Kulturë

Institucionet shpërfillin ligjin, mundësojnë shumëkatëshe afër monumentit në Pejë

Punimet e objektit afarist banesor afër Kishës së Shën Katerinës në Pejë kanë arritur deri në katin e tretë

Punimet e objektit afarist banesor afër Kishës së Shën Katerinës në Pejë kanë arritur deri në katin e tretë

Jo më shumë se dhjetë metra afër kompleksit të Kishës së Shën Katerinës në Pejë, të cilin shteti e mbron si monument, po ngrihet një objekt prej gjashtë katesh. Punimet kanë arritur deri në katin e tretë para syve të institucioneve. Krejt bashkë kanë heshtur edhe pse shkresat e konfirmojnë se ka shkelje ligjore. Asnjëri prej institucioneve tash e disa ditë nuk përgjigjet, përderisa investitori është tërhequr nga deklarata. Dokumentet që i ka KOHA shpërfaqin lojën e institucioneve me data e shkelje afatesh, se projekti është në kundërshtim me ligjin, devijime me ankesë e bartje përgjegjësie për mosndalimin e punimeve

Diku me mbyllje të syve e diku me ndonjë trik administrativ, institucionet shtetërore kanë mundësuar punën për ndërtimin e një shumëkatësheje afër kompleksit të kishës katolike “Shën Katerina” në Pejë.

Megjithëse Kisha bashkë me të gjitha ndërtesat përcjellëse është nën mbrojtje si aset i trashëgimisë kulturore, ndërtesa, që zë vend në anën perëndimore dhe jugperëndimore të saj, ka arritur të ndërtohet deri në katin e tretë. Për të katërtin shtyllat tashmë janë vënë. Kompleksi, që sipas projektit do të ketë gjithsej gjashtë kate, gjendet në zonën mbrojtëse të monumentit. Është ngjitur me parcelën e monumentit. Për ndërtime të tilla, Ligji për trashëgimi kulturore parasheh pajisje me leje e në të kundërtën edhe masa të tjera, gjë që në këtë rast nuk rezulton të jenë marrë. 

Një seri dokumentesh e shkresash që i ka në dispozicion KOHA e dëshmojnë këtë. Njësoj dëshmohet edhe heshtja e institucioneve. Për disa ditë institucionet kompetente nuk kanë kthyer fare përgjigje, ani pse konformohet se i kanë marrë e shqyrtuar pyetjet. Madje për pyetjet kanë njoftuar direkt edhe investitorin.

Loja me data e shkelja e afateve

Historia e këtij ndërtimi që është duke u bërë nga kompania “Intern Investment Group SH.P.K.”, me pronar Rahmon Shalën, ka nisur në pjesën e parë të vitit të kaluar. Dhe vazhdon ende. 

Kompania ishte pajisur me leje për ndërtim nga Drejtoria e Urbanizmit në Pejë, që udhëhiqet nga Arta Nallbani. Leja ishte lëshuar pa qenë pala e pajisur me pëlqim nga institucionet e trashëgimisë kulturore edhe pse parcela ku zhvillohet ndërtimi është në zonën e mbrojtur të monumentit. Rrënimi i ndërtesave paraprake ishte bërë po ashtu pa pëlqim nga institucionet e trashëgimisë kulturore. Pasi Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore kishte evidentuar zhvillimet në atë pjesë, ishte aktivizuar.

Kishte kërkuar pezullim të lejes nga Komuna e Pejës dhe kishte udhëzuar palën (ndërtuesin) që të pajiset me leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Procedura kërkon që pala t’i drejtohet IKMM-së me kërkesë për pajisje me leje nëpërmjet Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore. Në këtë rast, asaj të Pejës. Në bazë të shkresave të kësaj lënde, QRTK-ja kishte protokolluar kërkesën më 28 maj të vitit 2024. Sipas Procedurës Standarde Operative, kërkesat brenda 24 orësh i përcillen IKMM-së nëpërmjet postës elektronike, kurse brenda pesë ditësh në kopje fizike. Në këtë rast nuk ishte vepruar kësisoj. Sipas protokollit, QRKT-ja e ka përcjellë lëndën në IKMM më 3 qershor të vitit 2024, shtatë ditë pasi e ka pranuar atë. Në këtë shkresë të përcjellë nga drejtoresha e QRTK-së, Shpresa Gjonbalaj, nuk është cekur data e pranimit të lëndës.

“Projekti në kundërshtim me ligjin”

Komisioni për shqyrtimin dhe vlerësimin e projekteve dhe kërkesave restauruese e konservuese të trashëgimisë kulturore në IKMM nuk e ka miratuar projektin. 

