Kulturë

Jack Coulter – artisti që e pikturon muzikën

“Candle in the Wind (Elton John)”, Jack Coulter, 2022

“Candle in the Wind (Elton John)”, Jack Coulter, 2022

Artisti Jack Coulter ka sinestezi, një gjendje neurologjike që shkakton kryqëzime ndijore, të tilla sikur “shijimi” i ngjyrave. Pharrell Williams, Joni Mitchell, Jean Sibelius dhe Vincent van Gogh kanë, ose kishin, sinestezi “Gjithçka në kokën time është ngjyrë”, shpjegon ai. “Nëse jam në rrugë ose kudo, lidh të gjithë tingujt me ngjyrën. Nëse jam shumë i stimuluar, do të shoh ngjyra shumë më të theksuara dhe shoh pulsime”

Kujtimi më i hershëm i artistit Jack Coulter është teksa qëndronte i ulur në divan në shtëpinë ku është rritur në Belfast dhe me sy mbyllur dëgjonte me vëmendje zhurmën e zemrës së tij.

“Nuk mbaj mend shumë nga të qenit fëmijë. Por kjo gjë më kujtohet”, thotë ai. “Ishte aq qetësi në dhomë saqë veshët e mi dëgjonin vetëm rrahjet e zemrës. Zakonisht kur mbyll sytë gjithçka është e errët, por unë mund të shihja ngjyrat. Hapa sytë dhe ngjyrat ishin ende aty teksa pulsonin para meje – ngjyra e verdhë-portokalli e ndezur, pastaj rrathë me ngjyra, sikur trupa qiellorë. Gjithë kjo filloi me rrahjet e zemrës sime”.

Coulteri ka sinestezi, një gjendje neurologjike që shkakton kryqëzime ndijore, të tilla sikur “shijimi” i ngjyrave. Pharrell Williams, Joni Mitchell, Jean Sibelius dhe Vincent van Gogh kanë, ose kishin, sinestezi. 

Në rastin e artistit nga Irlanda, ai “sheh” tingujt. Që nga fëmijëria, ka përkthyer ngjyrat që sheh dhe emocionet që ndien nga dëgjimi i një kënge ose kompozimi në piktura abstrakte të bukura.

“Gjithçka në kokën time është ngjyrë”, shpjegon ai. “Nëse jam në rrugë ose kudo, lidh të gjithë tingujt me ngjyrën. Nëse jam shumë i stimuluar, do të shoh ngjyra shumë më të theksuara dhe shoh pulsime. Kjo është e përditshme. Por kur pikturoj, i shoh ngjyrat shumë qartë”.

Lidhja e Coulterit me muzikën është bërë rrugë dyanësore. Paul McCartney e përshkruan atë si një “talent emocionues dhe energjik” (Coulter ka pikturuar këngën ‘Yesterday’ të “The Beatles”). Elton John, i cili të varur në shtëpinë e tij ka veprën e artistit, të këngës “Candle in the Wind”, ka thënë se ai në formë magjike e bart ndikimin e muzikës në artin vizual, në një nivel të ri kreativ dhe me ngjyra verbuese. Billie Eilish dhe Post Malone gjithashtu zotërojnë pikturat e tij.

Sinestezia mund të duket si një dhuratë, por për Coulterin është thikë me dy tehe. 

“Më frikësonte kur isha i ri. Mendova se kështu ishte jeta, por pastaj kuptova se nuk ishte kështu për shumicën e njerëzve. Sa më shumë të mësoja rreth kësaj gjendjeje, më dukej se është mjaft magjike. Aq shumë njerëz kanë sinestezi në artet krijuese. Por gjithmonë kam pasur probleme me migrenën dhe ndonjëherë gjumi im ndikohet nga kjo. Nuk jam në gjendje të bëj disa gjëra normale – shkuarja në kinema është një përvojë e çmendur për mua. Tingujt e rinj dhe këngët e reja mund të më shkaktojnë mbingarkesë ndijore dhe migrenë”.

Nothing Compares 2 U (Sinéad O’Connor), Jack Coulter, 2022

Coulter u njoh me artin në moshë të hershme. Tezja e tij, Christine, ishte piktore. Ai u rrit me veprat e saj të varura në shtëpinë e familjes së tij. Kështu e zhvilloi një dashuri për ekspresionistët abstraktë Pollock, Rothko, De Kooning dhe piktorët impresionistë e post-impresionistë si, Van Gogh, Monet, Matisse, si dhe për artin dhe muzikën e Kurt Cobainit nga grupi “Nirvana”.

Coulteri, një burrë që flet me zë të butë dhe ngadalë, thotë se ishte i turpshëm, ngurrues dhe emocional si fëmijë dhe adoleshent, dhe se vazhdon të jetë kështu edhe sot. 

“Muzika dhe piktura më shpëtuan. Gjithmonë ndieja se kishte diçka që më duhej, edhe kur isha shumë i ri. Çdo ditë dëgjoj muzikë për orë të tëra. Arti dhe muzika gjithmonë kanë qenë si miq për mua”.
Në studion e tij në Londrën perëndimore, ai punon shpejt dhe thotë se nuk heq dorë nga ndonjë vepër derisa të jetë e përfunduar.

“Fillimisht dua ta pikturoj ‘ndjenjën’. E ndiej muzikën dhe artin aq shumë. Dua që kjo të shprehet në veprat e mia”. 

Kanavacat qëndrojnë nëpër tokë. Ai rrallë përdor një brushë pikture – nëse e bën, përdor anën “e gabuar” të saj, majën prej druri. Në vend të kësaj preferon të përdorë objekte që gjen përreth, përfshirë prapavijat e kutive të CD-ve. Përveç ngjyrës, ai ka eksperimentuar edhe me pije, të tilla si vodka, uiski dhe Coca-Cola.

Pikturat e tij janë frymëzuar nga një gamë e gjerë artistësh si David Bowie, Miles Davis, Vivaldi, Amy Winehouse, Hans Zimmer. Këtu nuk mungojnë as yjet e popit si Harry Styles, apo bendi irlandez “The Corrs”. Artisti është po ashtu një fans krenar i Taylor Swiftit.

“Unë e dua rock-grupin ‘The Clash’ si dhe e dua Taylor Swiftin. Mendoj se shumë njerëz janë të tillë, ata thjesht nuk duan ta pranojnë këtë. E pashë Taylor Swiftin së fundmi në një koncert në ‘Wembley’. Ishte përvojë e pabesueshme”.

Coulter gjithashtu shkruan këngë dhe muzikë. Ai luante violinë, piano dhe kitarë kur ishte më i ri dhe më vonë filloi të regjistronte zhurmat e ambientit përreth në laptopin e tij. Ai ka një ide për një album, megjithëse nuk ka plane të sakta për këtë. 

“Në vitet në vijim, ndoshta do të kthehem dhe do të filloj të pikturoj partiturat e mia”, thotë ai.
Publikimi i një libri ka qenë mundësi e mirë për të reflektuar mbi vëllimin e madh të punës që ai ka prodhuar dhe faktin që muzikantët, këngët e të cilëve e frymëzuan atë, tani janë adhurues të tij. 

“Është vërtet qesharake të mendosh për këtë. Unë jam gjithmonë aq i fokusuar dhe i zënë, sa ndonjëherë nuk mendoj për disa nga gjërat që kanë ndodhur. Por ndoshta kur të jem 60 vjeç, do të jem duke bërë ndonjë veprim të zakonshëm, siç është larja në dush dhe në ato momente gjithçka do të më bjerë në mend e do të filloj të bërtas nga gëzimi”, tha artisti i shquar irlandez.