Kulturë

“Hyjnesha...” vlerëson filmin që përplas kohëra të errëta

Midis 25 filmash, çmimin kryesor e ka fituar “Këtu vallëzohet me hijet”, me skenar të Bashkim Hoxhës dhe regjisor Pluton Vasin

Midis 25 filmash, çmimin kryesor e ka fituar “Këtu vallëzohet me hijet”, me skenar të Bashkim Hoxhës dhe regjisor Pluton Vasin

Është zakon që festivalet e filmit të mbyllen me ndarje çmimesh. Me këtë ceremoni e veçmas me shpresë e thirrje për mbështetje më të madhe nga institucionet, është mbyllur festivali ndërkombëtar i filmit “Hyjnesha në fron”. Midis 25 filmash, çmimin kryesor e ka fituar “Këtu vallëzohet me hijet”, me skenar të Bashkim Hoxhës dhe regjisor Pluton Vasin.

Po ky film ka qenë i programuar të shfaqet pak para ceremonisë së çmimeve. Filmi përplas dy kohë, të sotmen dhe periudhën e komunizmit në Shqipëri. Ngjarja zhvillohet në Shkodër, ndërsa një gazetare, Flora, rikthehet pas shumë kohësh në vendlindje dhe mëson historinë e dhimbshme të nënës së saj dhe dramën familjare me hijet e së shkuarës.

Vjollca Dedei, producente e filmit, në skenën e kinemasë “Armata”, ku festivali ka zhvilluar krejt aktivitetin, ka thënë se për ta është kënaqësi të shpërblehet puna me një çmim në festival.

“Faleminderit shumë Kosovë! Jam vërtet shumë e emocionuar, është kënaqësi shumë e madhe. Kur punoni shumë dhe e merrni një çmim, nuk është pak. Ju falënderoj pafund dhe uroj të shihemi përsëri në festivale të tjera me punë të tjera!”, ka thënë ajo.

Çmimin e ka pranuar me bashkëproducentin e filmit, Kastriot Abdyli. Ky i fundit ka adresuar lëvdata për festivalin.

Dy çmime në festival në kategorinë e filmave të gjatë ka marrë filmi “The Stranger’s Case” me regji e skenar të amerikanit Brandt Andersen. Atë për “Skenarin më të mirë” dhe “Regjinë më të mirë”. Filmi trajton një tragjedi që godet një familje siriane në Aleppo ku, sipas të dhënave për filmin, një zinxhir i ngjarjes përfshin pesë familje të ndryshme në katër vende të ndryshme.

Derisa ka ndarë çmimin, dekani i Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, Hazir Haziri, ka thënë se filmi ka qenë tejet emocionues.

“Një film që e pashë mbrëmë këtu  më emocionoi shumë. I kënaqur që edhe juria e ka ndarë këtë mendim. Filmi ka qenë mbrëmë me ne, çmimi shkon për ‘The Stranger’s Case’”, ka thënë Haziri.

Aktori/ja më e mirë në këtë kategori është vlerësuar amerikani Jason Beghe ndërsa çmimi special “Hyjnesha në Fron” është dhënë për “The Last Days of Sulukule” me regji të turkut Osman Serkan Erol.

Filmi më i mirë i shkurtër është vlerësuar “Rreth” me regji të Jon Saqipit. Filmi flet për një kamerë të mallkuar që tregon emocionet e vërteta dhe ndjenjat e personit që ka përballë.

Aktori Bleron Hivziu e ka pranuar çmimin. “Në emër të Jonit e falënderoj jurinë për vlerësimin dhe festivalin për ftesën”, ka thënë ai.

Skenari më i mirë është vlerësuar ai i filmit “Siasar”, ndërsa regjia më e mirë ajo e filmit “The Lady with the Blue Tag” me regji të Jehona Ajdinit. Çmimin e konsideron shtytje për punën e saj si regjisore.

“Filmin e kam bërë me shumë dashuri. I falënderoj aktorët kryesorë. Shpresoj që ky çmim, pasi është i pari për mua, më jep motiv për të vazhduar edhe më shumë”, ka thënë ajo në skenë.

