Kuratorja Fatoş Üstek – emër me peshë në skenën botërore artistike, e listuar në mesin e kuratoreve më me ndikim – i është rrokur një teme që preokupon institucionet e kësaj fushe, teksa konstaton se ato rrezikohen të shuhen nëse nuk e rishpikin modelin e tyre. “Ne si institucione gjendemi në një udhëkryq që kërcënon të na çojë në shuarjen tonë. Për këtë arsye duhet të mendojmë se çka na dallon ne nga një qendër tregtare, nga një aeroport...”, ka thënë ajo. Ka thënë se institucionet e artit duhet t’i ikin garës me njëri-tjetrin, ta përmbysin strukturën organizative dhe jo vetëm
Ndryshimet e shpejta shoqërore, njësoj si paradigmat kulturore në këtë dekadë, natyrshëm e zhvendosin vëmendjen edhe tek institucionet e artit. Perceptimi se ato kryesisht paraqesin entitete që ruajnë traditën dhe trashëgimisë kulturore, tashmë është pothuajse i pavlefshëm teksa përballen me sfidën për të rivendosur rolin e tyre në një botë që karakterizohet veç tjerash nga diversiteti.
E roli i këtyre institucioneve del të jetë thelbësor në raport me zhvillimet shoqërore, por vetëdija për këtë rol është në pozicion amullie dhe bëhet ftesë për reflektim.
Një hap të tillë e ka bërë “Reporting House” në Prishtinë duke realizuar një diskutim me kuratoren e pavarur Fatoş Üstek, që jeton në Mbretërinë e Bashkuar. Si lidere e zëshme e artit bashkëkohor e me përvojë ndërkombëtare, Üstek për herë të parë në Prishtinë prezantoi librin e saj të fundit, “The Art Institution of Tomorrow, Reinventing the Model” (Institucioni i artit të së nesërmes: Rishpikja e modelit), si përgjigje akademike e saj rreth këtij diskursi të ri, i cili vë pikëpyetje në drejtim të institucioneve që operojnë me artin. Në diskutim është thënë se si reflektim i përgjigjet çdo konteksti por, mbi të gjitha, gjatë një ore e 45 minutave, në diskutimin e moderuar nga Gazmend Ejupi, kurator i “Reporting House”, e në praninë e shumë artistëve të rinj e të afirmuar, është zbërthyer e analizuar tema e cila mbi të gjitha sjell pikëpyetje të reja.
Në komunikatën për media të këtij prezantimi është shkruar se libri i Üstek paraqitet si një manifest unik për ngritjen e standardit të praktikave institucionale për art në mbarë botën.
“Libri sugjeron që institucionet ekzistuese të artit nuk janë të pajisura për t’u marrë me ndryshimet radikale sociale, ekonomike dhe mjedisore nëpër të cilat po jetojmë. Üstek e shtyn idenë se këto institucione duhet të angazhohen për ta avancuar prezantimin e artit, ngase nëse ato nuk e rishqyrtojnë qëllimin e tyre kryesor dhe nëse nuk e transformojnë rrënjësisht strukturën e tyre organizative do të fillojnë të humbasin rëndësinë dhe ndikimin e tyre”, shkruhet aty. Ajo është zë i jashtëzakonshëm në artin bashkëkohor dhe me përvojë ndërkombëtare, përfshirë drejtimin e institucioneve të artit në Mbretërinë e Bashkuar. Ka qenë kuratore e Bienales së Liverpoolit, Institutit të Artit Roberts, kuratore e ekspozitave jofitimprurëse të shkallës së mesme dhe të lartë (50 projekte në 50 javë, 2015, ICA), festivale (“Nata e Artit” 2017, Londër), menaxhuese artistike dhe kuratoriale (Bienalja e 11-të e Liverpool, MB; Bienalja e 10-të Gwangju, Kore e Jugut), si dhe ka punuar në angazhimin e artistëve në sferën publike (Nathan Coley, Liverpool, 2020; Do Suh, Londër, 2018-2020). Për më tepër, Üstek është e njohur edhe si mendimtare me ndikim në këtë sektor, përmes projekteve që ka kuruar, librave dhe monografive që ka publikuar, si dhe shkrimeve që ka publikuar për revista arti, katalogë ekspozitash, botime akademike. Gjatë dhjetë vjetëve të fundit Üstek ka shërbyer në role të shumta të jurive për çmime kombëtare të artit (Çmimi “Jindrich Chalupecky” 2022 – 2024; “Çmimi Turner”, 2020; Çmimi “Celeste”, 2017), përfaqësi ndërkombëtare (Skoci dhe Holandë në Venecia, 2022) dhe ka vepruar si anëtare e jashtme e komitetit të blerjeve për Koleksionin e Këshillit të Arteve (2018-2020). Është këshilltare editoriale dhe redaktore kontribuuese në “Extra Extra Magazine”, anëtare e Shoqatës Ndërkombëtare të Kritikëve të Artit – AICA UK, ICI, IKT – dhe anëtare themeluese e Shoqatës së Grave në Arte (AWITA).
Krejt këtë prapavijë profesionale të Üstek, e cila me Kosovën nuk është hera e parë që bashkëpunon – pasi që kishte kuruar një ekspozitë këtu më 2008 – e ofroi për të pranishmit duke nisur fillimisht me një përvijim të punës së saj ndër vite dhe arsyes që e shtyu atë të shkruante këtë libër. Ka një qasje kritike ndaj institucioneve të cilave u ka takuar dhe vetë.
