Në fokus të veprimtarisë së Institutit Francez në Kosovë, i cili do të operojë në kuadër të Ambasadës së Francës, do të jetë rritja e pranisë së kulturës dhe gjuhës franceze në vend, duke u përqendruar në përpjekjet për të promovuar dhe përhapur vlerat e kësaj kulture nëpërmjet Prishtinës si qendër dhe dy degëve të Institutit të sapoformuar, në Prizren dhe në Fushë-Kosovë. I inauguruar edhe në praninë e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, të dërguarit special të Francës për Ballkanin, René Troccaz, e ambasadorit francez, Olivier Guérot, Instituti është cilësuar si urë që fuqizon bashkëpunimin për gjuhë e kulturë. Fuqizon edhe raportet ndërshtetërore
Në rrymën e ndërveprimeve ndërkombëtare, ku lidhjet diplomatike rezultojnë të jenë impenjim me rëndësi për çdo shtet, kultura del si urë e cila mundëson krijimin e marrëdhënieve si ato midis Francës dhe Kosovës e që paraqet një dëshmi të qëndrueshmërisë, solidaritetit dhe aspiratave të përbashkëta. Franca, me historinë e saj të pasur, trashëgiminë kulturore dhe ndikimin global, shërben si pikë reference sa i përket progresit. Prej Iluminizmit deri në Revolucionin Francez dhe më tej, Franca ka mbrojtur vlerat kulturore duke dëshmuar se sa me rëndësi është një akt i tillë.
Ndërkohë Kosova, gjatë udhëtimit të saj të vetëdeterminimit, tenton të largohet nga hijet e konfliktit, për të afirmuar identitetin dhe aspiratat e saj në skenën botërore.
Marrëdhëniet midis Francës dhe Kosovës janë dëshmi e një aspirate të tillë, e cila konsolidohet edhe më tej me themelimin e Institutit Francez, i cili është i destinuar t’i shërbejë këtij raporti ndërshtetëror.
Inaugurimi i këtij institucioni në kryeqytet, të martën mbrëma, ka bërë bashkë përfaqësues vendorë dhe të jashtëm politikë. Në ceremoni kanë marrë pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i dërguari special i Francës për Ballkanin, René Troccaz, ambasadori francez, Olivier Guérot, dhe drejtori e Institutit Francez, Donato Giuliani. Instituti ka për qëllim kryesor të fuqizohet si institucion në shërbim të kulturës. Duke funksionuar në kuadër të Ambasadës franceze në Kosovë, do të shërbejë si degë kulturore e Ambasadës. Baza e veprimtarisë ndërtohet mbi premisat e edukimit për gjuhën dhe kulturën franceze duke ofruar mundësi të ndryshme në spektrin kulturor.
Inaugurimi është bërë në kuadër të edicionit të 24-t të Javës së Frankofonisë, që mbahet prej 21 deri më 27 mars 2024 me Mitrovicën si kryeqendër për sivjet, por që i shtrin aktivitetet edhe në Prishtinë.
Përderisa ambasadori Olivier Guérot e ka falënderuar për prezencën, presidentja Vjosa Osmani themelimin e Institutit ka thënë se e konsideron personifikim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Francës.
“Është gjithmonë kënaqësi të jemi dëshmitarë të avancimit dhe të fuqizimit të marrëdhënieve dhe partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Francës, përmes formave të reja dhe strategjike të bashkëpunimit dypalësh”, ka thënë presidentja Osmani
Ka vlerësuar inaugurimin e Institutit si mundësi të mirë dhe rast të veçantë për të festuar arritjet e deritanishme të të dyja vendeve.
“Instituti Francez i cili po hapet sot është i destinuar të luajë rol kyç në përafrimin e dy vendeve tona dhe popujve tanë, duke promovuar vlera të përbashkëta, si dhe thellimin e kuptimit të ndërsjellë nëpërmjet gjuhës dhe kulturës”, ka shtuar ajo.
Programi i këtij instituti i cili është prezantuar shkurtazi, pikë qendrore ka ofrimin e mundësive për të mësuar gjuhën frënge. Instituti do të vijojë me kurset e frëngjishtes, të cilat deri vonë janë ofruar nga Aleanca Franceze, institucion pararendës tashmë i shkrirë në këtë institut.
Rolin e gjuhës te një komb e ka veçuar edhe presidentja, e cila u shpreh se rëndësinë e saj populli i Kosovës e ka njohur gjithnjë.
“Siç thuhet shpesh gjuha është çelësi i shpirtit të një kombi. Ne shqiptarët e kuptojmë këtë shumë mirë, besoj thellë në fuqinë e gjuhës pasi që duke mësuar gjuhën e njëri-tjetrit, ne jemi në gjendje të mirëkuptohemi, ta kultivojmë empatinë dhe ta promovojmë dialogun”, ka thënë presidentja, duke shtuar se si e tillë hapja e Institutit është një katalizator i forcimit të lidhjeve midis popujve, krahas të qenit dëshmi unike e përpjekjeve për paqe dhe demokraci.
I dërguari special i Francës për Ballkanin, René Troccaz, në fjalimin e tij u shpreh i lumtur që një institucion i tillë po themelohet në Kosovë, duke iu referuar atij si një investim në marrëdhëniet midis dy vendeve.
“Është me të vërtetë një pikë shumë me rëndësi e bashkëpunimit tonë. Më besoni, jam i sigurt se ky është një investim shumë i mirë për të ardhmen, dhe në Francë po investohet në këto marrëdhënie. Ne në Francë e kemi një thënie se nuk ka dashuri por ka vetëm dëshmi të dashurisë, dhe hapja e këtij instituti është një dëshmi e prekshme e investimit që po e bëjmë këtu”, ka thënë Troccaz, duke shtuar se Instituti është një platformë e cila ofron hapësirë për krijuesit e Kosovës dhe për studentët duke u ofruar mundësi studimi në Francë.
“Dëshirojmë të ndërtojmë një sinergji midis njerëzve, të promovojmë kreativitetin, kinemanë, artet dhe muzikën”, ka shtuar ai. Këtë hap ka thënë se e konsideron si një kaptinë të re në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Francës.
Në fund të fjalimeve të shkurtra, ambasadori francez, përfaqësuesi special dhe presidentja ngrenë një dolli, për t’i hapur rrugë soditjes së hapësirave të Institutit në lagjen “Pejton” shoqëruar me muzikë klasike e ekzekutuar nga dy violina, krahas shampanjës franceze që shërbehej në këtë ceremoni të dendur me diplomatë.
Themelimi i Institutit Francez të Kosovës është një hap domethënës që tregon vendosmërinë e Francës për të thelluar lidhjet kulturore dhe gjuhësore me Kosovën. Ky institut, i lidhur me Ambasadën e Francës në Kosovë, do t’i mundësojë Francës të forcojë praninë e saj nëpërmjet aktiviteteve kulturore.