Rreth një orë e gjysmë zgjati performanca e yllit latin të muzikës, J Balvin, në natën e dytë të edicionit të tretë të Festivalit “Sunny Hill”. Pos atmosferës elektrizuese, artisti nga Kolumbia bëri të ditur se ia di telashet Kosovës e pengesat qytetarëve të saj. “Çdo dritë është një tjetër ëndërr, një tjetër shpresë, një tjetër besim”, u shpreh ai për t’i bërë jehonë edhe më të madhe thirrjes nga Festivali, që shtetasit e Kosovës të lëvizin lirshëm
Pas koncertit spektakolar të Dua Lipës në natën e hapjes së “Sunny Hill Festival”, radha ishte që malet e Gërmisë t’u bënin nikoqirllëk tingujve të muzikës së një prej këngëtarëve më të mëdhenj latin. J Balvin nga Kolumbia ishte artisti kryesor në natën e dytë të Festivalit, të premten mbrëma. Motos për liberalizim vizash “Princi i Reggaetonit” ia shtoi edhe një krahasim tjetër.
Gjithçka nisi me numërim së prapthi kur kishte kaluar gjysmë ora e parë e 6 gushtit. Nga 10-shi deri në daljen e J Balvinit në skenë, atmosfera u elektrizua nën efektin e reflektorëve që ndriçonin çdo sekondë hapësirën në verilindjen e kryeqytetit.
“Mi Gente” (Popullit tim) ishte kënga me të cilën ai nisi ta jepte mesazhin e tij.
“Muzika ime nuk e diskriminon askënd”, është një nga fjalitë e tekstit të këngës së lansuar më 2017 në bashkëpunim me producentin Willi William. Numëron mbi 3 miliardë klikime vetëm në YouTube.
I përcjellë me koreografinë e veçantë, J Balvin nxori fjalët e para në komunikim me publikun tek pas këngës së parë. “Ç’kemi Kosovë?”, bërtiti ai për t’ia dhënë një tjetër buçimë “Gërmisë”.
“Reggaeton” është zhanri ndër më të famshmit në Karaibet hispanike. Ky zhanër ndërthur ndikimet e muzikës xhamajkane të reggaes dhe dancehallit me ato të Amerikës Latine dhe të hip-hopit. Në shumë raste është e kombinuar me rap, kryesisht në gjuhën spanjolle. Larg në distancë, por në Kosovë, J Balvin gjeti rininë që iu përshtat tërësisht.
“Nga Kolumbia në Kosovë. Jam i lumtur që jam këtu”, u shpreh ai para se të kërkonte nga publiku të mbante ritmin e vallëzimit duke nisur performancën e këngës “Reggaeton”.
“Majta, djathta”, ishin dy fjalët të cilat Jose Alvaro Osorio Balvin kishte mësuar në gjuhën shqipe. I përdori për interaktivitet me publikun, për t’iu përshtatur tamam ritmeve të njërit prej artistëve më të mëdhenj latinë, i njohur edhe për eksperimentimin në disa zhanre muzikore, përfshirë edhe elektronikën e R&B-në.
“Falem...” ngacmoi ai publikun se kinse ka harruar fjalën. “Faleminderit”, vazhdoi pak sekonda pasi bëri sërish për vete turmën pas këngës së dytë të interpretuar.

Kërkesa për liri dhe krahasimi me Kolumbinë
Pas disa minutave në skenë, J Balvin nxori mesazhin e tij kryesor dhe fjalimin më të gjatë. Ndërlidhi Kosovën me shtetin e tij për t’u munduar të përçojë mesazhin e njëjtë si Dua Lipa se duhet të ëndërrohet. J Balvin bëri me dije se ka dëgjuar për problemet politike të Kosovës në ndërkombëtarizimin e saj dhe për izolimin që u bëhet qytetarëve. E ka ndërlidhur duke thënë se vjen nga një vend me plot telashe të brendshme.