“Refuzohet kërkesa për ndërtimin e objektit banesor B+P+5K në parcelën kadastrale nr. 06337-0, rr. ‘Nëna Terezë’, me investitor ‘Intern Investment Group Sh.P.K.’, pasi që parcela ku planifikohet ndërtimi gjendet brenda zonës mbrojtëse të monumentit...”, shkruhet në pikën e parë të vendimit të protokolluar më 3 korrik. Sipas vendimit, refuzimi është bërë pasi “krijohet vëllim i madh duke penguar në masë të madhe vizurat në raport me asetin e trashëgimisë kulturore, Kisha e Shën Katerinës në Pejë, duke qenë në kundërshtim me Ligjin për trashëgimi kulturore”. 

Kompleksi, që sipas projektit do të ketë gjithsej gjashtë kate, gjendet në zonën mbrojtëse të monumentit. Është ngjitur me parcelën e monumentit. Për ndërtime të tilla, Ligji për trashëgimi kulturore parasheh pajisje me leje e në të kundërtën edhe masa të tjera, gjë që në këtë rast nuk rezulton të jenë marrë

Projekti që është në zhvillim e sipër parasheh ndërtim me dy blloqe dhe merr formën e shkronjës T. Blloku “A” shtrihet në dimensione 22.6 metra me 17.7 metra. Kurse blloku “B” mban dimensione 20.9 metra me 50 metra. Sipas projektit, nga ana perëndimore do t’i zihet pamja në tërësi asetit të trashëgimisë kulturore, që është në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Në një pamje paralele të projektit, maja e kambanores së Kishës, që është rreth 27 metra, do të tejkalojë krejt pak lartësinë e ndërtesës afariste banesore.

Devijimi me ankesë

Ndërmarrësi në këtë rast ka shfrytëzuar të drejtën që të ankohet për këtë vendim. Ankesat drejtohen në atë që njihet si shkalla e dytë në Ministrinë e Kulturës. Në këtë rast komisioni ka nxjerrë vendim, nëpërmjet të cilit e ka aprovuar si të bazuar ankesën e investitorit. Po nëpërmjet këtij vendimi, ky komision ka shfuqizuar vendimin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Investitori në ankesë kishte tri pretendime. Prej tyre, dy i janë hedhur poshtë, kurse atij për mosmarrje të përgjigjes brenda afatit i është dhënë të drejtë. Në arsyetim të këtij vendimi shkruhet se sipas Ligjit për trashëgimi kulturore afati për vendosje për leje, për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural nga ana e institucionit kompetent është 15 ditë nga data e pranimit të kërkesës. Aty sqarohet se pala e ka dorëzuar kërkesën më 25.5.2024, ndërsa QRTK-ja e ka dorëzuar kërkesën në IKMM më 3.6.2024. Komisioni nuk është marrë me faktin se QRTK-ja e ka dorëzuar kërkesën në IKMM më vonë sesa afati i caktuar me Procedurën Standarde Operative dhe se QRTK-ja nuk kishte cekur fare datën e pranimit të kërkesës nga pala. IKMM-ja ka nxjerrë vendim për shtyrje të afatit për t’u përgjigjur më datë 14.6.2024 dhe përgjigjja përfundimtare i ishte dhënë palës me 3.7.2024. 

“Komisioni pas analizimit të dokumentacionit të dorëzuar nga IKMM dhe provave që posedon, konstaton se edhe vendimi për shtyrjen e afatit, por edhe vendimi final është nxjerrë me vonesë”, shkruhet në arsyetimin e vendimit të shkallës së dytë. Pasi nëpërmjet dispozitivit të vendimit në njëfarë forme i hap rrugë ndërtimit, ky komision tregon se IKMM-ja ka veto mbi dhënien e lejes së ndërtimit për ndërtesa ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti.

Mbulimi i pamjes së monumentit me ngrehinë 70 metra

Ndërtesa me dy blloqe, që bashkë kanë gjatësi mbi 70 metra, e mbulon pamjen e kompleksit kishtar fund e krye nga ana perëndimore. Distanca midis Shtëpisë së Motrave brenda kompleksit kishtar dhe objektit në ndërtim është rreth 10 metra. Ligji për trashëgimi kulturore përcakton krejt të tjera rregulla. 

“Cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent”, shkruhet në nenin 4 të këtij Ligji. Në ligj përcaktohen edhe zonat e mbrojtura. 

“Monumentet arkitekturale nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme kanë një zonë tё mbrojtjes, që është 50 metra nga perimetri i monumentit. Kjo zonë e mbrojtjes mund të zgjerohet ose ngushtohet dhe përcaktohet në planin e institucionit kompetent dhe në planet hapësinore relevante në pajtueshmëri me nenin 2 të Ligjit nr. 2003/14 për planifikim hapësinor”, shkruhet në nenin 6.

