Kulturë

“Housekeeping for Beginners” në kërkim të paqes përtej paragjykimeve

“Housekeeping for Beginners”, në të cilin Kosova ka qenë bashkëprodhuese, ka qenë kandidati i Maqedonisë së Veriut për nominim për “Oscar”

“Housekeeping for Beginners”, në të cilin Kosova ka qenë bashkëprodhuese, ka qenë kandidati i Maqedonisë së Veriut për nominim për “Oscar”

Çdo rol aty është përfytyrim i individëve në kërkim të paqes. E në fund qartësohet imazhi se një ekuilibër i tillë ideal do të ishte gati utopik. Fuqia e emocionit, sinqeriteti dhe të qëndruarit bashkë del të jetë leva që e mban një familje. “Housekeeping for Beginners” futet brenda familjes. Jashtë janë paragjykimet. Filmi që shënoi sukses edhe në Festivalin e Filmit në Venecie ka ardhur premierë në Prishtinë

Narrativat të cilat ngërthejnë këndvështrime të ndryshme që ilustrojnë padrejtësitë karshi grupeve e individëve të margjinalizuar nuk janë shpesh subjekt kryesor i prodhimeve kinematografike. Por kjo nuk qëndron për “Housekeeping for Beginners”. Filmi nën regji të Goran Stolevski nga Maqedonia e Veriut shkrin përvoja të ndryshme në një rrëfim të disa subjekteve duke hedhur dritë mbi preokupimet e personave “queer” dhe margjinalizmeve në baza racore e etnike. 

E krejt këtë trajtim serioz për çështje të tilla, regjisori arrin ta bëjë duke e lënë atë të nënkuptuar, larg qasjes sipërfaqësore. Rrugëtimi i filmit “Housekeeping for Beginners” kishte nisur me premierën botërore, në shtator të vitit të kaluar, në edicionin e 80-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecie, ku mori çmimin “Queer Lion” të destinuar për kinematografinë e cila trajton temat “queer”. Por sukseset e tij nuk kishin ngelur vetëm në këtë festival. Filmi i Stolevskit ishte përzgjedhur dhe si kandidat i Maqedonisë së Veriut për nominim për “Oscar” në kategorinë “Filmi më i mirë artistik ndërkombëtar”. 

Pas premierave në vende të ndryshme të botës, për audiencën kosovare filmi “Housekeeping for Beginners” erdhi jashtë garës në kuadër të programit të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, “PriFest”. Si bashkëprodhim i disa shteteve, si Maqedonia e Veriut, Kroacia, Serbia, Kosova, Polonia, Australia dhe SHBA-ja, kjo premierë këtë radhë erdhi në vendin e disa prej anëtarëve të kastës, si dhe të njërës prej producenteve të tij. Shtëpia si entitet e familje, është qendra e filmit. 

Dita, punonjëse sociale që luhet nga aktorja rumune Anamaria Marinca, si protagoniste, vjen me rolin e matriarkes së një familjeje jokonvencionale e cila strehon të rinj me prapavijë të ndryshme. Paraqitet si shtylla e saj e cila përtej sfidave me shëndetin e partneres së saj Suada arrin ta mbajë ata së bashku. Të bijat e Suadës, Mia dhe Dzada, marrin vëmendjen e gjithë familjes pasi Suada ndërron jetë pas diagnostikimit me kancer. Në pamundësi që vetë Dita t’i birësojë vajzat, ajo detyrohet të martohet me Tonin i luajtur nga aktori Vladimir Tintor, një burrë rreth të 30-tave, gay, i cili jeton bashkë me ta. Mbi të gjitha, dinamikat e shumta dhe përpëlitjet e kësaj familjeje sado që mund të transmetojnë konotacione dhembshurie e vështirësish, regjisori arrin ta ofrojë atë te shikuesi si një rrëfim të sinqertë dhe herë pas here argëtues me nuanca të komikes. Në një këndvështrim tjetër është një tentativë e zbërthimit, e analizimit të roleve gjinore që shpesh interferon edhe me vetë mirëqenien dhe dinjitetin e njerëzve. Në afro dy orë, filmi i xhiruar në Maqedoninë e Veriut, herë në zona urbane e herë në lagje të banuara nga komuniteti rom, ngacmon audiencën duke i shtyrë në mendime të cilat shpien në shtigje të ndryshme që rëndom trajtojnë aktualitetet e temat ekzistencialiste, nga ato që avokojnë për agjendë individuale. 

Procesi teknik i punës në këtë ekip i kishte takuar dhe regjisores kosovare Blerta Basholli, si bashkëproducente. Për Bashollin, puna në ekipe kaq të mëdha e ambicioze është praktikë e njohur. Ndërkaq skenari kishte qenë ndër arsyet që ajo kishte pranuar bashkëpunimin me këtë prodhim kinematografik. 

“Për mua ka qenë kënaqësi e madhe. Është hera e dytë që iu bashkëngjitem projekteve si bashkëproduecente për ‘minority co-production’. Normalisht i zgjedh me shumë kujdes projektet, kam punuar si producente në filma të shkurtër, por po dua të përfshihem edhe në filma më të gjatë. Me Marian jemi njoftuar qysh herët, kemi qenë në një trajtim bashkë, jemi shoqe shumë të mira. Kur më ka ftuar me qenë bashkëproducente, kam qenë shumë e gatshme, por kam pasur qejf ta lexoj skenarin, të di për regjisorin. Me ka pëlqyer tematika, i pashë punët e mëhershme të Goranit, dhe mendova që është projekti i duhur me qenë unë pjesë e tij fillimisht”, ka thënë ajo. 

E veçantë tjetër e filmit është fakti se në të fliten disa gjuhë. Flitet edhe shqip. Si njëra ndër banueset në shtëpinë e Ditës ishte dhe Flora, vajza e re kosovare e luajtur nga aktorja Rozafa Çelaj. Në film luajnë edhe Ilire Vinca, Bislim Muçaj e Aurora Berisha. Puna në një kastë kaq diverse si kjo e “Housekeeping for Beginners”, për Çelajn kishte qenë përjetim i veçantë. 

“Është shumë e rëndësishme të prodhohen kësi lloj filmash, dhe sa më shumë merremi me këto tema dhe sa më shumë afrohemi, thyhen tabutë, sepse kur e sheh një film të tillë ti normalisht që afrohesh me secilën situatë dhe e sheh gjithçka sa e njerëzishme është edhe se si ne nuk tregohemi gjithmonë të tillë”, ka shtuar Çelaj. 

“Housekeeping for Beginners” ofron njëfarë varianti të ri, një perspektivë e cila mungesën e ekuilibrit në një familje e trajton si një pjesë të lindur të jetës. Çdo rol aty është përfytyrim i individëve në kërkim të paqes. E në fund qartësohet imazhi se një ekuilibër i tillë ideal do të ishte gati utopik. Fuqia e emocionit, sinqeriteti dhe të qëndruarit bashkë del të jetë leva që e mban një familje më fort sesa edhe një lidhje gjaku mbase. 

Programi i sivjetmë i “PriFest” ka rezervuar net me premiera filmash ndërkombëtarë e vendorë, deri të dielën, kur ngjarja e çmimeve shënon epilogun.