“Tung Kosovë. Unë ende jam duke mësuar. Kjo është diçka e re për mua. Jam J Balvin nga Kolumbia. Faleminderit Dua Lipa për ftesën. Respekt e dashuri për publikun. Vij nga Kolumbia. Ishte vend i vështirë dhe e kuptoj se çfarë ndieni tani. Herët a vonë, drita vjen gjithmonë dhe ju do të jeni mirë. Ne jemi këtu me ju. Vazhdoni, ëndërroni dhe realizoni ato ëndrra. Unë për vete s’do të duhej të isha këtu, sepse ishte e vështirë. Por tash jemi këtu dhe do ta djegim”, u shpreh artisti me nam.
I kombinuar me kostum të gjelbër, e me koreografinë në të cilën valltarët kishin të mbuluar fytyrat, J Balvin vazhdoi me këngë me ritëm më të ngadaltë. Në përgjithësi, dominonte e gjelbra, si në performancë, ashtu edhe në reflektorët që ia përforconin ngjyrat vendit më të gjelbër të Prishtinës. Pas 4-5 këngësh, me t’u rikthyer ritmi më i shpejtë, J Balvin rindezi atmosferën. “Ju dua, ju dua”, u shpreh ai për ta rikthyer atmosferën e zjarrtë me këngën “Con Altura” në bashkëpunim me Rosalian. Gjysmë ore në performancë dhe fituesi i dhjetëra çmimeve prestigjioze, mbante skenën “në ajër”. “Loco Contigo” u këndua njëzëshëm nga publiku, për të vazhduar me “RITMO”.
Kur ora arriti fiks 1-shin, ekrani u errësua për t’iu kthyer drita pak sekonda më pas. Në duar mbante flamurin e shtetit të Kosovës, tash si vend nikoqir i yjeve botërore në festivalin me aspirata të mëdha. “Të dua”, ishte brohoritja e artistit 37-vjeçar para se të merrte brohoritjet për disa sekonda. “Tranquila” titullohej kënga pasuese.
Më vonë, këngëtari ekstravagant me stilin e veçantë e shumëngjyrësh të flokëve u shpreh se po ka telashe teknike në skenë. Ai e përdori këtë justifikim për të nxjerrë një kërkesë me publikun. Kërkoi ndezjen e dritave të telefonit për të dhënë tjetër mesazh.
“Çdo dritë është një tjetër ëndërr, një tjetër shpresë, një tjetër besim”, u shpreh ai për t’i bërë jehonë edhe më të madhe thirrjes nga Festivali që shtetasit e Kosovës të lihen të lëvizin lirshëm. Mesazhi u shpërnda edhe nga faqja kryesore e “Sunny Hillit” në Instagram. “Set me free” (Më li të lirë) ishte thirrja e edicionit të tretë të festivalit, që për dy vjet pauzoi për shkak të pandemisë.
Artisti nga Medellin i Kolumbisë njihet si një nga zërat më të fuqishëm të muzikës latine në botë. U bë artisti i parë që pranoi çmimin “Ikonë Botërore” nga “Lo Nuestro Awards”, si njohje për kontributin e rritjes së muzikës latine në botë. Theu rekord për këngë të lansuara me mbi 100 milionë klikime. Më 2015 u shpall artisti më i ndjekur latin nga VEVO dhe më 2019 u bë artisti më i ndjekur në YouTube Global. “Mi Gente” ishte kënga e parë hispanike që hyri në “Top 50 Spotify”. Më 2018 në këtë platformë ishte artisti më i ndjekur, duke tejkaluar edhe rekordet e Draket. Deri në prill të 2020-s mbeti në top 5. Në “Apple Music” ka prekur miliardat. Gjithsej numëron mbi 44.2 miliardë transmetime në YouTube e Spotify.