Heshtja “grupore” e institucioneve

KOHA ka pyetur drejtoreshën e Urbanizmit në Pejë, Arta Nallbani, se përse i është dhënë leje ndërtimore kompanisë që realizon projekt ndërtimor afër monumentit. Po ashtu nëpërmjet postës elektronike Nallbani është pyetur se përse vazhdojnë punimet në të njëjtën ngastër kadastrale, megjithëse projekti s’ka pëlqim nga ana e IKMM-së. Por ajo nuk është përgjigjur. Për pyetjet KOHA ka vënë në dijeni edhe kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri. 

Përgjigje për këtë çështje KOHA nuk ka pranuar as nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Pejë, Ministria e Kulturës, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore e as nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Po ashtu përgjigje nuk ka ofruar as Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. KOHA ka marrë vesh se institucionet e kanë vënë në dijeni investitorin për pyetjet që kanë pranuar.

Bartja e përgjegjësisë për mosndalimin e punimeve

Në kohën kur ka nisur ndërtimi i objektit, drejtoreshë e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore ka qenë Gjejlane Hoxha. Inspektorati për këtë rast – për dallim nga shumë raste të tjera – s’ka shqiptuar masën: ndalim punimesh. Po i njëjti Inspektorat edhe për projekte me vëllim pakrahasimisht më të vogla dhe me distancë mbi 30 metra nga monumenti ka ndaluar punimet. Por në këtë rast Inspektorati kishte vendosur që të jepte udhëzime.

Hoxha – e cila ka qenë drejtoreshë e ITK-së deri në dhjetor kur u pensionua – nëpërmjet postës elektronike i ka thënë kohës së ITK-ja ka marrë veprimet e duhura sipas përcaktimeve ligjore për ndërtimet e reja në hapësirat e zonave mbrojtëse rreth perimetrit të kufirit të hapësirave të monumenteve në mbrojtje. 

“Përkitazi me rastin, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, gjatë procedurës së shqyrtimit të kërkesës për leje të ndërtimit të ri në lokacion të zonës së mbrojtur të monumentit, zyrtarët përgjegjës të Komunës së Pejës dhe të trashëgimisë kulturore në mënyrë detale dhe në formë të shkruar janë njoftuar dhe obliguar për zbatimin e rregullave...”, shkruhet në përgjigjet e saj. Sipas Hoxhës, bëhet fjalë për ndërtim të ri në zonën e mbrojtur të trashëgimisë kulturore, “në të cilin në shtojcën 1, pika 1.9 specifikon se këto ndërtime klasifikohen ne kategorinë 3”. 

“Dhe, për këtë kategori të ndërtimeve leja lëshohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe jo nga komunat”, ka thënë ajo. 

Ka shtuar se në rastin konkret institucioni kompetent i trashëgimisë kulturore, IKMM ka shqyrtuar dhe refuzuar kërkesën për këtë ndërtim të ri. 

“Pavarësisht mungesës së pëlqimit dhe jashtë kompetencës për lëshimin e lejeve të ndërtimeve të kategorisë 3, Komuna e Pejës ka proceduar dhe lëshuar lejen ndërtimore”, ka thënë Hoxha. Sipas saj, bazuar në Ligjin e ndërtimit dhe për evitimin e parregullsisë së mundësimit të lejimit të këtij ndërtimi në kundërshtime ligjore, QRTK-ja rastin e ka paraqitur në Inspektoratin kompetent ligjor për ndërtime të reja të kategorisë 3, në kuadër të Ministrisë së Mjedisit. Po ashtu ka treguar se QRTK-ja është udhëzuar që kundër lejes kontestuese ndërtimore të parashtrojë ankesë në Komisionin e Ministrisë së Mjedisit.

“Ne vijim, kundër kësaj lejeje ndërtimore, Ministria e Kulturës ka parashtruar ankesën te Komisioni i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, ka thënë Hoxha. 

Por sipas rregullores për kompetencat e Inspektoratit, “kur Inspektorati konstaton se autoriteti përgjegjës lokal ka dështuar të sigurojë zbatimin e akteve administrative për aprovimin e lejes ndërtimore, ai do të ndërmarrë veprimet ligjore për fillimin e procedurës kundërvajtëse apo penale”. 
KOHA ka komunikuar me investitorin Rahmon Shala. Ai ka dhënë disa sqarime në raport me investimin e tij. Pas bisedës, në një telefonatë të dytë, është tërhequr nga deklarata. 

Në rrjete sociale tashmë gjenden afishimet se shitjet e banesave kanë filluar. Sipas projektit që posedon bodrum, kat përdhese dhe pesë të tjera sipër, parashihet të ketë rreth 90 njësi banimi. Punimet vazhdojnë, njësoj sikurse heshtja e deritanishme e institucioneve.