Mëngjesin e 1 korrikut bota u shtang. Ajo shqiptare po se po. Veçmas universi i letërsisë. Vdiq Ismail Kadare. Viti 2024 shënohet si viti i ikjes së gjeniut të letrave shqipe. Ose si koha e përjetësisë së tij. Me veprën që la, ai e mundi kohën. “Mjeshtri i madh i letërsisë”, e quajti akademik Rexhep Ismajli. Për akademik Mehmet Krajën, ndër të tjera, ai qe zë integrues i Kosovës. Akademik Sabri Hamiti në ditëvdekjen e tij do të shkruante për triumfin e artistit, e shkrimtari e studiuesi Ag Apolloni për “stinë mërzie nën Olimp”. Sepse Kadareja tashmë ndodhej në Olimpin letrar. Studiuesi Arben Hoxha do ta cilësonte si një mendje letrare që nuk vdes kurrë e publicisti Ben Andoni do të shkruante se beteja post mortem e Kadaresë tashmë është me kohën, “këtë armike të kinse vlerave, por edhe zonjën sublime të përjetësisë”.
Në kujtim të përjetësisë së tij, më poshtë janë shkëputur pjesë tekstesh të botuara në numrin special të Shtojcës për kulturë të “KOHËS Ditore”, dedikuar Ismail Kadaresë.
“Mjeshtri i madh i letërsisë”
Rexhep Ismajli: “Ismail Kadareja jetoi në epokën që u shënua nga një dinamizëm dhe kthesa të shumta në jetën dhe kulturën shqiptare. Lindi në kohën e Zogut I, u shkollua në valën e komunizmit, shpërtheu si poet dhe erdhi e u shqua si shkrimtar në valën e diktaturës, jetoi përpjekjet për afrimin e dy pjesëve shqiptare, përjetoi thyerjen e madhe me diktaturën që po shembej, iku në Francë, ku tashmë kishte marrë njohjen e ligjshme për vlerat e shquara të artit të tij dhe talentin e pashoq, u përfshi në përpjekjet e Kosovës për të dalë në lirinë e saj, e përjetoi çlirimin e pavarësinë e saj, zhvilloi veprimtari me degëzime kulturore e më të gjera, por gjithnjë dhe mbi të gjitha u rrit dhe mbeti shkrimtar i klasit dhe individualitet në gjithë ato valë të rrëmbyeshme. Individualitet i theksuar, Ismail Kadareja krijoi një vepër madhore letrare me përmasa universale, me vlera të shquara artistike dhe me vulën e dukshme shqiptare. E tërë historia shqiptare, e periudhave otomane, pasotomane dhe e pavarësisë parakomuniste, historia e diktaturës komuniste dhe më vonë, hapësira dhe dimensione të ndryshme kohore nga lashtësia e deri tek aktualiteti, shpërfaqen në veprat e tij përmes një lehtësie të lëvizjes në hapësirat shqiptare e ballkanike, evropiane e përgjithësisht universale. Solli risime në lirikën shqipe të Shqipërisë në vitet ‘60, shpërtheu si rrëfimtar, si romansier në tërë jetën e tij, duke mos lënë jashtë sprovat, esenë, interpretimet e kritikën letrare….Mbi të gjitha, Kadareja rrëfente mjeshtërisht, jetonte si rrëfyes i pasionuar i historive të ndryshme, të botës shqiptare. Tregimet, novelat e romanet e shumta, rrëfimet për Shqipërinë thjesht të çojnë natyrshëm drejt universalizimit, që e bën letërsinë e tij të lexueshme e të përkapshme gjithandej. Në rrëfimtarinë e tij, nga tregimi i shkurtër e deri te romanet e tipit saga, të rrëmben shkrirja e natyrshme e miteve dhe folklorit me portretimet e mendjes moderne…”
