Kulturë

Imazhet bardhezi ngjyrosin estetikën e brutalizmit

Pos Kosovës e Shqipërisë, Anita McKinna ka vizituar me fotoaparatin e saj edhe Maqedoninë e Veriut, Kroacinë, Serbinë, Bullgarinë, por ka dalë edhe jashtë këtij rajoni si në Gjeorgji, Armeni e deri në Britani të Madhe

Pos Kosovës e Shqipërisë, Anita McKinna ka vizituar me fotoaparatin e saj edhe Maqedoninë e Veriut, Kroacinë, Serbinë, Bullgarinë, por ka dalë edhe jashtë këtij rajoni si në Gjeorgji, Armeni e deri në Britani të Madhe

Me objektivin e fotoaparatit, Anita McKinna shpalos rrëfimin për monumentet brutaliste e në fakt, ekspozita e saj është një ftesë për t’i rishikuar këto ngrehina me tjetër dioptri. Edhe fotoaparati që përdor – ai i kohës kur u ndërtuan monumente si këto – u japin fotove tjetër peshë. Në “Neglected Brutalism”, brutalizmi s’është i lënë pas dore. “Shpresoj që ju të mund të shihni pak nga bukuria që unë shoh në brutalizëm”, ka thënë ajo

Në imazhet bardhezi brutalizmi është estetik, nëpërmjet tyre hapet një këndvështrim për të, është në qendër të vëmendjes. Mbi të gjitha, me ekspozitën “Neglected Brutalism” ai s’është i lënë pas dore.

Janë 27 fotografi të përzgjedhura që analizojnë esencën e brutalizmit arkitektonik, një qasje e karakterizuar nga struktura monumentale prej betoni, shpeshherë e zhveshur nga çdo vlerë estetike. Këto ndërtesa i përkasin kryesisht periudhës komuniste.

Me objektivin e fotoaparatit, Anita McKinna nga Australia – e cila punon për një organizatë ndërkombëtare në Prishtinë – shpalos rrëfimin për këto monumente të stilit arkitektonik të viteve ’50 e që më vonë pati një shpërthim në këto anë. Në fakt, ekspozita e saj – e hapur të enjten mbrëma në kafe-galerinë “Hani i 2 Robertëve”, është një ftesë për ta rishikuar atë me tjetër dioptri. Edhe fotoaparati që përdor – ai i kohës kur u ndërtuan monumentet si këto – u japin fotove tjetër peshë. McKinna, sjell një qasje estetike dhe konceptuale mbi arkitekturën e brutalizmit, duke e vendosur atë në një këndvështrim artistik që kap kontrastin midis fuqisë së formës dhe braktisjes. Përmes fotografisë, vëmendja drejtohet te betoni, gjeometria dhe drita, të cilat bashkëveprojnë për të krijuar një ndjesi të thellë të hapësirës dhe të historisë. Është ftesa e saj sfiduese për ta rimenduar marrëdhënien me arkitekturën brutaliste dhe fatin e saj pas rënies së ideologjive që e ushqyen. E trajton këtë stil jo vetëm si një trashëgimi arkitektonike, por edhe si një dëshmi historike që flet për ndryshimet e mëdha shoqërore dhe politike. Përmes objektivit të saj, i shndërron ndërtesat e braktisura në subjekt reflektimi mbi ciklin e pranimit dhe refuzimit të estetikës, mbi mënyrën se si një brez ndërton dhe tjetri rrënon, duke e vënë shikuesin përballë pyetjes nëse kjo braktisje është një gjykim i drejtë apo një pasojë e pamatur e shndërrimeve të kohës.

Me imazhet bardhezi McKinna i shndërron ndërtesat e braktisura në subjekt reflektimi mbi ciklin e pranimit dhe refuzimit të estetikës

“Shpresoj që ju të mund të shihni pak nga bukuria që unë shoh në brutalizëm dhe pak nga bukuria e fotoaparatit ‘Rolleiflex’ që mendoj se i nxjerr në pah në mënyrë të përsosur këto ndërtesa. Mendoj se ka diçka shumë të përshtatshme për një aparat fotografik të mesit të shekullit të kaluar dhe fotografitë e arkitekturës dhe dizajnit të mesit të po atij shekulli”, ka thënë McKinna.

