Kulturë

Jazzi klasik zhvendos Broadwayn në sheshin e Prishtinës

Treshja britanike me Sam Jewisonin në vokal e piano, Joe Dessauer në bateri e Harry Evans në kontrabas e trumbetë, kanë shpalosur një kapitull jazzi në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë (Foto: RLIOF)

Treshja britanike me Sam Jewisonin në vokal e piano, Joe Dessauer në bateri e Harry Evans në kontrabas e trumbetë, kanë shpalosur një kapitull jazzi në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë (Foto: RLIOF)

“Rame Lahaj International Opera Festival” shkon përtej zhanrit. Megjithatë, i qëndron besnik stilit. Për më shumë se një orë në sheshin “Skënderbeu”, të premten mbrëma kryeqyteti është veshur me ngjyrat e jazzit klasik. Shumë prej këngëve kanë qenë homazhe për kompozitorë të shquar botërorë. “Ne e adhurojmë muzikën jazz të viteve ’20, ’40, ’50. Të gjithë janë kompozitorë të shquar të rritur në Broadway, nëpër klube jazzi. Ajo çfarë ne synojmë është të kthehemi në shekullin e kaluar...”, ka thënë Sam Jewison

Ritmet e buta e vargjet e bukura të jazzit klasik kanë kthyer dekada. Me zërin e Sam Jewisonit dhe lojën e tij në piano, bashkë me Joe Dessauer në bateri e Harry Evans në kontrabas e trumbetë, treshja ka gjurmuar nëpër perlat e këngëve ikonike që nuk i shuan koha.

Me këtë mbrëmje është shënuar koncerti tradicional i “Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj” të cilin çdo vit ia dedikon një ansambli.

Por festivali i operës shkon përtej zhanrit. Megjithatë, i qëndron besnik stilit. Për më shumë se një orë në sheshin “Skënderbeu”, të premten mbrëma kryeqyteti është veshur me ngjyrat e jazzit klasik. Shumë prej këngëve kanë qenë homazhe për kompozitorë të shquar botërorë.

Një frymë e re në këtë zhanër përfshin edhe popin si ndërlidhje me modernen e së sotmes. Koncerti ka nisur me këngën “Night and day” të Frank Sinatrës. Pianoja, kontrabasi dhe bateritë kanë tingëlluar në kombinimin perfekt të instrumenteve.

Jazzi njihet si zhanër improvizues. Bateritë dhe kontrabasi e mbajnë ritmin në prapavijë derisa primatin e kanë meloditë dhe rrjedha e muzikës nga pianoja me tingujt e britanikut Sam Jewison. Ai edhe ka kënduar. Ngjyra e zërit të tij i shkon stilit të jazzit klasik.

Jewison ka thënë se qëllimi i ndërthurjes me muzikë klasike dhe pop ka qenë që të sillet me freski jazzi klasik.

“Ne e adhurojmë muzikën jazz të viteve ’20, ’40, ’50. Të gjithë janë kompozitorë të shquar të rritur në Broadway, nëpër klube jazzi. Ajo çfarë ne synojmë është të kthehemi në shekullin e kaluar, në kohën më të mirë, të traditës së këtij zhanri, por duke përfshirë muzikë klasike dhe duke i dhënë një qasje të pop-it. Qëllimi është ta kthejmë të freskët, sepse janë vargje të bukura dhe poetika ende flet ndër gjenerata. Ne duam ta mbajmë atë dhe t’i japim jetë, sepse ky lloj i muzikës ia vlen të dëgjohet”, ka thënë ai pas koncertit.

Festivali i operës shkon përtej zhanrit. Megjithatë, i qëndron besnik stilit (Foto: RLIOF)

E ka vlerësuar publikun në Prishtinë derisa ka përmendur se ky zhanër ka audiencë të veçantë.

“Kemi vetëm 24 orë që jemi këtu dhe veçse kemi parë se njerëzit janë të dashur dhe të afërt. Pati shumë njerëz që e ndoqën koncertin dhe u munduam të japim më të mirën nga vetja sa i përket muzikalitetit. Ishte kënaqësi të interpretojmë para një publiku që do të dëgjojë ende muzikë edhe pasi ka mbaruar koncerti”, ka thënë më tej Jewison i cili ka interpretuar në hapësira ikonike të Londrës, prej të cilëve edhe në “Royal Opera House”.

Debutoi me recital në vitin 2022 me “The Composer in Hollywood”, duke u kthyer në vitin 2024 me “The Composer on Broadway”.