“Kadare dhe Kosova”
Mehmet Kraja: “Për ne në Kosovë ikja e Kadaresë ka një kuptim më specifik: ka qenë mbështetja këmbëngulëse, e fortë dhe pa rezervë që ai ia ka bërë Kosovës në më shumë se 50 vjetët e shkuar. Pavarësisht nëse kjo mbështetje ka qenë letrare ose politike, ajo përbën një ngjarje në këtë histori, sepse pësimet dhe synimet e Kosovës, përfshirë edhe arritjet e saj të viteve më të vona, përmes zërit të Kadaresë, janë kthyer dhe shndërruar në zë të ndërgjegjes kombëtare, në një zë që bashkëndien dhe flet për brengën më të madhe shqiptare. Por, nuk është vetëm kjo. Zëri i Kadaresë në mbështetje të Kosovës ka krijuar kontekst politik ndërkombëtar, ka arritur të depërtojë nëpër kancelaritë e ftohta diplomatike dhe, që është po kaq me rëndësi, ka qenë frymëzim për shumë gjenerata intelektualësh, mësuesish, studentësh, nxënësish, pra për një masë të gjerë njerëzish në Kosovë, përfshirë edhe ata që, në aktin final të kësaj historie, u vunë në radhët e para të luftës për çlirimin e Kosovës. Në këtë pikë Kadareja ka bërë më shumë se të gjitha institucionet së bashku të shtetit shqiptar. Në një kohë të ndjeshme të strukturimit të vetëdijes së kosovarëve, ai u hapi rrugë lidhjeve të tyre mbiideologjike dhe tejideologjike me shtetin amë, duke anashkaluar dhe minimizuar rolin e kufizimeve dhe ndasive botëkuptimore (madje edhe rajonale dhe krahinore), për krijimin e një tërësie kompakte nacionale. Zëri i tij, pavarësisht nëse vinte nga vokacioni letrar ose nga diskursi politik, për kosovarët ka qenë zë integrues…”
“Triumfi i artistit”
Sabri Hamiti: “Shpjegimi mund të gjejë arsye vetëm në rrethanat politike dhe kulturore shqiptare. Ismail Kadare në aktin krijues letrar është një i rebeluar i metodës sepse, në anën tjetër, ai ende formalisht, me shkrim, mbron Realizmin Socialist në Shqipëri si metodë krijuese. E thënë me gjuhën e letërsisë, këtu kemi triumfin e artistit, sepse askush nuk mund ta mohojë që zëri i tij artistik të jetë bërë jehonë e identitetit shqiptar në botën e jashtme... I pajisur me talent të jashtëzakonshëm, që në moshën jomadhore (që na e kujton pak Rembonë), dhe i kulturuar letrarisht deri në nivelin e diturakut me moshë (që na e kujton pak Gëten), Ismail Kadare shfaq daimonian dhe egon krijuese që nuk njeh kufij kulturash e civilizimesh. Kjo paraqitet në trajtë letrare dhe në formë konceptuale të esesë. Në këto ese Kadare shfaqet sipas Kadaresë. Përfundimisht, Ismail Kadare me këtë koncept krijues do të arrijë te gjendja e shpjegueshme e identitetit kulturor shqiptar në gjirin e kulturave perëndimore. Ky mund i pafund krijues këtij autori ia sjell meritën të jetë në rrjetin e shkrimtarëve të kanonit perëndimor të Harold Bllumit.