Çmimi për aktorin/en më të mirë në këtë kategori i ka sjellë tjetër vlerësim filmit. Adriana Matoshi, personazh kryesor i “The Lady with the Blue Tag” e ka fituar këtë çmimin. Ndërsa çmimin special “Hyjnesha në fron” e ka marrë filmi “The Steak”.

Pjesë e jurisë ka qenë aktori amerikan Walter Krochmal, i njohur për rolet e tij në filmat “Ice planet”, “The Nomad” dhe “Life forgotten”.

“Faleminderit shumë që më kemi mirëpritur dhe më keni trajtuar aq mirë. E dua këtë qytet dhe këtë vend. Në New York jemi shumë të interesuar në filma, kështu që për mua është kënaqësi dhe privilegj t’u bashkohem anëtarëve të jurisë së festivalit”, është shprehur ai.

Në kuadër të festivalit ai gjithashtu ka udhëhequr masterklasë me temat “Lidhja mes aktorit dhe producentit”, “Ndikimi i festivaleve në film” dhe “Shkolla amerikane e filmit dhe ndikimi i saj i veçantë në industrinë e filmit”, që janë zhvilluar në ditën e dytë të festivalit, krahas shfaqjeve të filmave.

Në juri kanë qenë edhe regjisori turk Osman Serkan Erol, aktori e producenti Hazir Haziri, aktori Muhamed Arifi, aktorja Albina Osmani dhe gazetarja Mirlinda Dreshaj.

Themeluesi i festivalit “Hyjnesha në fron”, Besim Ajeti, në fjalën e tij mbyllëse të ngjarjes ka thënë se presin mbështetje më të madhe në vitet e ardhshme.

“Shpresojmë që në vitet e ardhshme do të kemi mbështetje më të madhe nga institucionet. Ky festival gati gjithmonë ka funksionuar me mbështetjen  minimale të institucioneve. Është festival i pavarur”, ka thënë Ajeti.

Gjithsej 25 filma të metrazhit të shkurtër e të gjatë e kanë ndërtuar edicionin e 17-të të festivalit. Koordinatorja për media, Ilirjana Aliu, ka thënë se këtë vit pjesëmarrja e filmave të huaj ka qenë më e dukshme.

“Ajo që vërehet në këtë edicion është pjesëmarrja e madhe e filmave nga e gjithë bota që u shfaqën, si dhe një pjesëmarrje e jashtëzakonshme e shikuesve gjatë këtyre tri ditëve”, ka thënë ajo derisa ka veçuar dokumentarin me të cilin u hap festivali sivjet.

“Këtë edicion e filluam me shfaqjen e dokumentarit 'Kthimi në Kosovë', nga Julius Strauss, i cili i është kushtuar familjes Deliu nga Abria e Epërme. Ishim me fat që pati shumë të pranishëm dhe që e cilësuan si një shfaqje shumë të qëlluar. Po ashtu, jemi shumë të kënaqur që pati kaq shumë njerëz pjesëmarrës në rastin e ndarjes së çmimeve”, ka thënë Aliu.

Koordinatori për filma, Erblin Pelaj, e ka konsideruar të suksesshëm këtë edicion.

“Numri i madh i filmave që kanë aplikuar, si dhe dy masterklasat e mbajtura, kanë ndikuar në suksesin e këtij edicioni. Filmdashësit kanë pasur mundësinë të shihnin filma ndërkombëtarë me sukses në festivale botërore, si dhe të mësojnë nga profesionistë të fushës në masterklasat e mbajtura gjatë këtyre ditëve me Walter Krochmal dhe Valon Bajgorën”, ka thënë ai.

Në edicionin e kaluar fitues i festivalit qe filmi “Nji prej nesh” me skenar dhe regji të Ergys Metës e me Alban Ukajn në rol kryesor. Me këtë film edhe qe hapur festivali ndërsa në program kishte gjithsej 16 filma nga vendi e bota. Gjithashtu ishte nderuar veprimtaria e aktorit të ndjerë Xhevat Qorraj.

Festivali ndërkombëtar i filmit “Hyjnesha në fron” u themelua në vitin 2002 nga aktori Besim Ajeti. Çmimet që festivali ndan janë trofetë në formën e artefaktit me nam “Hyjnesha në Fron”, njëkohësisht simbol i kryeqytetit.