Kulturë

Java e Kulturës Franceze sjell në Tiranë skulpturat e Richard Orlinskit

Java franceze

Skulpturat e Richard Oerlinskit kanë zënë disa hapësira në Piramidën që në gjenezën e saj ka pasur krejt tjetër destinim

Java e Kulturës Franceze në Tiranë përreth Piramidës ka sjellë veprat e skulptorit francez Richard Orlinski. I njohur si artist në disa disiplina, përfshirë muzikën Oerlinski prej para çerekshekulli ka nisur të provokoi edhe me skulptura.

Skulpturat e Oerlinskit kanë zënë disa hapësira në Piramidën që në gjenezën e saj ka pasur krejt tjetër destinim.

Sipas raportimit të mediave shqiptare të pranishëm në hapjen e ekspozitës ishin edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard.

Kryebashkiaku Veliaj ka thënë se këto nisma janë një urë e rëndësishme në bashkëpunimin mes dy vendeve.

“Ky ka qenë një vit shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe Francën. Përveç javës simbolike të Kulturës, i gjithë viti ka qenë një vit francez. Edhe kryeministri dje u kthye nga Athina pas një vizite të jashtëzakonshme dhe shumë entuziaste dhe ndoshta që do të mbahet mend në histori shumë gjatë me diasporën atje, ne gjithashtu sapo u kthyem nga Venecia, ku patëm binjakëzimin e Tiranës me Venecian, kryeqytetin e artit, bienales, dhe shumë aktiviteteve të tjera. Java e Kulturës Franceze do të ketë përqendrimin më të madh të aktiviteteve, por ne do të kemi edhe mbjelljen e disa nismave të reja, që do të jenë urë mes Shqipërisë dhe Francës në afatgjatë”, citohet Veliaj nga Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurse në mbrëmjen e së martës, te Piramida është përuruar edhe “Kubi Francez”.

“Këtë javë hapim kinemanë ‘Maks Velo’ për t’i dhënë vëmendje jo vetëm qendrës së Tiranës, por edhe periferisë, ashtu siç ndodh me Marubin në Kinostudio, ashtu siç po ndodh tani me qendrën tonë digjitale, te kinema Agimi. Jam gjithmonë besimtar i faktit se fjalët e sherret i merr era, kurse në finale njerëzit do të thonë: puna, puna, puna”, ka thënë Veliaj.

Ambasadorja Catherine Suard, raportohet t’i ketë shprehur mirënjohjen kryebashkiakut Veliaj dhe Bashkisë së Tiranës për gatishmërinë e treguar për të çuar përpara këto projekte.

“Është artisti bashkëkohor më i shitur në botë dhe është hera e parë që veprat e tij ekspozohen në Tiranë. Mendimi im personal është se këto vepra nuk mund të kishin gjetur një ‘kuti’ më të mirë stolish, kaq me ngjyra, kaq bashkëkohore popullore e të hapur, sa Piramida e Tiranës. Dua të falënderoj kryetarin e Bashkisë dhe Bashkinë e Tiranës, që e mbështet kaq shumë këtë projekt, që besoi tek ne dhe kontribuoi kaq shumë në realizimin e kësaj ekspozite”, citohet të ketë thënë Suard.

Aktivitetet e Javëve Kulturore Ndërkombëtare do të vijojnë me Francën. Koncerte, ekspozitat, shfaqje, kulinari, lojëra, shfaqje cirku dhe argëtimi do të jenë në dispozicion të qytetarëve.