Një njoftim i Komunës së Prishtinës për punime “rehabilituese” në rrugën “Agim Ramadani” ka alarmuar institucionet e trashëgimisë kulturore. I është kërkuar Komunës që të mos ketë punime deri në sigurimin e lejeve që përcaktohen me ligjet në fuqi pasi bëhet fjalë për Qendrën Historike të Prishtinës, ku edhe gjenden disa asete të trashëgimisë kulturore. Pavarësisht kësaj, gjatë fundjavës janë zhvilluar punime duke bërë gërryerje të asfaltit. Kjo ka bërë që të hapet edhe një “konflikt” i ri midis institucioneve qendrore dhe lokale
Komuna e Prishtinës dhe institucionet e trashëgimisë kulturore nuk janë duke gjetur gjuhë të përbashkët. Një njoftim i Komunës së Prishtinës për punime “rehabilituese” në rrugën “Agim Ramadani” ka alarmuar institucionet e trashëgimisë kulturore. I është kërkuar Komunës që të mos ketë punime deri në sigurimin e lejeve që përcaktohen me ligjet në fuqi, pasi bëhet fjalë për Qendrën Historike të Prishtinës ku edhe gjenden disa asete të trashëgimisë kulturore. Pavarësisht kësaj, gjatë fundjavës janë zhvilluar punime duke bërë gërryerje të asfaltit. Kjo ka bërë që të hapet edhe një “konflikt” i ri midis institucioneve qendrore dhe lokale.
Komuna e Prishtinës të enjten e javës së kaluar ka lëshuar njoftim për “Kufizim të përkohshëm të qarkullimit në rrugën ‘Agim Ramadani’”.
“Ju informojmë se nga e shtuna, 19 prill, deri të hënën, 27 prill, njëra krah i rrugës “Agim Ramadani” – nga rrethi te Komuna deri pas Teatrit Kombëtar – do të mbyllet për qarkullim, për shkak të punimeve rehabilituese që janë të domosdoshme pas dëmtimeve të shkaktuara nga automjetet me peshë të rëndë”, shkruhet në njoftim. Po ashtu, është bërë me dije se punime do të ketë gjatë fundjavës përderisa gjatë ditëve të kësaj jave punime do të ketë nga ora 19:00 deri në 07:00.
Pas këtij njoftimi është aktivizuar Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore. Të premten, QRTK-ja i është drejtuar Komunës së Prishtinës me një kërkesë për respektim të dispozitave të Ligjit për trashëgimisë kulturore lidhur me zhvillimet në hapësirën e perimetrit dhe zonave mbrojtëse të aseteve të trashëgimisë kulturore. Nëpërmjet kësaj shkrese ka vënë në dijeni edhe Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore.
“Referuar njoftimit nga mjetet e informimit për fillimin e punimeve ndërtimore të rehabilitimit në rrugën ‘Agim Ramadani’, siç jeni të informuar edhe përmes shkresave zyrtare, rruga ‘Agim Ramadani’ gjendet brenda kufijve të Qendrës Historike të Prishtinës, përcaktuar me vitin 2020, një aset nën mbrojtje ligjore, kategoria: trashëgimi arkitekturore, nënkategoria: fushë e konservimit arkitekturor”, shkruhet krejt në fillim të dokumentit. Në këtë dokument Komunës i bëhet me dije se këto punime të rehabilitimit planifikohet të realizohen në zonat mbrojtëse të aseteve të trashëgimisë kulturore arkitekturore, duke përfshirë Xhaminë e Çarshisë, Muzeun Kombëtar të Kosovës, Teatrin Kombëtar të Kosovës, Gjykatën Komunale, ish-Kadastrin, Shkollën e parë shqipe dhe një shtëpi banimi po ashtu nën mbrojtje.
“Rrjedhimisht, realizimi i këtyre punimeve dhe të gjitha ndërhyrjeve të tjera në hapësirën e perimetrit dhe zonave mbrojtëse të aseteve të trashëgimisë kulturore, pa aprovimin e institucioneve të trashëgimisë kulturore, përbën shkelje të dispozitave të Ligjit për trashëgimi kulturore”, shkruhet në këtë dokument. Komunës i bëhet me dije se para ndërmarrjes së çfarëdo veprimi ndërtimor apo planifikues, autoritetet kompetente janë të obliguara të sigurojnë pëlqim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve nëpërmjet QRTK-së së Prishtinës.
“Në këtë kontekst, kërkojmë nga ana juaj që të mos fillohet me zbatimin e këtyre punimeve deri në sigurimin e të gjitha lejeve të nevojshme, në përputhje me dispozitat e Ligjit për trashëgimi kulturore”, shkruhet në shkresën që i është përcjellë Komunës së Prishtinës.
Pavarësisht kësaj, gjatë ditëve të fundjavës në këtë pjesë të kryeqytetit janë zhvilluar ndërhyrje, duke bërë gërryerje të asfaltit.
Të dielën në mbrëmje KOHA ka provuar që të marrë një përgjigje nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, por ai nuk është përgjigjur.
