Premiera e parë për sivjet e Baletit Kombëtar të Kosovës, është një eksplorim emocional i betejës së njeriut përballë sëmundjes, e mbi të gjitha një luftë për të mos e humbur shpresën. “Hope” nën koreografi të Sead Vuniqit, prek një temë ekzistenciale, por që në thelb ka mesazhe solidariteti. Kur dritat e skenës fiken, ato që lë ndezur shfaqja “Hope”, janë dritë shprese e jete
Skena e errët nuk ka vetëm efekt skenik. Është edhe përmbajtje. Ilustron momente të zymta në jetë, betejën përballë sëmundjes që shndërrohet në ngarendje për të mos e humbur shpresën.
Nëntë balerinë shfaqen duke vallëzuar në ritme zemre, e cila lufton të rrahë më shpejt. Nga skaji i skenës, ngadalë ecën një balerinë e veshur me të bardha, e brishtë si një fije drite mes errësirës. Lëviz, pastaj ndalet, duke përkulur kokën sikur po dëgjon një zë të brendshëm që e thërret. Prek njërën nga balerinat dhe të gjithë të tjerët bien përtokë. Ajo sikur mundohet të gjejë mbështetje te të tjerët nga sëmundja që lëngon. Në sfond hëna hijezon trungun e një peme që sa vjen e thahet. Degët e saj të zgjatura dhe të zhveshura duken si gishta të dobët që kërkojnë ndihmë, një simbol i prekshëm i betejës së heshtur kundër kancerit.
Pema vyshket gjithnjë e më shumë, sikur çdo gjymtyrë po sfidohet nga pesha e sëmundjes. Nga skutat e errëta të skenës, dalin balerinë të tjerë. Lëvizjet e tyre janë të ngadalta, të koordinuara e të ngarkuara me emocione. Formojnë rrethin pranë balerinës së bardhë, duke krijuar një skenë të heshtur ku dhimbja dhe shpresa përzihen. Trupat e tyre përkulen, dridhen, ngrihen, përplasen si valë të jetës. Kështu vazhdon vallëzimi i trupës së baletit si mesazh i pashprehur me fjalë, por i ndier thellësisht.
I trishtë është kapitulli i parë i shfaqjes së baletit “Hope”, premierës së parë të Baletit Kombëtar të Kosovës për sivjet. Nën koreografi të Sead Vuniqit e me muzikë të Phil Vonit, shfaqja është dhënë të martën mbrëma në Atelienë e Pallatit të Rinisë, në Ditën Botërore të Luftës Kundër Kancerit. Shpresën e zbërthen në fund.
Skena ndriçohet, ashtu sikurse edhe shpresa. Pema gjallërohet dhe ky është mesazhi që tregon se me ndihmën e njerëzve të dashur përreth, gjithçka është e mundur të kalojë.
Simbolikat janë të fuqishme në “Hope” të BKK-së, realizuar në bashkëpunim me organizatën joqeveritare “Action for Health”.

Nëpërmjet tyre, koreografi Sead Vuniqi ka thënë se zbërthen rrëfimin që prek një temë ekzistenciale, por që në thelb ka mesazhe solidariteti.
Balerina Behie Murtezi ka barrën e rolit kryesor dhe të vetë titullit të shfaqjes. Veshur në të bardha me nuanca të qumështit, sipas Vuniqit, simbolizon personin e sëmurë, por përmes së bardhës kallëzon për brendësinë e saj, se ka shumë shpresë, vuajtje e dhimbje, por gjithmonë duhet të gjejë forcë dhe t’i kalojë të gjitha ato, duke pasur shpresë dhe mbështetjen e njerëzve të tjerë.
“Pema në skenë me degët dhe rrënjët e saj paraqet njerëzit përreth saj dhe unë kam dashur që përmes pemës të mos shkoj në mënyrë dramatike për shkak se sëmundja me vetë emrin kancer, ka të bëjë shumë me vuajtje dhe nuk kam dashur të shkoj aq thellë brenda, por kam dashur që në bazë të lojës dhe performancës në skenë dhe elementeve si shallet, pema dhe personazhet ta lidhin këtë temë dhe ta ndërthurin mirë”, ka thënë Vuniqi.