“Stinë mërzie nën Olimp”
Ag Apolloni: “Kur një shkrimtar e ngre letërsinë në majën më të lartë me artin e tij përjetësues, një ditë patjetër duhet të lirohet nga vitet. Prandaj, edhe Ismail Kadare i hoqi 88 vjetët si një rrobë të vjetër dhe u nis drejt majës pasi e mundi kohën me vepër... Disa kritikues, duke pasur ftohtë nën hijen e tij, thonë se megjithatë jo të gjitha veprat e Kadaresë janë të arrira. Një proverb antik thotë ‘edhe Homeri fle nganjëherë’, që do të thotë se jo çdo varg i tij shkëlqen, por vepra e tij në tërësi është monumentale. Sigurisht, e njëjta gjë vlen edhe për Kadarenë. Ai do të mbahet mend për majat që i ngjiti, jo për shtrojerat ku dremiti...Ismail Kadare tashmë ndodhet në Olimpin letrar. S’di çfarë stine është atje, por e di që këtu poshtë është stinë mërzie për ikjen e tij dhe kushedi sa stinë të mërzitshme na presin pa të”
“Një mendje letrare që nuk vdes kurrë”
Arben Hoxha: “Vdekja e personit fizik - Kadare bëhet aleatja me e fortë për përmbushjen e misionit të mendjes letrare kadareane: çlirimin dhe lirinë! Ndarja nga jeta e Kadaresë është një ditë e përmbylljes së mundësive të tij empirike, të konsumueshme, për të ushtruar aksionin e vet në jetë: të shkruarit e veprave letrare. Vdekja e Kadaresë është vetëm një ikje nga fuqia e pushtetit të trupit të vet për t’i lënë hapësirë veprimi fuqisë së përhershme, asnjëherë të konsumueshme: vizioneve të hapura për komunikim të prodhuara nga mendja e tij letrare dhe të materializuara në veprën e tij... Vepra e Kadaresë do të mbetet e përhershme, jo për shkak të ndonjë aftësie të tij të veçantë për eksperimentim me forma e zhanre letrare. Ajo do të mbetet përhershmërisht në themel të qenies së kulturës sonë letrare, në veçanti, dhe në kulturën shqiptare në përgjithësi, para së gjithash dhe mbi të gjitha, për shkak të këmbënguljes së pashoqe të vullnetit të mendjes letrare kadareane për t’u përballuar me problemet më të ndërlikuara e më komplekse të kuptimit të qenies shqiptare në kohë; këmbënguljes së pashoqe për të gjetur dhe ofruar para lexuesve pamjen e vet kuptimore unike për unitetin dhe për funksionimin e tërësisë së qenies shqiptare brenda paradokseve që krijojnë pjesët e saj në përplasjet mes vete; këmbënguljes së pashoqe për të parë rregullin në kaosin historik të ekzistencës shqiptare....”
“Kadare vs Koha”
Ben Andoni: “Beteja post mortem e Kadaresë tashmë është me kohën, këtë armike të kinse vlerave, por edhe zonjën sublime të përjetësisë. Një javë më vonë, Kadareja po shpëton nga panegjirikët, ndërsa po rrugëton me kujtimin e njerëzve, që e identifikuan veprën e tij me vlerën”.
Emin Kabashi: “E di, thuajse çdo gjë është thënë edhe nga shqiptarët, edhe nga të huajt, që kanë folur me veprën e tij, por që në fillesën e shkrimeve të tij, ku shkruante për Gjirokastrën, shkruante edhe për qytetin e veriut – me fytyrë të përgjakur – Gjakovën. Por, që atëherë e sot, atdheu i shkrimtarit është gjysmë Shqipëri, sepse nuk është Kosova...Nuk mund të thuhet asgjë më shumë, sesa kanë thënë të tjerët, për mitologjinë kadareane, por mitologjia e veprave të tij ishte një shtresim i historisë kombëtare, që brezit tim të lexuesve shqiptarë u ka hyrë në punë edhe si mësim në luftë kundër robërisë...”
Skënder Latifi: “Në ditëvdekjen e Kadaresë, për habinë time më të madhe, një vranësirë e madhe e vetmuar e ndjekur prej disa të tjerave më të vogla, po largohej drejt veriut, drejt Brukselit dhe nuk vonoi shumë nisi të binte shi! Por, ky nuk ishte ai “shiu kadarean!” I përmalluar e i thelluar në kujtime, nisa të ëndërroja se sa bukur do të kishte qenë që Ismail Kadare të vinte ‘në tokën e ndaluar’ për të, në vendlindjen time në Preshevë dhe ta përjetonte rënien e shiut preshevar, errësirën e vranësirave që gjithherë paraqiten mbi ‘Majat e Mëdhaja’ që në të gjitha hartat e botës shkruhen dhe emërohen ‘Majat e Mëdha’ mu ashtu siç ua kanë vënë emrin ata që i banojnë kahmoti këto vise”
Melanie McDonagh: “...dhe Kadare ishte një njeri i qartë dhe veprat e tij do të vazhdojnë të jetojnë. Pra, me budallenj që gjykojnë çmimin ‘Nobel’ që e evituan vit pas viti të vetmin shkrimtar evropian që e meritonte vërtet çmimin. Ai e donte atë vërtet dhe qeshi miqësisht kur thashë se çmimi mund të vinte vitin e ardhshëm. Gabova...”