Kulturë

Harrohet premtimi për bibliotekë me emrin e Ismail Kadaresë në Prishtinë

Perparim Rama me Ismail Kadaren

Përderisa kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, ende s’ka bërë gjë konkrete për premtimin e dhënë, studiues e shkrimtarë konsiderojnë se emërtimi i një biblioteke në Prishtinë me emrin e shkrimtarit të madh do t’i bënte nder kulturës

“Kisha kënaqësinë ta informoja se kam vendosur që një prej bibliotekave të kryeqytetit do ta marrë emrin e tij”, kishte deklaruar kryetari i Prishtinës pas takimit me shkrimtarin Ismail Kadare në qershorin e vitit të kaluar. Por, ky premtim duket se ka ngelur të paktën deri tash veç fjalë goje. Ende nuk është dhënë ndonjë njoftim konkret rreth kësaj, edhe më shumë se një vit pas. Të kontaktuar nga KOHA, Komuna e Prishtinës dhe drejtoritë përkatëse nuk kanë dhënë përgjigje rreth kësaj çështjeje tash e tri javë

Madhështia e kontributit të përbrendësuar në figurën e Kadaresë si simbol i letërsisë e kulturës shqiptare u risoll në vëmendje gjatë ditëve që pasuan pas vdekjes së tij, më 1 korrik të këtij viti. Por, me to në kujtesë u rikthye dhe një premtim. Një i tillë që ishte dhënë nga zyrtarë gjatë kohës sa shkrimtari ishte në vizitë në Kosovë, që një bibliotekë në kryeqytet të marrë emrin e tij.  Me të marrë dhenë lajmi për vdekjen e shkrimtarit Ismail Kadare, përveç hapësirave mbarëshqiptare, ai  u kujtua edhe në mbarë botën. Mediat më prestigjioze nuk reshtën së shkruari për shkrimtarin e përkthyer në mbi 45 gjuhë të botës.

Derisa në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë homazhet në vazhdën e organizimeve shtetërore për këtë personalitet po vazhdonin, në Prishtinë mbledhja përkujtimore ishte organizuar me rastin e vdekjes së tij nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. U nderuan vepra dhe personaliteti i Ismail Kadaresë, i cili njëherësh ishte dhe anëtar i jashtëm i ASHAK-ut prej vitit 1991. E mërkura e 3 korrikut ishte shpallur nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ditë zie shtetërore në nderim të kolosit të letrave shqipe. 

Por vetë Kadareja me Kosovën fizikisht do të përshëndetej në qershorin e vitit të kaluar me vizitën e tij të fundit zyrtare në vend. Ai kishte qenë mysafir i veçantë i edicionit të 23-të të Panairit të Librit në Prishtinë. E në listën e zyrtarëve me të cilët ishte takuar e dekoruar me lloj-lloj dekoratash, ai do të ndalej dhe te kryetari i Prishtinës.  

“Nder i jashtëzakonshëm të mirëpres shkrimtarin e madh Ismail Kadare dhe bashkëshorten e tij, znj. Helena Kadare. Në shenjë mirënjohjeje dhe respekti ia dhurova Çelësin e Kryeqytetit”, kishte njoftuar Përparim Rama në llogarinë e tij në Facebook.  

Kishte njoftuar edhe për një plan të tijin që lidhet me nderimin e figurës së Kadaresë. 

“Po ashtu, kisha kënaqësinë ta informoja se kam vendosur që një prej bibliotekave të kryeqytetit do ta marrë emrin e tij”, kishte shtuar ai duke vazhduar me vlerësimin e veprës së Kadaresë në letërsinë shqipe. 

Por, ky premtim duket se ka ngelur të paktën deri tash veç fjalë goje. Ende nuk është dhënë ndonjë njoftim konkret rreth kësaj, edhe më shumë se një vit pas. Të kontaktuar nga KOHA, Komuna e Prishtinës dhe drejtoritë përkatëse nuk kanë dhënë përgjigje rreth kësaj çështjeje tash e tri javë. 

Më 2 korrik, një ditë pas vdekjes së Kadaresë, Instituti Albanologjik i Kosovës kishte mbajtur komemoracion në nderim të shkrimtarit. Vlerësim për veprën e Kadaresë ndër të tjera kishte shprehur dhe studiuesi Emin Kabashi. I pyetur nga KOHA rreth rëndësisë së një simbolike të tillë ku një bibliotekë të marrë emrin e tij, ai ka vlerësuar si një hap të denjë. 

