.
“Corbusierhaus” është pjesë e serisë së ndërtesave të banimit të konceptuara si qytete të vogla vertikale – me dyqane, shkolla, dhe objekte rekreative brenda tyre, edhe pse versioni në Berlin nuk i përmbush të gjitha këto funksione.
Para disa vjetësh “Corbusierhaus” u shpall monument kulture i mbrojtur nga shteti. Ajo vazhdon të funksionojë si ndërtesë banimi dhe shumë nga banorët janë arkitektë, artistë dhe dashamirës të modernizmit.
Disa prej banorëve kujdesen për ruajtjen e trashëgimisë arkitekturore të “Corbusierhaus”.
Marcus Nitschke, i cili është vetë arkitekt dhe banor në kompleksin e Le Corbusier thotë se: “nuk është e lehtë, sepse kur duhen bëre riparime, shpesh ato janë shumë të shtrenjta dhe të ndërlikuara në detaje”.
Një dekadë më parë askush nuk e besonte, që kjo lloj ndërtese do të bëhej pjesë e trashëgimisë kulturore. Por që kur ajo mori atë status, ka pasur një rritje të pabesueshme të numrit të vizitorëve, të cilët janë shumë të interesuar, dhe kjo është një sfidë për banorët.
“Sepse befas e gjen veten në korridor të rrethuar nga turistë me kamera, të cilët bëjnë shumë pyetje. Nga njëra anë, vëmendja e turistëve na pëlqen, por nga ana tjetër ne banojmë këtu dhe duhet kemi kujdes që këto vizita të mos e kalojnë masën”, thotë Marcus Nitschke.