Shfaqja “lëviz” në kornizat e vallëzimit modern, por BKK-ja është e kufizuar edhe në eksplorim zhanresh të tjera sherri i hapësirës. Atelieja ia jep intimitetin që e kërkon, por është i dukshëm improvizimi në hapësira të tilla. Skenografia zëvendësohet me projeksione multimediale dhe efektet dramatike, pos muzikës, arrihen edhe me mjeshtërinë e ndriçimit. Ky institucion tash e dy vjet është i strukur në hapësira që s’i takojnë.
Por publiku e ndjek kudo që performon. Njëri prej shikuesve të shpeshtë është edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Jörn Rohde.
“Teatri i vallëzimit kishte shumë energji dhe shpejtësi e cila më pëlqeu shumë dhe më kujtoi vallëzimin teatror të vendit tim në Gjermani. Ishte e jashtëzakonshme të shihje këtë vallëzim sot, që shihet se ka një vrull shumë të madh tani këtu në Kosovë. Dhe sigurisht që doja të isha këtu sepse ishte një shfaqje për kauzën, sepse sot e kemi Ditën Botërore të Luftës Kundër Kancerit dhe mendoj se është e rëndësishme ta mbështesim këtë, sepse në çdo vend e kemi këtë sëmundje”, ka thënë ambasadori Rohde. Ka uruar BKK-në që i është bashkuar me art një kauze të tillë vetëdijesuese për sëmundjen që merr shumë jetë njerëzish.
Me kauza të tilla merret edhe “Action for Health”. Drejtoresha e kësaj organizate, Nezaqete Rukovci ka thënë se pikërisht për mesazhet që “Hope” përcjell, e kanë iniciuar realizimin e saj. Ka thënë se stigmatizimi është ai që e rëndon sëmundjen.

“Kemi zgjedhur si temë një çështje shumë të ndjeshme sikurse është stigmatizimi. Stigmatizimi nuk është vetëm një sëmundje, është diçka më e rëndë se kjo, paraqet një vështirësi për të komunikuar, një brengë të madhe me të cilën sfidohen jo të gjithë ata të cilët janë të prekur nga sëmundjet e rënda, por një numër i madh i tyre”, ka thënë Rukovci. Mesazhi i shfaqjes – në të cilën luajnë Aulonë Nuhiu, Behie Murtezi, Donmir Bilalli, Fatmir Simani, Jeta Musolli, Luljeta Ademi, Marigonë Hoxha Beha, Rigon Krasniqi dhe Isa Beg Gjocaj – është ana tjetër e pjesës së errët të saj.
“Nëpërmjet kësaj performance, ne kemi dashur që ta arrijmë qëllimin tonë: mbështetjen, dashurinë, dhembshurinë për t’u ngritur mbi sfidën që e kaplon njeriun kur preket nga sëmundje te ndryshme. Dashuria, dhembshuria, empatia dhe solidariteti janë disa nga komponentët kryesorë, të cilët ndikojnë dhe e fuqizojnë njeriun”, ka thënë Rukovci.
Mesazhi i “Hope” është lehtë i dallueshëm. Por estetika e shfaqjes i jep tjetër peshë. Në skenë, duket e harmonishme. Prapaskena ka edhe sfidat me të cilat përballet Baleti Kombëtar i Kosovës prej se objekti i Teatrit Kombëtar të Kosovës u mbyll dy vjet më parë në emër të restaurimit. Në “Hope”, balerini Isa Beg Gjocaj ka thënë se sfidues ka qenë edhe unifikimi me rolin.
“Besoj se të gjithë e kanë kuptuar temën e cila ndërlidhet me sëmundjen e kancerit. Dhe të gjithë që janë ballafaquar më të apo të afërm, e kuptojnë sfidën emocionale dhe fizike që ka qenë prekëse edhe për ne, sepse është dashur të hyjmë në atë botë që të mundemi edhe ne të performojmë dhe të japim maksimumin tonë dhe ta përçojmë këtë ndjenjë te publiku dhe shpresoj se ia kemi arritur ta bëjmë”, ka thënë Gjocaj.
Krejt në fund të performancës të gjithë marrin nga një shall – disa të bardhë, disa rozë – i vënë rreth qafe, si flamuj të një beteje që nuk është vetëm personale, por universale. Kur dritat e skenës fiken, ato që lë ndezur shfaqja “Hope”, janë dritë shprese e jete.