Me “Javën e Arkivit të Hapur”, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, nga sot në mesditë ka hapur dyert për publikun që deri të premten të mund të përcjellë ciklin e trajtimit të materialit arkivor. Në ngjarjen me të cilën shënohet 74-vjetori i themelimit të institucionit shtetëror të arkivave, është bërë e ditur se deri më tani janë digjitalizuar afro 5 milionë dokumente
Me “Javën e Arkivit të Hapur”, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, nga sot në mesditë ka hapur dyert për publikun që mund të përcjellë ciklin e trajtimit të materialit arkivor deri të premten. Në ngjarjen me të cilën shënohet 74-vjetori i themelimit të institucionit shtetëror arkivor, është bërë e ditur se deri më tani janë digjitalizuar afro 5 milionë dokumente, ndërsa është lansuar Sistemi Elektronik i Menaxhimit të Materialit Arkivor.
Në 74-vjetorin e veprimtarisë së përpunimit, restaurimit, mbrojtjes e arkivimit, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës ka nisur aktivitetet për “Javën e Arkivit të Hapur”. Është ngjarje tradicionale me të cilën institucioni kremton çdo vit të aktivitetit. Aty edhe nxjerr të arriturat e sfidat.
Mesditën e së hënës, në objektin e institucionit shtetëror arkivor, ngjarja ka qenë edhe reflektim i punës përgjatë një viti të Agjencisë që merret me dokumente e koleksione të çmueshme për të kaluarën historike të shoqërisë dhe shtetit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, derisa ka theksuar rëndësinë e institucionit, ka thënë se arkivat janë gardianë të trashëgimisë dokumentare.
“Kjo lloj trashëgimie është një testament themelor i kulturës dhe kujtesës sonë historike që duhet t'u transmetohet brezave të ardhshëm në gjendjen më të mirë të mundshme. Arkivat janë qendrat që bartin përgjegjësinë për trajtimin, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë dokumentare të një shteti e populli”, ka thënë ai në fjalën e tij.
Ka përmendur miratimin e ligjit të ri për arkivat si dhe miratimin e tetë akteve nën-ligjore, të cilat, siç ka thënë, “e bëjnë plotësisht të zbatueshëm këtë ligj tejet të rëndësishëm, duke e përmbyllur kësisoj edhe reformën ligjore në fushën e arkivave”.
“Së dyti, Kosova është bërë me strategjinë afatgjate shtetërore për zhvillimin e arkivave, duke e definuar qartë vizionin tonë shtetëror për sistemin arkivor për periudhën 2025-2031, por edhe përtej kësaj. Së treti, kemi përmirësim të dukshëm të kushteve të punës për stafin dhe kushteve të ruajtjes së materialit arkivor gjithandej. Vetëm në vitet e fundit janë përmirësuar kushtet dhe në disa raste punimet vazhdojnë, sikurse në ndërtesat e sistemit arkivor në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë dhe Prizren”, ka thënë ai në vazhdim të fjalës së tij derisa ka përmendur arritjet e institucionit.
Ka përmendur gjithashtu se digjitalizimi masiv i materialit arkivor ka prekur numra që vite më parë ishin të paimagjinueshëm, lansimin e sistemit elektronik të menaxhimit të materialit arkivor dhe rritjen e kapacitetin profesional të Agjencisë Shtetërore të Arkivave si suksese të institucionit. Dy momente krenarie, sipas tij, janë sjellja e materialit arkivor nga komunat e veriut në Prishtinë dhe marrëveshja me Postën e Kosovës, për çka ka thënë se lehtëson qasjen e qytetarëve në materialin arkivor për nevoja sociale e juridike.
I pranishëm ka qenë edhe ministri në detyrë i Ministrisë së Kulturës, Hajrulla Çeku.
Sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, Bislim Bislimi, ka thënë se institucioni deri tani ka digjitalizuar afro 5 milionë dokumente në regjistrin digjital të tyre.
“Vetëm në vitin 2024, pasi filluam realizimin e projektit të digjitalizimit masiv ne kemi digjitalizuar 2.5 milionë dokumente, ndërsa pa përfunduar ende 3-mujori i parë i vitit 2025, këtij 3.6 milionëshit të digjitalizuar tashmë, i është shtuar edhe 1 milion tjetër, duke na afruar kështu me numrin prej 5 milionë dokumentesh në regjistrin tonë digjital apo e shprehur në përqindje të materialit arkivor që e kemi në regjistra të inventarit hyrës, mbi 7% e sasisë së përgjithshme”, ka thënë Bislimi.
Ai ka bërë të ditur se janë në prag të nisjes së fazë së dytë të renovimit të ndërtesës dhe se është gati projekti për renovimin e depove të materialit arkivor për të cilin pritet të nisim punimet këtë vit. Ka thënë se kohëve të fundit, në disa qytete janë përfunduar e në disa ende është duke u punuar për zgjerimin dhe renovimin e hapësirave të vendruajtjeve arkivore.
“Në Gjakovë e kemi rritur hapësirën e funksionimit për afro 800 metra katrorë në të cilën tanimë po zhvillohen punime për renovim e adaptim të plotë sipas standardeve për menaxhimin e vendruajtjeve arkivore. Në Prizren, MKRS po investon me ritme të shpejta në restaurimin e më shumë se 35 aseteve të trashëgimisë kulturore dhe një nga ato, është objekti i ish-Kazermës që pas restaurimit, do të akomodojë Arkivin Ndërkomunal të Prizrenit. Në Gjilan, kemi nënshkruar kontratën e zhvilluar projektin për ndërtimin e Arkivit Ndërkomunal atje, një ndërtesë moderne me mbi 4 mijë metra katror”, ka thënë Bislimi.
Në këtë ngjarje është lansuar Sistemi Elektronik i Menaxhimit të Materialit Arkivor. “Java e Arkivit të Hapur” organizohet për të ndërgjegjësuar opinionin mbi rëndësinë dhe punën e arkivit si institucion.
Zhvillohet tradicionalisht në muajin mars, në shënim të përvjetorëve të themelimit. Sivjet vizitat janë të hapura deri më 21 mars.
Sipas të dhënave, Arkivi i Kosovës nisi funksionimin më 20 mars 1951, si entitet organizativ autonom/institucion qendror i Kosovës së atëhershme, derisa tre vite më parë, më 1948, veçse ishte themeluar Qendra Arkivore në kuadër të Drejtoratit Krahinor për Arsim dhe Kulturë. Pas luftës së vitit 1998 dhe 1999, Arkivi i Kosovës ka funksionuar si institucion në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Sfidë mbetet niveli jo i kënaqshëm i investimeve të realizuara deri më tani në gjithë rrjetin arkivor, që flet për një nevojë kritike të rritjes së investimeve në listën e prioriteteve të Qeverisë për arkivat, por edhe rritjen e bashkëpunimit serioz me komunat dhe institucionet e tjera me ASHAK, në trajtimin e materialit arkivor të padorëzuar dhe të parregulluar etj.”, shkruhet në historikun e Agjencisë së Arkivave të Kosovës.