“Arsyeja që kam shkruar këtë libër normalisht që vjen dhe nga ideja që ndër vite jam shumë e thelluar në kornizën vepruese institucionale. Mendoj që institucionet e artit po stagnojnë, nivelet janë të ndryshme, por jemi në një udhëkryq të krizave të brendshme, bota është në krizë dhe fakti që kemi kriza në shëndetësi, në politikë, pastaj ato klimatike, po e mjegullon faktin që institucionet artistike kanë tashmë kriza ontologjike. Këto kriza lidhen me pyetjet se çfarë ato janë, kujt i shërbejnë, mënyrën se si ato marrin vendime dhe besoj që kjo gjë shkakton shumë konfuzion”, ka thënë ajo në “Reporting House”, në ish-ndërtesën e “Gërmisë”.

Por këtë momentum ajo e sheh si jetik në raport me ekzistencën e këtyre institucioneve. E investimi i saj mbi këtë diskurs relativisht të ri vjen me mesazhe direkte nga ajo e tash dhe me librin e saj.
“Ne si institucione gjendemi në një udhëkryq që kërcënon të na çojë në shuarjen tonë. Për këtë arsye duhet të mendojmë se çka na dallon ne nga një qendër tregtare, nga një aeroport, pra çfarë po bëj unë është një thirrje për institucionet për të rimenduar qëllimin e tyre dhe për të rindërtuar kështu praktikën rreth artit, diskursin për artin”, ka shtuar Üstek, e cila ndryshe është e listuar në seksionin festiv “Apollo 40” te 40 Mendimtarëve në vitin 2018, sikurse edhe në listën e një mijë njerëzve më me ndikim të Londrës më 2017 dhe 2018 të “Evening Standard's Progress”; Listën top-1000 të “Artlyst Power” më 2021, 2019, 2018 dhe 2017, te lista e njëzet kuratorëve të rinj më me ndikim në Evropë të “Artsy”, si dhe është nominuar për çmimin “ICI Gerrit Lansing Independent Curatorial Vision” më 2016.
Pjesë e diskutimit ka qenë edhe rëndësia e integrimit të të rinjve në art, e sidomos në hapësirat vendimmarrëse. Sipas Üstek, në botë nuk ka më vend për hierarkitë vertikale kur fuqia koncentrohet vetëm në “majë”.
“Institucionet e artit duhet ta lëvizin këtë hierarkinë piramidale ku e mbajnë inteligjencën në majë, por duke i shtrirë dijet e njohuritë e të gjithëve që janë pjesë e institucionit në çdo hapësirë të institucionit, ku çdokush aty mund të japë kontributin e vet. Dhe kështu mendoj që nuk mundemi të funksionojmë më në një praktikë pune, e cila të kushtëzon të qëndrosh dhjetë vjet në një pozitë, le të themi si një asistent dhe pastaj dhjetë vjet pas në një pozitë më të lartë dhe tek pastaj bëhesh drejtor dhe mund të marrësh vendime. Pra, njëzet vjet nuk ke marrë asnjë vendim, vetëm ke qenë ai i cili i ka aplikuar ato, dhe tani po jetojmë në një periudhë ku rinia dëshiron të inkuadrohet. Të rinjtë kërkojnë agjencinë e tyre, autonominë e tyre në kontributin e punës që e bëjnë”, është shprehur ajo.
Ka edhe një sugjerim tjetër, i cili do t’u shërbente në praktikë institucioneve të artit. Pavarësisht dallimeve dhe ideologjive që ndjek, sipas Üstek, këto institucione duhet të synojnë bashkëpunimin me njëri-tjetrin.
“Një gjë tjetër, e cila është shumë e rëndësishme për mua, është rrjeti i mendjeve, i zgjidhjeve të problemeve dhe sugjerimi im është të ndalimi së garuari me njëri- tjetrin. Si institucione duhet te fillojmë të bashkëpunojmë më shumë. Normalisht që dallojmë, por në të njëjtën kohë në vend që të jemi puzzle vetvetiu pse nuk bëhemi pjesë e një ‘puzzele’ të madh dhe pastaj në të gjithë bashkësinë e ndikimit artistik ne e formojmë një imazh të pasur dhe divers”, ka shtuar ajo.
Diskutimi drejt fundit arriti të distilohej deri në qasje krejt specifike sa i përket fushës së artit dhe menaxhimit me të. Pyetjet e shumta nga të pranishmit qenë tregues i sinqertë i mungesës së diskutimeve që shtrohen në rrafshe të tilla. Ajo ka folur dhe rreth rolit të një institucioni të artit. Sipas saj, kjo filozofi duhet ndjekur kudo.
“Nuk mendoj qe institucionet e artit duhet ta kenë funksionin e ndryshimit të këtyre gjërave, ato duhet të japin propozimet për ato ndryshime. Jemi në një epokë që krijon më shumë pyetje sesa zgjidhje, sepse kështu krijohen vetëdija, ndjeshmëria dhe mund t’i tejkalojmë njëanshmëritë tona”, ka përfunduar ajo.
Preokupimi i kohëve të sotme, Inteligjenca Artificiale, nuk kishte se si të mungonte as në këtë bisedë.
Kuratori Gazmend Ejupi, si moderator i këtij paneli, ka dhënë edhe këndvështrimin e tij për këtë çështje.
“Teknologjinë mendoj se duhet ta trajtojmë si një mjet por, mbi të gjitha, duhet ta mësojmë atë, ta njohim, të dimë si të ndërveprojmë me të, definitivisht mos ta injorojmë atë. Ne duhet ta përdorim atë edhe në praktikat tona si kuartorë, si artistë”, ka thënë ai.