Në janar të këtij viti, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka refuzuar kërkesën e Komunës për miratim të projektit për ndërtimin e nënkalimit në rrugën “Agim Ramadani”. Është vlerësuar si projekt që “ndikon në ndryshimin e gjendjes urbane të bërthamës së Qendrës Historike dhe ka ndikime negative në asetet e trashëgimisë kulturore dhe kontribuon në zhdukjen e gjurmëve të trashëgimisë kulturore”. Pavarësisht kësaj Komuna ka lëshuar një njoftim për përzgjedhjen e konsorcioumit që pritet ta implementojë projektin për 5.8 milionë eurosh. Por kontrata nuk është publikuar ende.
Institucionet e Trashëgimisë Kulturore dhe Komuna e Prishtinës janë në përplasje të vazhdueshme. Komunës javën e kaluar nuk i është miratuar projekti për sheshin “Xhorxh Bush”. Janë dhënë rekomandime duke kërkuar sqarime shtesë siç janë analiza e kontekstit urbanistik e historik. Shkresa e IKMM-së kërkon të interpretohen ndërtesat e reja të parapara me projekt.
Konstatimi se projekti cenon integritetin e monumenteve është po ashtu brenda shkresës që IKMM-ja ia ka përcjellë Komunës së Prishtinës të mërkurën e javës së kaluar. Krejt kjo është bërë pasi Komuna ka nënshkruar kontratë me punëkryesin në vlerë prej 18.4 milionë eurosh, i janë ndalur punimet dy herë nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore dhe çështja është dërguar nga të dyja palët te institucionet e drejtësisë.
Punimet kanë nisur pa përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore që kërkon pëlqim nga IKMM-ja kur ndërhyhet në zonat mbrojtëse të monumenteve apo brenda perimetrit të tyre. Përplasjet politike janë episod më vete.
IKMM-ja ia ka bërë të ditur Komunës së Prishtinës se nëpërmjet këtij projekti trajtohen shtatë sheshe si ai i Katedrales, ai i shkollës “Faik Konica”, sheshi komercial i rrugës “Garibaldi” ai “Xhorxh Bush”, sheshi i koncerteve, i rekreacionit dhe ai i studentëve. Pesë prej këtyre shesheve, sipas komisionit të IKMM-së, gjenden brenda hapësirës së kufijve të zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës si dhe brenda perimetrit të zonave mbrojtëse të monumenteve si Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Rektorati i Universitetit të Prishtinës, Radio Kosova, Hoteli “Grand” dhe Banka Qendrore e Kosovës. Projekti, sipas shkresës është kthyer në plotësim me gjashtë rekomandime.
“Ndërhyrjet në aspektin arkitektonik (ndërtesat e reja) të projektuara në sheshin e Katedrales, i cili përfshin rrugën ‘Justiniani’, dhe sheshin e shkollës fillore ‘Faik Konica’ të propozohen me interpretime të dizajnit kontekstual”, shkruhet midis të tjerash në rekomandime.
Proceduralisht, pasi Komuna të përfillë rekomandimet e Komisionit, do ta dorëzojë prapë projektin në IKMM dhe më pas sërish futet në shqyrtim.
Komuna tashmë për këto projekte veç ka nënshkruar marrëdhënie kontraktuale në vlerë mbi 25 milionë euro.
Midis periudhës së dy ndaljeve të punimeve, Komuna ka dorëzuar kallëzim penal ndaj Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore. Në anën tjetër, Ministria e Kulturës ka bërë kërkesë në Policinë e Kosovës për hetime ndaj Komunës së Prishtinës.
Në kërkesën ndaj Policisë së Kosovës për të zhvilluar hetime ndaj Komunës, Ministria e Kulturës ka përmendur të gjitha rastet. Kishte sqaruar se Ligji për trashëgimi kulturore përcakton se në situata ku zhvillohen punime afër monumenteve duhet leje me shkrim.
“Cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent”, përcaktohet në nenin 4 të Ligjit për trashëgimi kulturore. Aty po ashtu bëhet e ditur se institucioni kompetent urdhëron ndaljen e menjëhershme për një periudhë të pacaktuar kohore të çdo lloj pune të paautorizuar në trashëgiminë kulturore.
“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural, ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon nё mjedisin e një asambleje, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një lejeje të tillë. Nëse institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, përcaktohet në nenin 9.
Në kërkesën për hetime sqarohet se sipas Ligjit për ndërtim në zonat e mbrojtura, nuk japin leje ndërtimore komunat, por Ministria e Ambientit. Sipas MKRS-së, Komuna e Prishtinës nuk ka përfillur as këtë ligj, duke bërë shkelje të njëpasnjëshme. Përfaqësuesit e MKRS-së mosndaljen e punimeve në rrugën “Rexhep Luci” e kanë arsyetuar me vendimin e Gjykatës Komerciale nëpërmjet së cilës qe shtyrë ekzekutimi i vendimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për mbylljen e kësaj rruge.