Sipas saj, brutalizmi për të është një lloj mbështjelljeje e socrealizmit, kështu që brutalizmi është betoni, tekstura, gjeometria, vijat, për të cilat ajo është më shumë e interesuar, sidomos në teksturën e betonit dhe ka të bëjë me ndriçimin. E, për këtë arsye asaj i pëlqen fotografia bardhezi. Ka thënë se betoni nuk ka të bëjë me ngjyrat, por ka të bëjë me teksturën e dritëhijet si esencë e brutalizmit.

“Puna që bëj flet më shumë për aventurën, sesa për produktin final. Më pëlqen të udhëtoj, të hulumtoj vendet, t’i planifikoj udhëtimet e mia, të humb në aventurat e mia dhe pastaj të kërkoj ndihmë për të më udhëzuar. Mbrapa çdo fotografie ka një histori dhe nganjëherë më shumë më pëlqen historia sesa vetë fotografia”, ka thënë McKinna në vernisazhin e ekspozitës së saj.

Gjeografia e imazheve shtrihet në disa vende të Ballkanit dhe më gjerë. Në Shqipëri është ndalur te një bunker në Tale dhe një ndërtesë që i ka takuar agrokulturës dhe është jashtë funksioni. Në Prishtinë ka shkrepur aparatin te “Varrezat e martirëve partizanë” që ndodhet në lagjen e Velanisë dhe është projektuar nga Svetislav Liçina, ndërtuar në vitin 1961. Subjekt i veprave të saj është edhe një ndërtesë në vendin Vitomiricë që është njohur si “Monumenti i luftëtarëve të rënë dhe viktimave nga fashizmi”, projektuar prej M. Miletiqit, ndërtuar në vitin 1970.

Filozofi e kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi, ka thënë se Anita McKinna është marrë me fotografi, ka punuar në vendet ish-socialiste, i pëlqen shumë arkitektura brutaliste me betonin e pastër dhe me format e pastra, e shumica e tyre janë pas rënies së komunizmit dhe janë braktisur. Ka rikujtuar se nuk ka pasur përkujdesje për këto objekte, por kanë mbetur këto format shumë interesante.

“Përpara kam menduar sidomos te këto ndërtimet e monumenteve për shënimin e luftës nacionalçlirimtare ose të heroizmave se ka qenë betoni shumë specifik me këtë artin monumental vetëm në ish-Jugosllavi. Por siç duket edhe këto vendet e tjera e kanë shfrytëzuar këtë fuqinë e ndërtimit me beton ‘brut’, për të arritur format simbolike për të dalë prej klisheve të socio-realizmit”, ka thënë Maliqi.

Pos Kosovës e Shqipërisë, McKinna ka vizituar me aparatin e saj edhe Maqedoninë e Veriut, Kroacinë, Serbinë, Bullgarinë, por ka dalë edhe jashtë këtij rajoni si në Gjeorgji, Armeni e deri në Britani të Madhe.

Mbrapa çdo fotografie ka një histori dhe nganjëherë më shumë më pëlqen historia, sesa vetë fotografia”, ka thënë Anita McKinna në vernisazhin e ekspozitës së saj, të enjten mbrëma në “Hanin e 2 Robertëve”

Piktori Refki Gollopeni ka thënë se, ajo çfarë i ka lënë përshtypje janë fotografitë sepse nuk janë të bëra vetëm në vendet komuniste, por janë të realizuara edhe në vendet të ndryshme perëndimore, ku është një formë tjetër e trajtimit, por te pjesa e arkitekturës mund të gjendet edhe ajo pjesë brutale.

Gollopeni ka thënë se si autorja e ka gjetur këndin prej të cilit fotografon, se si e ka shfrytëzuar dritën e strukturën duke nxjerrë në pah vijat e drejta gjeometrike, apo të parregullta ia japin tërësinë kësaj ekspozite. Është ndalur edhe te subjektet e veprave.

“Ne e dimë që konsumi është diçka shumë i rëndësishëm në jetën tonë të përditshme, por vjen një moment që gjërat të cilat i kemi konsumuar, janë jashtë përdorimit, jashtë konsumit, edhe ato, sikur ndoshta vetvetiu e tregojnë atë vrazhdësinë, sepse diçka që duket e shkretë, normalisht që e ka edhe atë aspektin filozofik, ta quajmë brutal”, ka thënë Gollopeni.

E në “Neglected Brutalism” brutalizmi nuk duket i shkretë. Së paku jo në imazhet që gjallërojnë një kafe-galeri rrethuar me arkitekturë brutaliste.