Me shallin e bardhë rugovas në kokë, në rolin e Malës, në filmin “Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna” e deri te djaloshi i pashëm te filmi “Era dhe Lisi”, fotografi vinjetash e aso bardhezi në rrjetet sociale kanë evokuar rolet e veçanta që i mishëroi aktori i lindur në Pejë në familjen e njohur të Begollve. Atë që Faruk Begolli e kishte parashikuar pak kohë para se të vdiste, është provuar edhe në këtë ditëvdekje. Pa asnjë aktivitet përkujtimor e me vetëm afishime aty-këtu në rrjetet sociale, aktori pejan, yll në shumë filma të njohur, kishte paralajmëruar se “kur të vdisni, të gjithë, televizionet, radiot, teatrot, institucionet kulturore dhe ato shtetërore ju lavdërojnë, por jo më gjatë se një apo dy ditë”
Një dramë e ftilluar që prej fëmijërisë do ta ndiqte këmba-këmbës edhe në mjeshtërinë e aktrimit. Në dhjetëra filma të zhanrit dramë, Faruk Begolli do të imponohej si një nga artistët shqiptarë që bëri nam në ish-Jugosllavi.
Yll filmi që bëri për vete miliona shikues, “Faki”, siç njihej kudo mes kolegësh artistë e bashkëpunëtorësh, do të linte gjurmën e tij edhe si drejtues i teatrit “Dodona” në vitet e vështira të okupimit serb, si pedagog e regjisor.
Pavarësisht zulmës së shumëfishtë, institucionet e kulturës në vend e kanë kaluar pa asnjë përkujtim ditëvdekjen e tij.
E vetmja “shenjë” ka qenë një afishim në faqen e Ministrisë së Kulturës në “Facebook”, nëpërmjet të cilit Begolli është vlerësuar si një prej figurave qendrore të zhvillimit të profilit të aktrimit, teatrit dhe kinemasë në vend.
Aty është vënë në pah se, përveç punës së madhe me role që formësuan dhe institucionalizuan teatrin dhe filmin, Begolli ishte personalitet me kontribut të jashtëzakonshëm në arsim për brezat e rinj.
“Ai është ndër themeluesit e degës së Aktrimit në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Në vitet e 90-ta, ai kontribuoi në themelimin e Teatrit ‘Dodona’ në Prishtinë ku edhe la gjurmë të mëdha dhe një trashëgimi të aktrimit që vazhdohet deri sot”, thuhet në përkujtimin e Ministrisë.
Në këtë afishim, po ashtu, është vënë në dukje se Begolli kishte një portofolio të gjerë në kinematografi me më shumë se 60 filma përfshirë edhe tituj si filmin “Pogled u Zenicu Sunca” (1966) dhe bashkëpunimin me regjisorin Purisa Dordevic në filmat “Podne” (Mesditë), “Jutro” (Mëngjesi) dhe “San” (Ëndrra).
Ashtu sikurse edhe rolet e tij në filma vendorë të viteve ‘70 e ’80 si “Kur pranvera vonohet” (1980), “Era dhe Lisi” (1979), “Të Ngujuarit” (1972), “Si të vdiset” (1972) dhe “Proka” (1984).
“Begolli ishte dhe do të mbetet një figurë me personalitet të jashtëzakonshëm, i afërt me të gjithë dhe veçanërisht me gjeneratat e reja të cilat ai i formësoi”, përfundon afishimi i institucionit më të lartë kulturor në vend.
Me shallin e bardhë rugovas në kokë, në rolin e Malës në filmin “Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna” e deri te djaloshi i pashëm te filmi “Era dhe Lisi”, fotografi vinjetash e aso bardhezi në rrjetet sociale kanë sipërfaqësuar rolet e veçanta që i mishëroi aktori i lindur në Pejë në familjen e njohur të Begollve.
Në ditën e enjte të 23 gushtit 2007, vdiq dhe pastaj u varros aktori e profesori Faruk Begolli. Varrimi, me kërkesën e tij sa ishte gjallë, u bë në heshtje nga jo më shumë se 50 veta, kryesisht familjarë, kolegë dhe bashkëpunëtorë të tij të ngushtë. Pas ceremonisë së varrimit, një grup i vogël njerëzish u kthyen në shtëpinë ku kishte jetuar Begolli dhe pinë nga një gotë raki për shpirtin e tij. Edhe kjo ishte pjesë e amanetit të tij. Pas vdekjes së Begollit, Jeton Neziraj kishte shkruar se gjatë atij viti sa ka qenë i sëmurë Faruk Begolli ka marrë disa shpërblime e mirënjohje. “Edhe këta të ujësjellësit ‘Batllava’ një ditë do të më japin një shpërblim, për pagesën e rregullt të ujit”, kishte thënë një ditë Begolli.
mban rekordin e filmave, në të cilët ka luajtur një aktor shqiptar gjatë karrierës së tij - plot 58. Ai kishte bashkëthemeluar, përsëri me Enver Petrovcin, Shkollën e Teatrit në Prishtinë. U shfaq për herë të parë në filmin “Pogled u zjenicu sunca” ose “Looking Into the Eyes of the Sun” (1966). Dy vjet më vonë interpretoi në filmin "Uka i Bjeshkëve të Nemuna", si dhe në katër filma të tjerë në gjuhën serbokroate, duke ruajtur një ritëm të lartë: dy-tre filma në vit.
Në vitet e fundit të jetës, Begolli sikur do të parashikonte me sytë e mendjes “fundin” që i pret njerëzit e sërës së tij. Gjatë një interviste, ai kishte çikur edhe vlerësimet që iu bëhen njerëzve kur ndahen nga jeta.
“... e, kur të vdisni, të gjithë, televizionet, radiot, teatrot, institucionet kulturore dhe ato shtetërore ju lavdërojnë, por jo më gjatë se një apo dy ditë. Kjo ngjan kur dikush vdes, ndërsa në të gjallë, nuk e di se pse, por nuk ju duan fare, madje as nuk ju inkurajojnë për të qëndruar dhe për të vazhduar më tutje me punën tuaj”, kishte thënë Begolli, një parashikim që u provua edhe në 14-vjetorin e vdekjes së tij.