Këngëtari kolumbian ka lansuar pesë albume solo, një në bashkëpunim, tri ‘mixtapes’ dhe tri “EP”. Këngët e tij janë shitur në platforma mbi 35 milionë herë. Të zyrtarizuara deri më 2019 i ka pasur edhe katër milionë shitje të albumeve. Sipas Wikipedias, J Balvin ka fituar tetë çmime në “Billboard Latin Music Awards”, pesë “Latin Grammys”, pesë “MTV VMA” dhe katër “Latin American Music Awards”.
Artisti me mbi 52 milionë ndjekës në Instagram performoi për gati 80 minuta në skenën e Gërmisë. Në Kosovë arriti pas orës 15:00 të së premtes. Me të mbërritur në vend, publikoi në rrjete sociale fotografinë e flamurit të Kosovës nga Aeroporti i Prishtinës.
Me mesazhe vazhdoi edhe më. Një ditë pas paraqitjes në Kosovë, artisti kolumbian ka publikuar disa herë në rrjete sociale.
“Të dua Kosovë, mos u ndal së ëndërruari”, ka shkruar ai si përshkrim i fotografive të “Sunny Hillit” me flamurin e Kosovës në duar. “Kosova gjithmonë ka ëndërruar të jetë një artiste globale dhe këtu vazhdojmë", ka shkruar ai në një postim tjetër të shtunën.

Standardi i paprekshëm i Dua Lipës
Pavarësisht atmosferave të zjarrta edhe nga yjet e tjera, ngjitjen e Dua Lipës në skenën e Festivalit “Sunny Hill”, vështirë se dikush mund ta tejkalojë sa u përket pritjeve të adhuruesve kosovarë të muzikës. Si nata e parë e edicionit të sivjetmë, nuk pritej që të ishin tri të tjerat. J Balvin dhe emrat e tjerë të netëve pasuese nuk kanë ndikimin që ka Dua te bashkëkombësit e saj.
“Nata më e mirë ishte dje. S’ka si Dua Lipa”, ka deklaruar Lea 24-vjeçare nga Dortmundi që ishte për pushime në Kosovë në këtë kohë. “Pasi që ishim këtu, dhe u përshtat koha vendosëm të vinim”, është shprehur vëllai i saj, Joni 17-vjeçar. Të dy janë shprehur se sa shumë e pëlqejnë “Sunny Hillin”, por se kanë pasur vërejtjet për edicionin e sivjetmë në krahasim me të kaluarit, kryesisht për shkak të tollovive të natës së parë. Për J Balvinin janë shprehur se nuk e njohin aq mirë, por ka këngë që ia dinë. Ngjashëm ka thënë edhe F.H. nga Istogu, që në “Sunny Hill” qëndroi vetëm natën e dytë. “Jam këtu veç për qejf, e njoh pak, por disa këngë i di. Kam ardhur me e pa se qysh është të jesh në “Sunny Hill”, ka thënë ai.
“’Mi Gente’ është kënga e vetme që kam menduar se ia di. Po kur e dëgjova, e pashë që e njoh edhe ma mirë edhe më pëlqeu shumë. Nata më e mirë ka qenë dje, sepse ka qenë ylli ynë”, ka shtuar Butrinti nga Franca, por që ka qëlluar për pushime në Kosovë.
Kishin dëgjuar pak për Mahmoodin, kantautorin italian që i parapriu performancës së J Balvinit. Megjithatë, atyre u la përshtypje paraqitja e tij. Para Mahmoodit skenën e dominuan artistët vendorë. Ritmet e gjalla gjatë gjithë kohës e ndoqën natën e dytë.
Turma, që hyri më lehtë për shkak të përfundimit të kontrolleve kryesore në natën e parë, pas orës 20:00 kishte mbushur të gjithë hapësirën kryesore. Një ekran i vendosur qindra metra larg skenës kryesore shërbente për të mbledhur tjetër turmë të madhe, që e shihte performancën përmes pamjeve nga kamerat.
Reperi britanik, Skepta, është ylli i natës së tretë të “Sunny Hill Festival”.