“Interpretimi i tij bashkon në mënyrë unike elemente të muzikës jazz, klasik dhe pop në një shfaqje magjepsëse të artit. Këngëtari dhe pianisti shfaqet rregullisht në Crazy Coqs të West End, me programe që eksplorojnë kompozitorët legjendarë amerikanë, përfshirë George Gershwin, Cole Porter, Duke Ellington, dhe shumë të tjerë”, shkruhet në prezantimin për të.

Treshja kthehet fiks 100 vjet pas duke interpretuar këngën “It had to be you”. të publikuar në vitin 1924 dhe është kolonë zanore e filmit me të njëjtin titull. Siç tingëllon bukur kënga e kombinuar me atmosferën e ambientit të hapur ku në muzikën relaksuese dëgjohen edhe tingujt e valëvitjes së gjetheve në mbrëmjen me fllad vere, ashtu përshtaten edhe projeksionet në skenën ku artistët britanikë kanë interpretuar.

Jewingson për një moment shkëputet nga pianoja dhe e fton publikun që derisa këndon ta shoqërojë me tingujt e kërcitjeve të gishtërinjve. “Come fly with me” e Frank Sinatra është e preferuara e tij.

Nga kontrabasi në trumbetë kalon Harry Evans derisa vijon muzika e kësaj kënge. Ai është multiinstrumentist i jazz-muzikës nga Londra si dhe aranzhues.

“Më pëlqejnë gjëra të ndryshme që kanë të bëjnë me jazzin. Koncertin e parë e kisha si 11-vjeçar. Më pëlqenin tingujt e Miles Davis në përgjithësi dhe për këtë koncert e bëmë një homazh për të. Isha i obsesionuar me atë zhurmën e lartë. Në kolegj e gjeta veten në studime të dyfishta dhe ja ku jemi”, ka thënë Evans derisa publikun në Prishtinë e ka konsideruar një prej më të mirëve nga gjithë vendet ku kanë interpretuar.

“Ne luajmë në gjithë botën dhe shumë të sigurt mund të themi se Prishtina është një prej të preferuarave. Njerëzit janë të dashur dhe të ngrohtë. Mund ta përshkruaj si një atmosferë relaksuese në qytet. Ishte një mbrëmje e bukur për të performuar”, ka thënë ai.

“Heart” nga Richard Rogers dhe “Lonely Town” kanë qenë në radhë.

“Do të lëvizim tani te një tjetër kompozitor që është në modë tani”, ka thënë Jewinson nga skena derisa e ka paralajmëruar këngën. Është treguar i afërt me publikun duke e bërë atraktiv koncertin e tyre.

Pjesën hyrëse të këngës ku përmendet qyteti i New Yorkut e ka zëvendësuar me emrin e kryeqytetit të Kosovës. Kënga ka qenë si homazh për këngëtarin e shquar Bill Withers.

Më tej kanë sjellë edhe “The shadow of your smile” nga Andy Williams. Këngët tingëllojnë jashtëzakonisht bukur në një ambient të hapur e të qetë si zona ku është pozicionuar skena e festivalit ku ishte mbajtur edhe koncerti dedikuar Nexhmije Pagarushës, në fillim të javës.

Edhe më bukur e klasik tingëllon një prej këngëve e kombinuar në gjuhët frënge e angleze. Timbri i zërit të tij thuret në interpretim të këtyre këngëve. Para publikut kanë konsideruar se këto këngë janë një lloj qasjeje që e ndryshon mënyrën sesi e shohin të kaluarën e muzikës .

Kanë luajtur pjesën ikonike nga Judy Garland – “Over the rainbow”. Kënga “The way you look tonight” ka qenë homazh për autorin e saj, jazz e pop - këngëtarin amerikan, Tony Bennett.

“Kur isha 16 vjeç ai më jepte këshilla se si të interpretoja këto këngë kaq të mëdha të cilat prej atëherë i ndjej thellë në zemër. Kishte këshilla të tilla si: ‘Ji i sinqertë, besnik ndaj muzikës dhe mos i kopjo të tjerët, qëndro vetvetja’. Kështu që ne vendosëm t’ia dedikojmë këtë këngë Tonnyt të cilin e humbëm vitin e kaluar”, ka thënë këngëtari e pianisti, Sam Jewison.

Koncertin e kanë mbyllur me “Cheek to cheek” nga Irving Berlin.

Joe Dessauer që ka luajtur në bateri ka thënë se ky instrument është esencial në interpretimin e muzikës jazz.

“Ka të bëjë me origjinën e muzikës. Ato nuk ekzistonin para kësaj muzike. Vetë instrumenti është tradicional, sidomos të luash këtë lloj muzike”, ka thënë ai.