“Unë nuk jam në dijeni pse nuk është mbajtur kjo fjalë e dhënë, por megjithatë një bibliotekë me emrin e Kadaresë në Prishtinë do ta nderonte jo vetëm qytetin e Prishtinës, por gjithë kulturën shqiptare”, ka thënë Kabashi, duke rikujtuar se në vizitën e tij të fundit në Kosovë Kadareja kishte qenë dhe mysafir në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Kishte hapur  konferencën shkencore kushtuar Lasgush Poradecit. 

Mundësinë që një bibliotekë në kryeqytet ta marrë emrin e Kadaresë e sheh ndër të tjera dhe si nderim për kulturën shkrimtari Ag Apolloni. Në një prononcim për KOHËN ai nuk ka lënë anash as sugjerimet se me cilin emër do të duhej të zëvendësohej. 

“Njoftimi që pati bërë kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ishte një lloj premtimi dhe besoj që si i tillë ishte i mirëpritur nga të gjithë lexuesit e Kadaresë. Merreni me mend, Biblioteka e kryeqytetit tonë mban emrin e njërit nga autorët më të parëndësishëm të letërsisë shqipe, Hivzi Sylejmani, të cilin zor se e lexon kush sot. Ismail Kadare ka qenë dhe do të mbetet edhe për kushedi sa kohë shkrimtari më i lexuar shqiptar, brenda dhe jashtë vendit, prandaj sigurisht që emrin e tij e meritojnë bibliotekat dhe shumë institucione që lidhen me librin. Unë mendoj se emri i tij duhet t’i vihet edhe Bibliotekës Kombëtare në Shqipëri, por këtë me siguri do ta bëjë ai Rama tjetër”, ka thënë ai.

Por, shpreson që kjo të mos mbetet vetëm një premtim. Kadare, sipas tij, e meriton me të drejtë një simbolikë të tillë.

“Gjithsesi ideja e Përparim Ramës është për t’u përshëndetur dhe për të uruar që të mos mbetet vetëm në nivel premtimi. Ismail Kadare ka bërë aq shumë për Kosovën saqë s’mund t’i dalim hakut asnjëherë, por së paku të provojmë ta nderojmë kështu me emërtime institucionesh, sheshesh, çmimesh, apo edhe me ngritjen e ndonjë statuje. Me sa di unë, i vetmi shkrimtar që ka statujë në Prishtinë është Hivzi Sylejmani, i cili edhe mund të lihet diku në periferi, por s’e kuptoj pse është kaq i pranishëm në qendër”, ka shtuar Apolloni.

Për të, Ismail Kadare përbën figurë përfaqësuese të letërsisë e kulturës shqiptare. 

“Ismail Kadare është edhe intelektuali ynë më properëndimor, prandaj t’ia vendosësh emrin e tij një biblioteke është sa nderim kulturor aq edhe orientim politik e qytetërues”, ka përfunduar ai.
Vjet presidentja e Kosovës ia kishte dorëzuar Kadaresë shtetësinë e Kosovës sikurse edhe ia kishte bërë dekorimin me urdhrin “Hasan Prishtina”.

Për fat të keq Shqipëria ka pasur një rrugë të gjatë historike të shkelur me këmbë nga forca të tjera të huaja të jashtme. Por, për fat të mirë gjithashtu, ajo i ka kapërcyer gjatë shekujve në mënyra të ndryshme. I ka kapërcyer vështirësitë e retë e errëta të historisë dhe gjithçka tjetër që mund ta provojë një popull”, kishte thënë shkrimtari i madh. Nderimin e tij dhe mbledhjen në Presidencë i kishte përshkruar si triumf.

“Vetë mbledhja jonë këtu në këtë sallë nga shqiptarë, nga të gjitha zonat, e tregon këtë triumf të kombit shqiptar. Nga ky triumf asnjë popull nuk heq dorë. Ky është një triumf për gëzimin e të ardhmen e një populli. Me një fjalë, është një triumf për qytetërimin njerëzor e universal për të gjithë popujt ku jetojnë”, kishte thënë ai.